misli globalno,
deluj lokalno

E premte, 16 tetor 2026 –  Në kuadër të Muajit Rozë në Istog, u realizua aktiviteti sensibilizues “Ecje së bashku për jetën”, ku morën pjesë gratë e moshës së tretë, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit dhe luftës kundër kancerit të gjirit.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte ngritja e vetëdijes për rëndësinë e kontrolleve të rregullta, zbulimit të hershëm, si dhe promovimi i solidaritetit, mbështetjes dhe përkrahjes për të gjitha gratë që përballen me këtë sfidë. Përmes këtij aktiviteti, u përcoll mesazhi se çdo hap ka rëndësi dhe se së bashku mund të kontribuojmë në një shoqëri më të vetëdijshme, më të kujdesshme dhe më mbështetëse ndaj shëndetit të gruas.

Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit “Ndërtimi i komuniteteve miqësore për të moshuarit përmes veprimit ndërbrezor në Kosovë AGE + project II, i zbatuar nga Syri i Vizionit, me mbështetjen e Volkshilfe Österreich dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA).