mendo globalisht,
vepro lokalisht

Projektet e vitit 2012

Në vitin 2012 Syri i Vizionit ka vazhduar projektet dhe angazhimet e veta duke zgjeruar rrjetin e partnerëve dhe donatorëve, numrin e përfituesve nga projektet që po implemnetohen, por edhe duke luajtur rolin si një akter i rëndësishëm i jetës qytetare në rajon dhe më gjerë. Gjatë vitit janë përfunduar një pjesë e projekteve të filluara nga vitet e kaluara dhe kanë filluar projekte të reja që janë në vazhdimësi duke mbajtur edhe partneritetet e zhvilluara ndër vite. Në projekte të ndryshme brenda vitit janë angazhuar dhjetë vetë, kurse ka pasur 15 projekte afatgjata, pa llogaritur aktivitete dhe fushata të shkurta. Nga këto projekte ka përfituar komuniteti në lokalitete të ndryshme në Kosovë, me përqendrim në rajonin perëndimor të Kosovë, por edhe në rajonet tjera. Janë zhvilluar projekte me grupe të komunitetit në zona të ndryshme përfshirë zonat rurale, grupe të cilët më parë kanë qenë të injoruara apo të papërkrahura por edhe në grupe të organizuara, por që nuk kanë pasur më parë mbështetjen që tash ua ka ofruar organizata jonë.

Nga projektet e realizuara këtë vit, janë vazhduar disa projekte madhore të filluara më parë nga vitet e kaluara. Këtu hyjnë partneritet mjaft të rëndësishme të organizatës me Solidar Suisse (ish SLA) nga Zvicra dhe Olaf Palme International Center nga Suedia. Me partnerët zviceranë është mbajtur vazhdimësia me dy projekte që përfshijnë projektin e mbështetjes së dialogut social në sektorin e shëndetësisë dhe përkrahjen për forcimin e arsimit të mesëm profesional në Komunën e Pejës. Kurse me partnerët suedezë është përmbyllur faza e hartimit të strategjive të veprimit për komunitetet pakicë nëpër komuna dhe është filluar një fazë e re e projektit që mbështet qytetarinë aktive dhe forcimin e mekanizmit të angazhimit qytetar.

Të filluara në 2011, gjatë këtij viti janë vazhduar edhe projekti me Care internacional me të rinjtë-liderë të paqes, monitorimi i zbatimit të Ligjit për natyrën me NDI, projekti i mobilitetit urban- Mobkos dhe edukimi i votuesve të rinj në kuadër të koalicion “Demokracia në veprim”. Janë përfunduar edhe dy miniprojektet në kuadër të projektit “Dukagjini and Rugova valley access action program”, që Komuna e Pejës i ka nga Komisioni Evropian në Grykë të Rugovës: projektin mbi punën e komunitetit në zonën e shtegut për ecje te Kanali dhe për vënien në qarkullim të autobusit për nevojat e turizmit në Rugovë. Pikërisht për të ruajtur vazhdimësinë e këtij projekti SiV ka mbështetur stafin e këtij projekti në krijimin si organizatë joqeveritare dhe hapjen e Qendrës për Vizitorë, ndërsa ka qenë pjesë aktivitete e komunitetit në raport me Ligjin për Bjeshkët e Nemuna.

Me mbështetje nga organizata ndërkombëtare Save the Children janë realizuar dy projekte në fushën e të drejtave të fëmijëve, për mbrojtje nga dhuna, trafikimi etj. Me Culture for all janë mbajtur tri festivale të rrugës me kulturën e komuniteteve, në qendrat e qyteteve Prizren, Gjakovë e Pejë, kurse nga Saferworld një fushatë sensibilizimit për rrezikun nga armët. Me programin e YIHR është promovimi i dialogut të drejtave të njeriut dhe demokracisë, tema që janë trajtuar në një projekt të ri bashkëpunimi i mbështetura nga Ambasada britanike në Beograd.

Një pjesë e aktivitetit që është bërë gjatë vitit ka qenë e përqendruar për mbështetje iniciativa të qytetarëve, grupeve joformale dhe atyre në themelim e sipër, që është zhvilluar përmes Zyrës për përkrahje dhe këshillim e hapur në kuadër të organizatës. Të rinjtë vullnetarë të organizatës janë përfshirë në hulumtimin e objekteve të banimit për nevojat e digjitalizimit të adresave dhe emërtimit të rrugëve.
Në aspektin e zhvillimit të brendshëm të kapaciteteve të organizatës gjatë vitit është plotësuar në profesionalizimin e kuadrit me pjesëmarrjen në trajnime dhe aftësime në të cilat janë angazhuar stafi i organizatës dhe aktivistët vullnetarë.

