Pejë, 13 mars 2026 – Në kuadër të projektit “Horizontet e Gjelbëra – Nismë për tranzicion të gjelbër të udhëhequr nga të rinjtë dhe komuniteti në Kosovën Perëndimore”, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga CARE Deutschland e.V. – Zyra në Kosovë, në partneritet me organizatën Syri i Vizionit, po ndërmerren iniciativa konkrete që fuqizojnë të rinjtë për t’u angazhuar në mbrojtjen e mjedisit.
Në këtë kontekst, përmes “Shkollës së Aktivizmit për Mjedisin”, nxënësit kanë marrë pjesë në trajnime dhe punëtori të fokusuara në aktivizmin mjedisor. Në vijim të kësaj, përmes thirrjes “Veprime Lokale të Udhëhequra nga të Rinjtë – Aktivizimi i Komunitetit për Mbrojtjen e Mjedisit”, ata janë inkurajuar të propozojnë ide dhe iniciativa konkrete për përmirësimin e mjedisit në komunitetet e tyre.
Si rezultat, nxënësit e shkollës “Ali Hadri” kanë hartuar dhe zbatuar projektin “Krijimi i rrethojës së gjelbër të oborrit të shkollës me drunj ‘selvi’”. Në kuadër të kësaj nisme është krijuar një rrethojë e gjelbër përreth oborrit të shkollës, e cila jo vetëm që zbukuron ambientin shkollor, por edhe rrit sigurinë për nxënësit, duke e ndarë hapësirën e shkollës nga objektet dhe zonat përreth.
Mbjellja e drunjve pritet të kontribuojë gjithashtu në krijimin e një mjedisi më të pastër dhe më të shëndetshëm, me ndikim pozitiv në cilësinë e ajrit dhe në zgjerimin e hapësirave të gjelbra në shkollë. Kjo iniciativë ka ndikuar edhe në rritjen e vetëdijes së nxënësve dhe të komunitetit shkollor për rëndësinë e ruajtjes dhe kujdesit ndaj mjedisit, duke promovuar veprime konkrete që ndihmojnë edhe në adresimin e sfidave që lidhen me ndryshimet klimatike.