Think Globally,
Act Locally

Angazhimi i Ekspertit/es për Analizimin e nevojave, mundësive dhe boshllëqeve ligjore për fuqizimin e angazhimit prindëror në shkolla dhe komunitete

Termat e Referencës

Angazhimi i Ekspertit/es për Analizimin e nevojave, mundësive dhe boshllëqeve ligjore për fuqizimin e angazhimit prindëror në shkolla dhe komunitete

Hyrje

Syri i Vizionit (SiV) është regjistruar zyrtarisht si organizatë joqeveritare lokale në shtator të vitit 2001, por ka filluar të funksionojë edhe më herët, që nga viti 1999, si Organizatë e Bazuar në Komunitet (CBO) në komunën e Pejës.

Që nga themelimi, motoja e organizatës ka qenë: “Mendo globalisht, vepro lokalisht”, parim të cilit SiV i ka qëndruar vazhdimisht besnik në punën dhe angazhimin e saj.

Vizioni ynë: Organizatë që realizon veprime lokale të bazuara në praktikat më të mira

Misioni ynë:  Mbështetja e komunitetit përmes informimit, avokimit, vetëdijesimit dhe ngritjes së kapaciteteve të individëve, grupeve joformale, organizatave, institucioneve, rrjeteve dhe donatorëve.

Vlerat tona: Respektimi i të gjithëve pa dallim, puna në ekip dhe ndihma ndaj njëri tjetrit, hapësira e veprimi për vullnetarët, besimi dhe përgjegjshmëria, qasja bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirja

  1. Informata të përgjithshme

Në kuadër të programit tematik “Fuqizimi i Fëmijëve për Ndryshim Politikash dhe Pjesëmarrje”, organizata Syri i Vizionit (SiV), në partneritet me Save the Children – Zyra në Kosovë (SCiK), po punon për të fuqizuar pjesëmarrjen e fëmijëve në proceset vendimmarrëse dhe avokuese në nivel lokal dhe nacional, si dhe për të kontribuar në përmirësimin e politikave, praktikave dhe mekanizmave që lidhen me mbrojtjen, mirëqenien dhe realizimin e të drejtave të fëmijëve në shkolla dhe komunitet.

Në këtë kuadër, do të realizohet një analizë e nevojave, mundësive dhe boshllëqeve ligjore e institucionale që lidhen me angazhimin e prindërve dhe përgjegjësinë prindërore në sistemin arsimor. Analiza do të fokusohet në natyrën e përgjegjësisë prindërore në kontekstin arsimor, duke shqyrtuar të drejtat dhe detyrimet administrative dhe institucionale të prindërve në raport me edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, bashkëpunimin me institucionet arsimore dhe mbështetjen e pjesëmarrjes dhe mirëqenies së fëmijëve në shkollë dhe komunitet.

III.  Sfondi

Angazhimi i prindërve në shkolla dhe komunitet është një komponent i rëndësishëm për promovimin e zhvillimit, mirëqenies dhe suksesit arsimor të fëmijëve. Pjesëmarrja aktive e prindërve në proceset edukativo-arsimore dhe bashkëpunimi i tyre me institucionet arsimore kontribuojnë në krijimin e një mjedisi të sigurt, gjithëpërfshirës dhe mbështetës për fëmijët.

Megjithëse korniza ligjore dhe politikat arsimore në Kosovë parashohin forma të ndryshme të bashkëpunimit ndërmjet prindërve, shkollave dhe komunitetit, vazhdojnë të ekzistojnë sfida që lidhen me nivelin e angazhimit prindëror, qartësinë e roleve dhe përgjegjësive, si dhe efektivitetin e mekanizmave institucionalë për promovimin e pjesëmarrjes së prindërve.

Për këtë arsye, ekziston nevoja për një analizë të nevojave, mundësive dhe boshllëqeve ligjore e institucionale që ndikojnë në angazhimin e prindërve në shkolla dhe komunitete, si dhe për identifikimin e praktikave dhe mekanizmave mbështetës që mund të kontribuojnë në forcimin e këtij angazhimi.