Dialogu në Shëndetësi – KOSANA
Titulli i Projektit: Dialogu në Shëndetësi – KOSANA

Kohëzgjatja: 12 muaj ( janar 2012 – dhjetor 2012)

Vendi: Kosovë

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit në partneritet me Solidar Suisse

Buxheti: 14,400 €

Donatori: Solidar Suisse

Qëllimi i projektit: Ky projekt synon në përmirësimin e shëndetit dhe sigurisë sociale të popullatës së Kosovës përmes mbështetjes së skemës së sigurimit shëndetësor që i përfshin të gjithë qytetarët dhe promovimi i kushteve të drejta të punës të kujdesit shëndetësor.

Përfituesit: Përfitues të drejtpërdrejtë (direkt) të këtij programi janë individët, mjekë dhe organizatat e shoqërisë civile që për synim kanë të mbështesin përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit shëndetësor dhe cilësinë e shërbimeve të kujdesit shëndetësor.

Realizimi i projektit: Gjatë vitit 2012 Solidar Suisse ka filluar programin e dialogut në shëndetësi, në të cilën Syri i Vizionit në partneritet me Solidar Suisse ka pasur përgjegjësinë përbrenda këtij programi organizimin e garës së projekteve të hapur për individë dhe organizata të shoqërisë civile, monitorimin e realizimit të projekteve nga përfituesit e thirrjeve si dhe organizimin e konferencave. Gjatë kësaj periudhe SiV ka pranuar aplikacionet nga individët dhe organizatat që kanë aplikuar në thirrjen e hapur për projekte, gjithashtu ka kontaktuar jurinë e përbërë nga pesë anëtarë që kanë evoluar iniciativat e individëve si dhe organizatave. Juria ka vlerësuar 4 iniciativa për t’i mbështetur nga individët si dhe një projekt të organizatave të shoqërisë civile. Iniciativat janë mbështetur nga programi, gjithashtu SiV ka pasur përgjegjësinë edhe të monitorimit të realizimit të iniciativave. SiV ka organizuar takimet informuese me të gjithë individët dhe organizatat që kanë aplikuar si dhe organizimin e takimit të shpalljes së rezultateve nga juria.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Hapja e thirrjes për aplikim nga individët dhe organizata

• Pranimi i 12 aplikacioneve nga individët dhe organizatat

• Përzgjedhja e jurisë për vlerësim e iniciativave të individëve si dhe pesë anëtarë në vlerësimin e projekteve të organizatave

• Mbështetja e 6 iniciative të individëve dhe dy projektet të organizatave të shoqërisë civile

• Organizimi i dy takimeve informuese me aplikuesit si dhe shpalljen e rezultateve

Dialogu social në sektorin e qumështit
Titulli i Projektit: Dialogu social në sektorin e qumështit

Kohëzgjatja: 12 muaj ( janar 2012 – dhjetor 2012)

Vendi: Kosovë

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit në partneritet me Solidar Suisse

Buxheti: 6,970 €

Donatori: Solidar Suisse

Qëllimi i projektit: Ky projekt synon fuqizimin e prodhuesve dhe përpunuesve në sektorin e qumështit: zyrtarëve të tyre gjatë marrjes së mostrave të qumështit, administratës së projektit, transparencë dhe neutralitet gjatë marrjes së mostrave të qumështit nga ana e Shoqatës së prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit.

Përfituesit: Përfitues direkt janë shoqatat e përpunuesve dhe prodhuesve të qumështit, administrata dhe projekt oficeret që janë të kyçur direkt në realizmin e projektit fermerët dhe konsumatorët e produkteve të qumështit.

Realization of the project: In this project, the Association of Milk Producers and Processors, SiV during 2012 had the responsibility of providing assistance to the project workers in processing the database of farmers, providing statistics as well as monitoring the project officers in the field while receiving samples. Throughout this period of one year, SiV has gone to the field with the project officers to see the problems they face during the collection of samples and at the same time has received the opinions of farmers about the challenges they face, their opinion about obtaining samples and results for milk samples.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Rregullimi i listës së fermerëve dhe përpunimi i bazës së të dhënave

• Monitorimi i projekt oficerëve

• Raportimi i të dalave nga hulumtimi

• Raportimi i të dalave nga hulumtimi

Rinia dhe Puna në Ballkanin Perëndimor
Titulli i Projektit: Rinia dhe Puna në Ballkanin Perëndimor

Kohëzgjatja: 12 muaj ( janar 2012 – dhjetor 2012)

Vendi: Kosovë, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit në partneritet me Solidar Suisse

Buxheti: 61,567 €

Donatori: Solidar Suisse

Qëllimi i projektit: Ky projekt synon fuqizimin e seksioneve rinore sindikaliste dhe organizatave rinore si përgatitje dhe kontribut në dialogun social. Gjithashtu edhe vetëdijesimin e qytetarëve, politikës si dhe vendim marrësve ekonomikë për dialogun social, të drejtat e punëtorëve dhe për papunësinë mes të rinjve.

