misli globalno,
deluj lokalno

Menaxhimi i mbeturinave dhe ndikimi në mjedis, diskutohen sfidat dhe zgjidhjet konkrete në Mitrovicën e Jugut

Mitrovicë e Jugut, 11 nëntor 2026 – Përfaqësues të institucioneve komunale, organizatave të shoqërisë civile dhe akterë të tjerë lokalë u bënë bashkë sot në një tryezë të rrumbullakët me temën “Menaxhimi i mbeturinave dhe ndikimi në mjedis”, me fokus në sfidat kryesore të menaxhimit të mbeturinave në Mitrovicën e Jugut, përgjegjësitë institucionale dhe identifikimin e zgjidhjeve konkrete.

Në hapje të tryezës, Naser Lajqi nga Syri i Vizionit dhe Melita Bytyqi Kelmendi nga CARE theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit për adresimin e sfidave mjedisore. Ata nënvizuan nevojën për angazhim të përbashkët, rritje të përgjegjësisë institucionale dhe përfshirje aktive të qytetarëve në gjetjen dhe zbatimin e zgjidhjeve konkrete për menaxhimin e qëndrueshëm të mbeturinave.

Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e Komunës së Mitrovicës së Jugut prezantuan gjendjen aktuale dhe sfidat në këtë fushë. Drejtoresha për Mbrojtjen e Mjedisit, Arjeta Beqiri Hyseni, foli për prioritetet e komunës, kapacitetet institucionale dhe veprimet e planifikuara, ndërsa Bahri Sinani, udhëheqës i Sektorit të Mbrojtjes së Mjedisit, trajtoi situatat problematike, lokacionet e prekura dhe nevojën për monitorim e parandalim të ndotjes.

Po ashtu, Artan Ibishi, inspektor i shërbimeve komunale, diskutoi për inspektimet, adresimin e shkeljeve, gjobat dhe pengesat në zbatimin e masave ndëshkuese. Ndërkaq, Irfan Peci, shef i Sektorit të Menaxhimit të Mbeturinave, prezantoi sfidat në organizimin e shërbimit të grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave, si dhe mundësitë për përmirësimin e tij përmes ndarjes dhe riciklimit.

 

Një pjesë e rëndësishme e tryezës iu kushtua diskutimit të hapur me pjesëmarrësit, ku u trajtuan lokacionet më të prekura nga hedhja e pakontrolluar e mbeturinave, ndikimi i tyre në mjedis dhe shëndetin publik, si dhe vështirësitë që pengojnë zgjidhjen e këtyre problemeve. U theksua rëndësia e raportimit nga qytetarët, rritjes së inspektimeve dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit.

Në përfundim të diskutimeve, pjesëmarrësit identifikuan disa rekomandime konkrete për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në Mitrovicën e Jugut. Ndër rekomandimet kryesore u theksua organizimi i fushatave vetëdijesuese për promovimin e orarit të grumbullimit të mbeturinave dhe nxitjen e qytetarëve që ta respektojnë atë, me qëllim të parandalimit të hedhjes së mbeturinave jashtë orarit të përcaktuar. Po ashtu, u kërkua vendosja e kamerave vëzhguese në zonat ku vazhdimisht krijohen deponi ilegale, me qëllim identifikimin e personave që ndotin hapësirat publike dhe marrjen e masave përkatëse ndaj tyre.

Rekomandimet përfshinë gjithashtu shtimin e inspektimeve, monitorimin e rregullt të gjendjes në terren, përmirësimin e shërbimeve të grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile. U theksua edhe nevoja për një qasje më të koordinuar institucionale, me përgjegjësi dhe veprime të qarta për adresimin e problemeve të evidentuara.

Tryeza u organizua në kuadër të projektit “Horizonte të Gjelbra – Iniciativa për tranzicion të gjelbër të udhëhequr nga të rinjtë dhe komuniteti në Kosovën Perëndimore”, i zbatuar nga CARE Deutschland e.V.  – Zyra në Kosovë (CARE), në bashkëpunim me organizatat partnere lokale Syri i Vizionit (SiV), me seli në Pejë, dhe Emancipimi Civil Ma Ndryshe (EC Ma Ndryshe), me seli në Prizren dhe  bashkëfinancohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.