mendo globalisht,
vepro lokalisht

Angazhimi i ekspertit/es për hartimin e Politikës Institucionale për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Personave të Cenueshëm

TERMAT E REFERENCËS

Angazhimi i ekspertit/es për hartimin e Politikës Institucionale për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Personave të Cenueshëm (Safeguarding Policy for Vulnerable Persons)

Nr. referues i prokurimit: SiV-PR-2026-12  –  Data e publikimit: 04.11.2026 –  Afati i ofertave: 17.11.2026, ora 16:00

  1. Hyrje

Syri i Vizionit (SiV) është organizatë joqeveritare lokale, e themeluar në vitin 1999 si Organizatë e Bazuar në Komunitet (CBO) në komunën e Pejës dhe e regjistruar zyrtarisht në shtator të vitit 2001. Motoja e organizatës është “Mendo globalisht, vepro lokalisht”.

Vizioni ynë: Shoqëri aktive si promovuese e ndryshimit pozitiv.

Misioni ynë: Zhvillimi i komunitetit të individëve, grupeve joformale, organizatave, rrjeteve, institucioneve, donatorëve dhe sektorit privat/sipërmarrjes, përmes avokimit, shkëmbimit të informacionit, vetëdijesimit dhe ofrimit të mbështetjes së drejtpërdrejtë.

Vlerat tona: respektimi i të gjithëve pa dallim; qasja miqësore dhe bashkëpunuese; gjithëpërfshirja dhe diversiteti; puna në ekip dhe ndihma ndaj njëri-tjetrit; kreativiteti, inovacioni dhe profesionalizmi; vullnetarizmi dhe hapësira për angazhimin e vullnetarëve; besimi, përgjegjshmëria dhe transparenca.

  1. Informata të përgjithshme

Gjatë veprimtarisë së saj, SiV ka zbatuar mbi 200 projekte në fusha të ndryshme, përfshirë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, fuqizimin dhe pjesëmarrjen e të rinjve, mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të personave të moshuar, barazinë dhe gjithëpërfshirjen sociale, të drejtat e njeriut, dialogun social dhe fuqizimin e komuniteteve. Organizata punon drejtpërdrejt me fëmijë, të rinj, persona të moshuar, persona me aftësi të kufizuara, komunitete pakicë (përfshirë serbët, romët, egjiptianët, ashkalitë dhe boshnjakët) dhe grupe të tjera të cenueshme, si dhe me dhjetëra vullnetarë, institucione publike, organizata të shoqërisë civile dhe partnerë.

SiV ka tashmë dokumente të brendshme që prekin këtë fushë, përfshirë Politikën për Mbrojtjen e Fëmijëve, Kodin e Sjelljes së Stafit dhe Rregulloren e Punës. Qëllimi i këtij angazhimi është që këto dokumente të harmonizohen dhe të plotësohen me një politikë të vetme institucionale të Safeguarding, e cila përcakton standardet, parimet, përgjegjësitë dhe procedurat e përbashkëta për parandalimin, identifikimin, raportimin dhe trajtimin e çdo forme të abuzimit, shfrytëzimit, ngacmimit, neglizhimit, diskriminimit apo cenimit të të drejtave dhe sigurisë së personave që përfshihen në aktivitetet e organizatës.

III. Sfondi

Mbrojtja e individëve nga çdo formë e dhunës, abuzimit, shfrytëzimit, ngacmimit, neglizhimit, diskriminimit dhe trajtimit të papërshtatshëm përbën përgjegjësi themelore institucionale për çdo organizatë që punon me komunitete dhe grupe të ndryshme shoqërore.

Për fëmijët, rreziqet mund të lidhen me dhunën, abuzimin, shfrytëzimin, neglizhimin dhe cenimin e të drejtave të tyre. Për të rinjtë, me format e ndryshme të shfrytëzimit, ngacmimit, diskriminimit dhe cenimit të sigurisë. Për personat e moshuar, rreziqet mund të përfshijnë keqtrajtimin, neglizhimin, abuzimin financiar, izolimin social dhe cenimin e autonomisë dhe dinjitetit.

Për këtë arsye, SiV ka nevojë për një dokument të vetëm institucional që përcakton standardet minimale të mbrojtjes dhe sigurisë për të gjitha grupet me të cilat punon, duke marrë parasysh karakteristikat, nevojat dhe rreziqet specifike të secilit grup. Politika do të shërbejë si instrument obligues për të gjitha strukturat e organizatës dhe për personat e angazhuar në realizimin e veprimtarisë së saj.

Ky angazhim zbatohet në kuadër të projektit Fuqizimi i Fëmijëve për Ndryshim Politikash dhe Pjesëmarrje (2025–2028) zbatuar nga Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children Kosova/o (SCiK) me mbështetjen e Sida, si pjesë e planit të zhvillimit të kapaciteteve të brendshme të SiV (OCD/OCA) 2026-2029 (aktiviteti 1.1 .2 ).

  1. Objektiva

Hartimi i Politikës Institucionale për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Personave të Cenueshëm (Safeguarding Policy for Vulnerable Persons), e cila përcakton standardet, parimet, përgjegjësitë dhe procedurat për mbrojtjen e të gjithë personave dhe grupeve të cenueshme me të cilat punon SiV nga çdo formë e abuzimit, shfrytëzimit, dhunës, ngacmimit, neglizhimit, diskriminimit dhe cenimit të dinjitetit, të drejtave dhe sigurisë së tyre.

  1. Objektivat specifike
  • Të analizohet korniza ligjore e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve, të rinjve, personave të moshuar dhe grupeve të tjera të cenueshme.
  • Të shqyrtohen politikat, procedurat dhe dokumentet ekzistuese të SiV (Politika për Mbrojtjen e Fëmijëve, Kodi i Sjelljes, Rregullorja e Punës, Manuali Operacional/HR) dhe të identifikohen boshllëqet.
  • Të identifikohen rreziqet në sistemin e brendshëm të organizatës për mbrojtjen e përfituesve, stafit, vullnetarëve dhe konsulentëve.
  • Të përcaktohen standardet e përbashkëta të Safeguarding për të gjitha programet, projektet dhe aktivitetet, duke përfshirë mbrojtjen nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual (PSEA) dhe sigurinë në hapësirën digjitale dhe në rrjetet sociale.
  • Të zhvillohen procedura specifike sipas moshës, gjinisë, aftësive, nivelit të cenueshmërisë dhe rrethanave individuale, përfshirë qasjen e përshtatshme për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe për komunitetet pakicë.
  • Të përcaktohen qartë përgjegjësitë e Bordit, menaxhmentit, personit përgjegjës për Safeguarding, stafit, vullnetarëve, konsulentëve dhe partnerëve.
  • Të zhvillohen mekanizma të qartë për parandalimin, raportimin, referimin dhe trajtimin e rasteve të dyshuara ose të konfirmuara, me afate kohore, dokumentim dhe mbrojtje të njoftuesve (whistleblowers), të harmonizuara me mekanizmin e Manualit Operacional për sjelljen e pahijshme.
  • Të sigurohet përfshirja e fëmijëve, të rinjve, stafit, Bordit dhe grupeve të synuara në konsultimin e politikës, në përputhje me parimin e pjesëmarrjes së Strategjisë.
  • Të krijohet një sistem për monitorimin dhe rishikimin periodik të zbatimit të Politikës, i integruar në rishikimin vjetor të Strategjisë.
  • Të sigurohet përputhshmëria me kërkesat e Safeguarding të partnerit/donatorit Save the Children në Kosovë – SCiK dhe të donatorëve të tjerë të SiV.

Për më shumë: ToR_Safeguarding_SiV