Përfituesit: Përfitues direkt janë anëtarët e gjashtë organizatave rinore, të cilët angazhohen në veçanti për çështjet e rinisë dhe punësimit (papunësisë, të drejtat në punë etj.). Përfituesit e fundit do të jenë të punësuarit (të rinjtë), të cilët përfitojnë nga aktivitetet dhe fushatat dhe nga sindikatat e përforcuara, si dhe nga sensibilizimi i opinionit dhe forcave politike vendimmarrëse për temat e dialogut social.

Realizimi i projektit: Viti 2012 është viti i katërt që nga hapja e thirrjes ndërkombëtare për projekte të organizuar nga Solidar Suisse dhe SiV, dhe viti i katërt që mbështet organizatat rinore të cilat kanë fituar në thirrjen ndërkombëtare të projekteve. Edhe gjatë këtij vitit janë mbështetur gjashtë projekte, të gjitha projekte brenda vetës kanë pasur të bëjnë me rininë dhe mundësinë e ofrimit ose përmirësimit të ndonjë shërbimi që i ofrohet rinisë. Përgjegjësia e SiV gjatë vitit 2012 ka qenë monitorimi financiar, administrimi si dhe organizimi i konferencës regjionale në të cilën organizatat kanë bërë prezantimin e të arriturave me projektet që i kanë realizuar gjatë vitit paraprak.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Pranimi i gjashtë projekteve nga organizatat rinore

• Shkrimi dhe lidhja e kontratave me gjashtë organizatat, dy nga Kosova, BeH dhe Serbia

• Pranimi i raporteve narrative dhe financiare nga të gjashtë organizatat

• Organizimi i konferencës regjionale

Bëj ndryshimet që rinia dëshiron t’i sheh
Titulli i Projektit: Bëj ndryshimet që rinia dëshiron t’i sheh

Kohëzgjatja: 5 muaj (nëntor 2012 – mars 2013)

Vendi: Pejë - Bor

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit në partneritet me "CDA Bor", Bor

Buxheti: 9,111.76 €

Donatori: Ambasada Britanike në Beograd

Qëllimi i projektit: Ky projekt synon që të krijojë kushtet për bashkëpunim, njohje dhe pajtim mes të rinjve nga Kosova e Serbia, përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet organizatave të shoqërisë civile në këto dy vende.

Përfituesit: Përfitues të drejtpërdrejtë (direkt) janë 6 vullnetarë nga Kosova dhe Serbia që kanë marr pjesë në programin për shkëmbimin e vullnetarëve mes Kosovës dhe Serbisë, rinia dhe shoqëria në një kuptim të gjerë.

Realizimi i projektit: Gjatë fazës fillestare të projekti organizatat partnere SiV dhe CDA Bor kanë bërë hapjen e një thirrjeje për të aplikuar në programin për shkëmbimin e vullnetarëve. Në këtë thirrje janë përzgjedhur gjashtë vullnetarë, tre nga Kosova dhe tre nga Serbia. Tre vullnetarët nga Serbia kanë kaluar dy muaj në zyrat e organizatës SiV, ndërsa tre vullnetarë nga Kosova kanë qëndruar dy muaj në CDA Bor. Gjatë qëndrimit të tyre ata kanë marr pjesë në aktivitetet e organizatave, por njëkohësisht janë njoftuar me gjendjen e të rinjve në qytetin e Bor-it dhe Pejës. Përpos kësaj, vullnetarët gjatë kësaj kohe kanë pasur për detyrë që së bashku të planifikojnë aktivitete e përbashkëta që do të zhvilloheshin në dy qytetet, për çka ata kanë zgjedhur të realizojnë një ekspozitë të fotografive në qytetin e Borit si dhe në qytetin e Pejës.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Përzgjedhja e tre vullnetarëve nga Kosova për të marr pjesë në programin e shkëmbimit të vullnetarëve në qytetin Borit

• Akomodimi i tre vullnetarëve nga Serbia në qytetin e Pejës

• Realizimi i vizitave në qytetet e Kosovës për t’i njohur vullnetarët me gjendjen e jetës së të rinjve në Kosovë, realizimi i vizitave të vendeve kulturore dhe turistike

