mendo globalisht,
vepro lokalisht

Rishpallje -Termat e Referencës Angazhimi i një Eksperti/je për Mbështetjen e Procesit të Hartimit të Planit Lokal të Veprimit në Mjedis (PLVM) 2027–2031 për Komunën e Mitrovicës së Jugut

Rishpallje – Termat e Referencës

Angazhimi i një Eksperti/je për Mbështetjen e Procesit të Hartimit të Planit  Lokal të Veprimit në Mjedis (PLVM) 2027–2031 për Komunën e Mitrovicës së Jugut në kuadër të projektit Horizonte të Gjelbra – Iniciativa për tranzicion të gjelbër të udhëhequr nga të rinjtë dhe komuniteti në Kosovën Perëndimore

Data: 25 nëntor 2026

Në kuadër të projektit “Horizonte të Gjelbra – Iniciativa për tranzicion të gjelbër të udhëhequr nga të rinjtë dhe komuniteti në Kosovën Perëndimore”, të zbatuar nga CARE Deutschland e.V. – Zyra në Kosovë, në partneritet me Syri i Vizionit (SiV) dhe EC Ma Ndryshe dhe të bashkëfinancuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, projekti mbështet forcimin e qeverisjes lokale mjedisore dhe pjesëmarrjen e qytetarëve, veçanërisht të të rinjve dhe grave, në proceset e vendimmarrjes.

Në kuadër të Aktivitetit A.4.1.4 “Aktivitete pasuese me autoritetet vendore: hartimi/përditësimi/harmonizimi i Planeve Vendore të Veprimit”, projekti do të mbështesë proceset pjesëmarrëse për përditësimin ose hartimin e planeve lokale për mbrojtjen e mjedisit dhe tranzicionin e gjelbër, duke u bazuar në gjetjet e Hulumtimit mbi Sfidat Mjedisore dhe duke përfshirë të rinjtë dhe organizatat e shoqërisë civile.

Në këtë kuadër, CARE dhe Syri i Vizionit, në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës së Jugut, do të mbështesin hartimin dhe/ose përditësimin e Planit Lokal të Veprimit në Mjedis (PLVM) për periudhën 2027–2031, në përputhje me kuadrin ligjor dhe politikat relevante në Kosovë dhe, sipas rastit, me standardet dhe prioritetet përkatëse të BE-së për mjedisin dhe tranzicionin e gjelbër.

Për këtë qëllim, Syri i Vizionit do të angazhojë një Ekspert/e për Hartimin e PLVM-së, i/e cili/a do të ofrojë ekspertizë teknike dhe metodologjike dhe do të mbështesë procesin pjesëmarrës të hartimit të dokumentit në bashkëpunim me Komunën, Grupin Punues dhe palët relevante të interesit.

Konsulenca pritet të zhvillohet midis 21 dhjetor 2026 dhe 10 prill 2027, me aktivitete specifike të planifikuara në përputhje me nevojat e projektit dhe një plan zbatimi që do të dakordësohet me ekipin e projektit.

  1. Rreth Syri I Vizionit

Syri i Vizionit (SiV) është regjistruar zyrtarisht si organizatë joqeveritare lokale në shtator të vitit 2001, por ka filluar të funksionojë edhe më herët, që nga viti 1999, si Organizatë e Bazuar në Komunitet (CBO) në komunën e Pejës.

Që nga themelimi, motoja e organizatës ka qenë: “Mendo globalisht, vepro lokalisht”, parim të cilit SiV i ka qëndruar vazhdimisht besnik në punën dhe angazhimin e saj.

 

 

  1. Informata të përgjithshme

Plani Lokal i Veprimit në Mjedis (PLVM) 2027–2031 synon të shërbejë si dokument strategjik dhe operacional për identifikimin e prioriteteve mjedisore të Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe përcaktimin e masave konkrete për adresimin e tyre.

Procesi i hartimit të PLVM-së do të zhvillohet përmes një qasjeje pjesëmarrëse, gjithëpërfshirëse, transparente dhe të bazuar në evidencë, duke përfshirë institucionet komunale, komunitetin, të rinjtë, gratë, organizatat e shoqërisë civile, ekspertët, bizneset dhe aktorë të tjerë relevantë.

Eksperti/ja do të punojë ngushtë me Grupin Punues për hartimin e PLVM-së, të themeluar nga Drejtoria e Mbrojtjes së Mjedisit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, si dhe me ekipin e Syri i Vizionit dhe përfaqësuesit e CARE.

Procesi do të marrë në konsideratë, ndër të tjera:

  • gjendjen aktuale të mjedisit në komunë;
  • problemet dhe sfidat kryesore mjedisore;
  • menaxhimin e mbeturinave;
  • cilësinë e ajrit, ujit dhe tokës;
  • ndryshimet klimatike dhe përshtatjen ndaj tyre;
  • mbrojtjen e biodiversitetit dhe burimeve natyrore;
  • ekonominë qarkore;
  • tranzicionin e gjelbër;
  • hapësirat e gjelbra dhe mjedisin urban;
  • efikasitetin e energjisë dhe përdorimin e burimeve;
  • ndërgjegjësimin dhe pjesëmarrjen e komunitetit;
  • rolin e të rinjve dhe grave në vendimmarrjen mjedisore;
  • kapacitetet institucionale dhe mekanizmat e monitorimit;
  • përputhjen me dokumentet strategjike dhe politikat relevante në nivel lokal dhe qendror.

Procesi i hartimit/përditësimit të PLVM-së do të informohet nga gjetjet dhe rekomandimet relevante të hulumtimeve dhe produkteve të politikave të projektit, si dhe nga çështjet dhe rekomandimet e identifikuara përmes dialogut të strukturuar me aktorët lokalë.

 

III. Qëllimi i angazhimit, objektivi dhe detyrat e konsulencës

Qëllimi i angazhimit të ekspertit/es është të ofrojë ekspertizë profesionale, metodologjike dhe mbështetje teknike për hartimin e Planit Lokal të Veprimit në Mjedis (PLVM) 2027–2031 për Komunën e Mitrovicës së Jugut në kuadër të Aktivitetit A.4.1.4. Aktivitete pasuese me autoritetet vendore: hartimi/përditësimi/harmonizimi i Planeve Vendore të Veprimit të projektit.

 

Eksperti/ja do të mbështesë procesin teknik dhe metodologjik të hartimit të dokumentit, në bashkëpunim me Grupin Punues dhe palët relevante, duke siguruar që PLVM-ja të bazohet në evidencë, të reflektojë prioritetet lokale dhe të jetë e përshtatshme për integrim në planifikimin, buxhetimin, zbatimin dhe monitorimin komunal.

Eksperti/ja do të udhëheqë procesin metodologjik dhe teknik të hartimit të dokumentit, duke siguruar që PLVM-ja:

  • të bazohet në të dhëna dhe evidencë relevante;
  • të pasqyrojë nevojat dhe prioritetet reale mjedisore të komunës;
  • të jetë në përputhje me legjislacionin dhe dokumentet strategjike relevante;
  • të përfshijë në mënyrë kuptimplote qytetarët dhe grupet e interesit;
  • të përcaktojë objektiva, prioritete, masa dhe aktivitete konkrete;
  • të ketë indikatorë të matshëm dhe mekanizma të qartë monitorimi;
  • të jetë i zbatueshëm dhe i integrueshëm në planifikimin dhe buxhetimin komunal.

 

Shfleto rishpalljen e plotë:  Rishpallje_ToR_Ekspert-per-Hartimin-e-PLVM-se-se-Mitrovices-se-Jugut nentor 2026_AP