Analiza do të fokusohet në natyrën e përgjegjësisë prindërore në kontekstin arsimor, duke shqyrtuar të drejtat dhe detyrimet administrative dhe institucionale të prindërve në raport me sistemin arsimor, përfshirë bashkëpunimin me shkollat, mbështetjen e vijimit të rregullt të arsimit dhe pjesëmarrjen në proceset që lidhen me zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve. Aspektet e përgjegjësisë civile dhe penale do të trajtohen vetëm në masën që ndërlidhen drejtpërdrejt me sistemin arsimor dhe realizimin e të drejtës së fëmijës për arsim.

  1. Objektiva

Realizimi i një analizë ligjore dhe krahasuese e kornizës ekzistuese në Kosovë dhe e praktikave ndërkombëtare, me qëllim identifikimin e nevojave, mundësive ligjore dhe institucionale, boshllëqeve dhe praktikave mbështetëse për forcimin e angazhimit të prindërve në shkolla dhe komunitete, si dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet prindërve, institucioneve arsimore dhe akterëve të tjerë relevantë për mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve..

V Objektivat specifike:

Raporti final duhet të paraqesë një analizë gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në evidencë, duke përfshirë:

  • Hyrjen, e cila përshkruan kontekstin, arsyetimin dhe qëllimin e analizës, si dhe rëndësinë e forcimit të angazhimit të prindërve në shkolla dhe komunitete.
  • Metodologjinë, duke sqaruar qasjen e përdorur për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, burimet e informacionit, konsultimet me palët e interesit dhe metodat e hulumtimit.
  • Analizën e kornizës ligjore dhe institucionale në Kosovë, duke shqyrtuar legjislacionin, politikat, strategjitë dhe mekanizmat ekzistues që rregullojnë dhe mbështesin angazhimin e prindërve në sistemin arsimor dhe në komunitet.
  • Analizën krahasuese ndërkombëtare, përmes identifikimit dhe prezantimit të praktikave të mira, modeleve dhe përvojave nga vendet e tjera që mund të shërbejnë si referencë për kontekstin e Kosovës.
  • Identifikimin e boshllëqeve, sfidave dhe nevojave, duke analizuar mospërputhjet ndërmjet kornizës ligjore dhe zbatimit në praktikë, si dhe pengesat që kufizojnë pjesëmarrjen efektive të prindërve.
  • Rekomandimet konkrete dhe të zbatueshme, të orientuara drejt përmirësimit të politikave, legjislacionit dhe praktikave institucionale, me qëllim forcimin e angazhimit të prindërve në shkolla dhe komunitete dhe krijimin e mekanizmave më të qëndrueshëm të bashkëpunimit ndërmjet familjes, shkollës dhe institucioneve relevante.

Raporti duhet të përfshijë gjithashtu përfundime të qarta dhe propozime për hapat e mëtejmë, duke ofruar një bazë për zhvillimin e politikave dhe ndërhyrjeve të ardhshme në këtë fushë.

  1. Rezultatet e pritshme
  • Raport analitik mbi kuadrin ligjor dhe institucional në Kosovë për angazhimin e prindërve në shkolla dhe komunitete, duke përfshirë hartëzimin e dispozitave dhe mekanizmave kryesorë ekzistues, si dhe identifikimin e boshllëqeve dhe mundësive për përmirësim;
  • Analizë krahasuese ndërkombëtare (minimum 3 vende) mbi modelet dhe praktikat e suksesshme për forcimin e angazhimit të prindërve në sistemet arsimore; përfshirë identifikimin e praktikave të zbatueshme në kontekstin e Kosovës;
  • Përmbledhje me rekomandime të qarta dhe të zbatueshme, të bazuara në evidencë dhe të përshtatura për kontekstin institucional dhe ligjor të Kosovës, dedikuar institucioneve relevante;
  • Një Policy brief, 2–4 faqe qe përmban përmbledhje ekzekutive dhe rekomandime kryesore në formë të qartë dhe të shkurtër .

Shkarko dokumentin e plotë: TOR Analizë e kuadrit ligjor dhe praktikave për angazhimin e prindërve në arsim në Kosovë Korrik 2026