• Realizimi i hulumtimit me të rinjtë në qytetin e Pejës dhe të Gorazhdevcit

• Shpërndarja e materialeve promovuese të projektit tek të rinjtë (bluza, fletushka etj.) për promovimin e programit të shkëmbimit të vullnetarëve

• Realizimi i ekspozitës së fotografive në Qendrën Rinore “Peja”

Edukimi i votuesve të rinj
Titulli i Projektit: Edukimi i votuesve të rinj

Kohëzgjatja: 2 muaj (1 tetor – 30 nëntor 2012)

Vendi: Pejë, Klinë, Istog, Deçan, Junik dhe Gjakovë

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit

Buxheti: 6.000 € (përmes Demokracisë në veprim)

Donatori: IFES, USAID

Qëllimi i projektit: Qëllimi i përgjithshëm i projektit është edukimi i votuesve të rinj, sensibilizimi i tyre lidhur me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e para që do të mbahen në Kosovë.

Përfituesit: Nga projekti kanë përfituar të rinjtë e moshës 18-19 vjeçare në mbi 200 klasa maturantësh në shkollat e mesme të gjashtë komunave të rajonit të Pejës që kanë marrë informcionin e duhur mbi të drejtën e votimit që kanë fituar sapo mbushin 18 vjeç.

Realizimi i projektit: Projekti është realizuar nëpër të gjitha shkollat e mesme të ashtë komunave të rajonit të Pejës. Janë angazhuar dhjetë trajnerë që sipas programit të paraparë në secilën klasë të maturantëve kanë mbajtur nga një orë ligjërim i për rëndësinë e zgjehjdve, pjesëmarrjen në zgjedhje, rolin e tyre si votues të rinj dhe rëndësinë që ka dalja në zgjedhje. Poashtu gjatë projektit nxënësit janë inkurajuar të marrin pjesë në garën me punimet eseistike lidhur më këtë temë për garën që është mbajtur në nivel të Kosovës

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Angazhimi i dhjetë trajnerëve lidhur me rëndësinë e zgjedhjeve

• Trajnimi lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje

• Mbajtja e rreth 200 ligjëratave në klasat e maturantëve

• Mbajtja e garës për esenë më të bukur lidhur me zgjedhjet dhe të drejtën e votimit në Kosovë

Fushata kundër të shtënave më armë “Koha për Veprim”
Titulli i Projektit: Fushata kundër të shtënave më armë “Koha për Veprim”

Kohëzgjatja: 1 muaj (Nëntor 2012)

Vendi: Pejë

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit

Buxheti: 1.000 €

Donatori: Forumi për Iniciativa Qytetare dhe SaferWorld

Qëllimi i projektit: Sensibilizimi i qytetarëve për rreziqet dhe pasojat nga përdorimi i armëve, sensibilizimi i institucioneve për zbatim efikas të Kodit Penal të Kosovës dhe Ligjit për Armë

Përfituesit: Përfituesit e këtij projekti kanë qenë të gjithë qytetarët e komunave Pejë, Istog dhe Deçan si dhe Policia e Kosovës, gjykatat, prokuroria, shoqëria civile dhe bizneset e ndryshme që veprojnë në këto komuna.

Realizimi i projektit: Në kuadër të këtij projekti është realizuar një fushatë ku vullnetarë të shumtë janë angazhuar dhe kanë shpërndare broshura, posterë, kanë realizuar një hulumtim me kalimtarë të rastit nëpër pjesë të ndryshme të qytetit për të vetëdijesuar qytetarët nga pasojat dhe rreziku që iu kanoset nga gjuajtjet më armë apo armëmbajtjet pa leje. Po ashtu në kudër të kësaj fushate është përgatitur edhe një spot televiziv që ka pasur për qëllim sensibilizim kundër gjuajtjes me armë nëpër festa e ahengje. Është mbajtur edhe një debat publik më të gjithë akterët e sigurisë, ku është analizuar situata e sigurisë në përgjithësi dhe mbi veprat penale nga përdorimi i armëve, të arriturat e të gjithë akterëve në parandalimin e gjuajtjeve më armë dhe armë-mbajtjes pa leje.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Mbajtja e konferenca për media dhe publikimi i statistikave nga kryesit e veprave me armë

• Ulje e numrit të të shtënave me armë bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës dhe gjykatave

• Pjesëmarrja e gjerë e qytetarëve dhe institucioneve në debate dhe aktivitete tjera të fushatës

• Zbatim i suksesshëm i fushatës “Koha për veprim” kundër të shtënave

• Ngritja e numrit të intervenimeve dhe konfiskimeve të armëve nga Policia e Kosovës

• Nxjerrja e një analize statistikore nga hulumtimi i perceptimit publik që është realizuar me qytetarë

• Ngritja e vetëdijes së qytetarëve dhe akterëve tjerë mbi ekzistimin e ligjit për armë dhe Kodit Penal të Kosovës.

Promovimi i dialogut, të drejtave të njeriut dhe demokracisë
Titulli i Projektit: Promovimi i dialogut, të drejtave të njeriut dhe demokracisë

Kohëzgjatja: 4 muaj (Maj 2012 – Shtator 2012)

Vendi: Pejë, Istog dhe Klinë

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit

Buxheti: 3.200 $

Donatori: Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut (YIHR) - Kosovë

Qëllimi i projektit: Mbështetja e paqes së qëndrueshme në mes të rinjve të komuniteteve të ndryshme dhe fuqizimi i këtyre të rinjve në promovimin e të drejtave të tyre dhe demokracisë në Kosovë

Përfituesit: Përfituesit e këtij projekti kanë qenë të rinjtë e komuniteteve të ndryshme (Shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë, egjiptianë dhe ashkali) veçanërisht ata nga zonat rurale në komunat: Pejë, Klinë dhe Istog. Po ashtu përfitues kanë qenë edhe institucionet komunale gjegjësisht Drejtoria për kulturë, rini dhe sport në të tri komunat.

Realizimi i projektit: Është punuar më të rinjtë në zonat rurale të cilët kanë qenë pjesëmarrës në turnir futbolli, ku janë shoqëruar më njëri tjetrin, e janë zhvilluar aktivitete kulture në të cilat secili komunitet ka shfaqur kulturën dhe traditën e vet. Më pas janë zhvilluar vizita të këtyre të rinjve në Drejtorinë për kulturë rini dhe sport të tri komunave, ku janë njoftuar më shumë për punën e tyre. Si dhe janë zhvilluar vizita në objektet fetare, që të rinjtë të njoftohen më së përafërti më religjionin e njëri tjetrit, në mënyrë që përmes njohjes së kulturës së njëri tjetrit të zhduken paragjykimet. Janë realizuar edhe dy radio emisione që për tematikë kanë pasur ndërtimin e paqes, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e demokracisë.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Mbajtja e turnirit të futbollit multietnik dhe manifestimit kulturor

• Rritja e bashkëpunimit në mes të të rinjve përmes aktiviteteve sportive dhe kulturore

• Rritja e bashkëpunimit të të rinjve më institucionet lokale gjegjësit drejtoritë për kulturë, rini dhe sport nëpër komuna

• Ngritja e vetëdijes së të rinjve të të gjitha komuniteteve më kulturën, fenë dhe traditën e njëri tjetrit

• Organizimi i vizitave në kulte fetare

• Fuqizimi i rol aktiv i të rinjve në promovimin e të drejtave të tyre dhe pjesëmarrje në proceset vendimmarrëse

Mismatch (II)
Titulli i Projektit: Mismatch

Kohëzgjatja: 10 muaj (1 mars – 31 dhjetor 2012)

Vendi: Pejë

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit

Buxheti: 15.000 €

Donatori: Solidar Suisse

Qëllimi i projektit: Qëllimi i përgjithshëm i projektit ka qenë që të përshtaten shkollat e mesme profesionale në qytetin e Pejës me nevojat e tregut të punës, të rrisë nivelin e edukimit dhe të krijojë kuadro kompetentë në profesionet që janë të nevojshme për tregun e punës.

Përfituesit: Nga projekti kanë përfituar gjashtë shkollat e mesme profesionale të Pejës, programet dhe kapacitetet e të cilave janë prezantuar në nxënësit e klasave fillore. Përfitues janë 1500 nxënës të klasave të nënta të të gjitha shkollave fillore të Pejës, të cilëve u është dhënë informacion i duhur dhe me kohë për regjistrimin e tyre në shkollat e mesme të Pejës. kanë përfituar edhe dy klasat testuese të Shkollës së mesme ekonomike të Pejës, të cilët kanë ndjekur praktikën profesionale në disa institucione dhe biznese të komunës së Pejës, ndërsa mbi 30 biznese kanë përfituar nga aktivitetet e përbashkëta bashkë me shkollat si pjesëmarrja në panair.

Realizimi i projektit: Projekti është realizuar në bashkëpunim me shkollat e mesme profesionale të Pejës, me të cilat janë përgatitur guidat dhe fletpalosjet për t’ua shpërndarë nxënësve në shkollat fillore të Pejës, në mënyrë që të rritet interesimi për këto shkolla. aktiviteti më i rëndësishëm ka qenë mbajtja e një panairi me shkollat e mesme dhe bizneset nga Komuna e Pejës, për të prezantuar mundësitë dhe profesionet që ofrojnë shkollat. Për nxënësit e 30 shkollave fillore janë shpërndarë guidat informuese, në dhjetë shkolla janë mbajtur këshillime në karrierë. Për nxënësit e dy klasave janë siguruar marrëveshje mirëkuptimi të nënshkruara me ndërmjetësimin tonë mes Shkollës Ekonomike dhe tetë subjekteve nga Peja që u ka mundësuar atyre mbajtjen e praktikës profesionale në një muaj.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Krijimi i grupit koordinues me përbërje shkollat, bizneset dhe institucionet

• Hartim i një guide për shkollat e mesme profesionale të Pejës, drejtimet dhe mundësitë që ato ofrojnë

• Hartimi fletëpalosjeve për secilën nga shkollat e mesme profesionale

• Shpërndarja e guidave informuese mbi arsimin e mesëm profesional të Pejës në klasat e nënta në 30 shkolla të komunës me 1500 nxënës

• Këshillime në karrierë për klasat e nënta në 10 shkolla fillore

• Mbajtja e panairit të karrierës

• Një debat televiziv dhe dy spote reklamuese në mediat lokale

• Nënshkrimi i marrëveshjeve me tetë subjekte në Pejë për të ofruar mundësi praktike profesionale për nxënësit e administratës në SHME

• Përgatitja dhe emetimi i një reportazhi televiziv lidhur me shkollat e mesme profesionale dhe problemet e praktikës profesionale

Promovimi i kulturave të ndryshme të komuniteteve përmes festivalit të rrugës
Titulli i Projektit: Promovimi i kulturave të ndryshme të komuniteteve përmes festivalit të rrugës

Kohëzgjatja: 5 muaj (mars 2012 – korrik 2012)

Vendi: Pejë, Gjakovë, Prizren

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit

Buxheti: 4,000€

Donatori: Culture for all

Qëllimi i projektit: Projekti ka pasur për qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore të komuniteteve përmes performancave në rrugë (festivaleve të rrugës).

Përfituesit: Përfitues direkt të projektit janë së paku dhjetë grupe joformale të të rinjve me rreth 70 anëtarë nga komunitetet ndryshme që jetojnë në rajonin e Pejës, të cilët janë përkrahur për t’u paraqitur para publikut në tri qytete të mëdha dhe që do kenë bashkëpunim edhe me departamentet e kulturës në komunat e tyre. Përfitues po ashtu janë edhe institucionet e kulturës pasi për atyre u është ofruar një aktivitet kulturor më shumë në qytetet e tyre.

Realizimi i projektit: Janë mbajtur festivalet në sheshet e Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit, ku 10 grupe joformale me mbi 70 të rinj kanë shfaqur trashëgiminë e tyre kulturore në vallëzim, aktrim, këndim, pikturë dhe artizanate. Shfaqjet janë ndjekur nga qytetarët që janë njohur me këto vlera kulturore të komuniteteve, kurse janë krijuar bashkëpunime të mira mes grupeve me komunat Pejë, Prizren, Klinë, Istog, Deçan dhe Gjakovë.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Janë identifikuar 10 grupe të ndryshme kulturore me komunitete të ndryshme në komunat Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Gjakovë.

• Grupet jo formale janë njoftuar me projektin dhe kanë shprehur gatishmërinë për të qenë pjesë e festivaleve të rrugës.

• Grupet jo formale me komunitete të ndryshme janë trajnuar dhe këshilluar për t’i prezantuar sa më mirë kulturën dhe traditat e tyre para qytetarëve. Këto grupe janë asistuar teknikisht që të paraqitën sa më mirë para qytetarëve.

• Zyrtarët komunalë për kulturë, rini dhe sport janë njoftuar me projektin, dhe kanë përkrahur projektin duke ndihmuar që hapësirat publike në qendrat e qyteteve Prizren, Gjakovë dhe Pejë të lirohen pa pagesë për mbajtjen e festivalit të rrugës.

• Qytetaret e Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës kanë qenë të informuar me datat kur do mbahet festivali dhe qëllimin e tij, përmes posterëve.

• Janë organizuar konferenca për media për t’i njoftuar të gjithë qytetarët me mbajtjen e festivalit në qytetet e tyre. Mediat lokale kanë përcjellë festivalet e rrugës në tri qytetet: Prizren, Gjakovë dhe Pejë.

• Organizimi me sukses i tri festivaleve të rrugës në qytetet Prizreni, Gjakovë dhe Pejë, ku 10 grupe të komuniteteve të ndryshme me kultura dhe tradita të ndryshme janë prezantuar para qytetarëve të këtyre komunave.

Active Citizenship Kosova
Titulli i Projektit: Active Citizenship Kosova

Kohëzgjatja: 12 muaj ( janar 2012 – dhjetor 2012)

Vendi: Pejë, Klinë, Istog, Deçan, Rahovec

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit

Buxheti: 57.961.93€

Donatori: Olof Palme International Center

Qëllimi i projektit: Projekti synon një angazhim të përgjithshëm të të gjithë qytetarëve të Kosovës, për të qenë pjesë e proceseve vendimmarrëse duke u përqendruar në rajonin e Pejës dhe Prizrenit.

Përfituesit: Përfaqësuesit e fshatrave të 5 bashkësive lokale të komunave Pejë, Istog, Klinë, Deçan dhe Rahovec, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile të rajonit të Pejës dhe të Prizrenit, si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.

Realizimi i projektit: Projekti “Active Citizenship” është fokusuar në pesë bashkësi lokale (Rugova, Vrella, Xërxë, Isniq dhe Grabanicë) në pesë komuna të rajonit të Pejë, Istog, Rahovec, Deçan dhe Klinë. Këto këshilla të bashkësive lokale dhe organizatat e shoqërisë civile janë përkrahur për t’u fuqizuar për të qenë vet bartës të përgjegjësive për të kryer vetë aktivitetet në emër të komunitetit të bashkësive që prezantojnë. Për këtë janë mbajtur edhe trajnime profesionale në fusha të ndryshme, si Avokim, Shkrim të projekt propozimeve dhe Ngritje të fondeve. Si mekanizëm tjetër për të ndihmuar këshillave të bashkësive lokale, shoqërisë civile dhe grupet tjera të interesit në Pejë është hapur edhe Zyra ndihmëse dhe këshilluese, e cila vazhdimisht ka ndihmuar kryetarët e bashkësive lokale, në shkrimin e kërkesave ankesave apo projekt ide për t’i paraqitur me kohë tek institucionet. Gjithashtu kjo zyrë ka ofruar ndihmë dhe konsultime të vazhdueshme edhe organizatave të shoqërisë civile në përgatitje të raporteve financiare, shkrim të projekteve si dhe ka ndihmuar edhe shumë grupe jo formale, me format se si duhet të regjistrohet një OJQ, duke i ndihmuar në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm, etj. Po ashtu një mjet tjetër avokues që ka shërbyer për shpërndarjen e informatave tek qytetarët ka qenë edhe hapja e web faqes www.aktivizohu.org, përmes së cilës janë ndarë informata të shumta se si mund të zhvillohet një qytetari aktive, janë publikuar edhe problematikat më të cilat ballafaqohen qytetarët e komunave të ndryshme të Kosovës

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Krijimi i 5 këshillave të bashkësive territoriale në rajonet Pejë dhe Prizren

• Realizimi i trajnimeve për këshillat e bashkësive territoriale

• Realizimi i trajnimeve me organizatat e shoqërisë civile të rajonit të Pejës dhe Prizrenit

• Krijimi i web site për qytetarët

• Ofrimi i këshillave qytetarëve të shumtë për mënyrën format e evokimit dhe te drejtat e tyre që kanë për të marr shërbimet nga institucionet

• Shpërndarja e informata të shumta mbi iniciativat e qytetarëve që kanë shërbyer si përvoja të mira për qytetarët e vendeve tjera të Kosovës dhe me gjerë

• Adresimi i të gjitha kërkesave të qytetarëve tek institucionet përkatëse dhe përkrahja e tyre

• Mobilizimi i qytetarëve dhe ngritja e zërit të tyre për pjesëmarrje në proceset e vendimmarrjes

• Funksionimi i zyrës ndërlidhëse dhe këshilluese në kuadër të projektit

• Mbështetje direkt për qytetarët përmes ofrimit të informata dhe mundësive të komunikimit përmes web site.

Mbrojtja nga dhuna
Titulli i Projektit: Mbrojtja nga dhuna

Kohëzgjatja: 7 muaj (Qershor 2012 – Dhjetor 2012)

Vendi: Pejë, Gjakovë

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit

Buxheti: 16.410 €

Donatori: Save the Children

Qëllimi i projektit: Parandalimi dhe reagimi ndaj dhunës kundër fëmijëve dhe forcimi i kapaciteteve të fëmijëve.

Përfituesit: Përfituesit e këtij projekti janë katër shkolla me rreth 4.000 nxënës të këtyre shkollave në rajonin e Pejës, dhe të Gjakovës. Po ashtu përfitues direkt janë edhe mësuesit me prindërit e tyre, si dhe drejtoritë komunale të arsimit në dy komunat.

Realizimi i projektit: Në këtë projekt është punuar me nxënës e katër shkollave për të ngritur kapacitetet e tyre dhe mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Një kod i mirësjelljes është hartuar dhe ai është vendosur në korridoret e shkollave në formë të një baneri të madh në shkollat: Lidhja e Prizrenit dhe Ramiz Sadiku në Pejë, Emin Duraku e Mustafa Bakia në Gjakovë. Është bërë edhe pasurimi i bibliotekave të këtyre katër shkollave me tituj të ndryshëm shkollorë në një sasi prej rreth 1000 librash.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Analiza e situatës në shkollat e komunave të Pejës dhe Gjakovës mbi mekanizmat dhe mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna.

• Realizmi i takimeve të vazhdueshme më këshillat e shkollave

• Realizimi i trajnimeve të përbashkëta të këshillave të shkollës duke përfshi nxënës mësimdhënës dhe prindër

• Realizimi i ligjëratave dhe shënimi i ditës ndërkombëtarë të drejtave të fëmijëve

• Ndihmë direkt për shkollat duke ndihmuar në fuqizimin e bibliotekave të shkollave

• Hartimi i kodit të mirësjelljes në katër shkollat

Programi reagues ndaj trafikimit të fëmijëve
Titulli i Projektit: Programi reagues ndaj trafikimit të fëmijëve

Kohëzgjatja: 5 muaj (nëntor 2012 – mars 2013)

Vendi: Pejë, Gjakovë

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit

Buxheti: 16,585.20 €

Donatori: Save the Children

Qëllimi i projektit: Rritja e nivelit të vetëdijes tek komuniteti dhe tek fëmijët në shkolla në sferën e parandalimit, kontrollimit dhe luftimit të trafikimit të të njeriut dhe fëmijëve, ngritja e çështjeve nëpërmjet bashkëpunimit me të gjithë akterët për mbrojtjen e fëmijëve në mënyrë që të arrihet ndryshim në nivel institucional

Përfituesit: Përfitues direkt të projektit janë shkolla fillore “Ramiz Sadiku” në Pejë dhe shkolla fillore “Zekeria Rexha” në qytetin e Gjakovës, me target grup kyç drejtorët e shkollave, mësimdhënësit dhe 40 nxënës nga të dy shkollat. Por përfitueseve janë edhe institucionet qeveritare dhe jo qeveritare të cilat adresojnë mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, të cilat do të përfshihen gjatë hulumtimit të gjendjes në komuna nga grupi i ekspertëve lokalë të komunave Pejë dhe Gjakovë.

Realizimi i projektit: Projekti është realizuar në dy komuna, atë të Pejës dhe Gjakovës. Syri i Vizionit në bashkëpunim me Save the Children dhe institucionet tjera kanë përzgjedhur këto dy shkolla fillore, në të cilat së bashku me drejtorët e shkollave janë përzgjedhur 40 fëmijë nga mosha 11 – 15 vjeçare (nga 20 në një shkollë), në të cilin janë përfshirë edhe nxënës të komunitet rom, egjiptian dhe ashkali. Me disa takime informuese, organizmin e trajnimeve ToT janë përzgjedhur 14 nxënës (7 nga një shkollë) të cilët ndjekin trajnimet për trajnerë në shtatë tema të ndryshme të të drejtave të njeriut. Pas përfundimit të këtyre trajnimeve, vetë nxënësit do të mbajnë trajnime bashkëmoshatarëve të vetë në ato tema që janë trajnuar. Projekti përmban edhe dy aktivitete sipas dëshirës së vet fëmijët, e para në ditën ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve me 20 Nëntor 2012 dhe një tjetër sipas dëshirës së vet fëmijëve.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Takime informuese me udhëheqësit e shkollave në Pejë dhe Gjakovë dhe me grupet e nxënësve dhe përzgjedhja e nxënësve përfitues

• Aktiviteti i përbashkët me 40 nxënës në ditën ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve.

• Shtatë trajnime ToT në temat për të drejtat e fëmijëve, parandalimi i trafikimit të qenieve njerëzore, etj

• Formimi i grupit hulumtues të eksperteve lokalë në komunën e Pejës dhe Gjakovës.

• Hulumtimi dhe publikimi i raportit të gjendjes në komunat Pejë dhe Gjakovë.

• Tri trajnimeve nga vetë nxënësit e trajnuar për nxënësit e shkollave.

• Organizimi i një aktiviteti njëditor me grupin prej 40 nxënësve, duke u bazuar në kërkesat dhe idetë e vet nxënëseve.

Skip to content