KOMUNIKATË PËR MEDIA
Qytetaria Aktive, Sfidë për institucionet Lokale dhe Qendrore
Prishtinë, 19 Nëntor 2015-
Organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” të enjten në Prishtinë ka mbajtur konferencën me temën “Zhvillimi i Qytetarisë Aktive dhe fuqizimi i rolit të qytetarëve në vendimmarrje” ku kanë marrë pjesë përfaqësues të komunave të Kosovës, gratë asambleiste, përfaqësues të fshatrave dhe lagjeve të komunave të regjionit të Pejës dhe Prizrenit, shoqëria civile, me të cilat është duke u zhvilluar programi që ka për qëllim nxitjen e qytetarisë aktive në Kosovë.
Aktivizimi i qytetareve, pjesëmarrja e gruas në proceset vendimmarrëse dhe adresimi i problematikave tek institucionet në nivel lokal dhe qendror, janë sfidat për institucionet në nivel lokal dhe atë qendror, është thënë nga pjesëmarrësit në këtë konferencë.
Menduh Ulashi nënkryetar i komunës së Hanit të Elezit ka theksuar se tani këtë vit përfundon mandati i kryetarëve të këshillave lokale, dhe ende ky proces i funksionimit të tyre mbetet sfidë për këtë komunë, pasi që ende nuk kemi mundur të sigurojmë buxhet as për mëditje ditore apo në bazë të takimeve. Gjithsesi ne do vazhdojmë të bëjmë përpjekje që të krijojmë kushte më të mira për të gjithë përfaqësuesit e këtyre këshillave, edhe pse ne deri me tani kemi arritur të sigurojmë vetëm telefona mobilë për të komunikuar mes veti zyrtarisht pa pagesë, ka thënë ai.
Ndërkohë, zyrtarët komunalë nga komunat e rajonit të Dukagjinit, të pranishëm në këtë takim, janë shprehur të shqetësuar sepse edhe me realizimin e zgjedhjeve demokratike dhe të lira për këshillat, prapë se prapë çështja e bashkëpunim të komunës me fshatra, vendbanime dhe lagjeve urbane, mbetet e vështirë pasi këta kryetarë për të qenë aktiv duhet të ju sigurohet kushtet për punë.
Gjithsesi pjesëmarrësit kanë sugjeruar që Ministria e Financave së bashku me Ministrinë e MAPL-së duhet të bëjnë një zgjedhje për t’i stimuluar për punën dhe angazhimin e tyre në adresimin e problemeve dhe kërkesave të qytetarëve, për çka ndoshta zgjedhja më e mirë do të ishte nxjerrja e një udhëzimi administrativ që lejon në vijat buxhetore të komunave të bëhen pagesa e shpenzimeve ditore të këtyre kryetarëve të këshillave.
Në anën tjetër, gratë asamblistë të komunave të regjionit të Pejës dhe Prizrenit, janë shprehur të pakënaqura më përfaqësimin e tyre ne në nivel lokal dhe qendror sa i përket pozitave kyçe. Madje sipas tyre grave nuk ju ofrohet mundësia dhe hapësira për ta dëshmuar veten në pozita dhe dikastere më rendësi të veçantë në komunat e tyre, por edhe në nivel qendror. Ato, gjithsesi kanë shprehur pakënaqësi edhe rreth pjesëmarrjes së grave në këshillat lokalë të komunave ku edhe janë realizuar zgjedhjet.
Arbresha Demaj nga Syri i Vizionit ka thënë se kjo organizatë i ka mbështetur të gjitha këto grupe prej disa vjetësh që të jenë zëra aktivë në përfaqësimin e kërkesave të komuniteteve të cilave u përkasin. Ajo ka prezantuar edhe publikimin që përmban punën e zhvilluar në këtë periudhë katër vjeçare të programit "Qytetaria Aktive" të cilën “Syri i Vizionit” e implementon i mbështetur nga Olof Palme International Center dhe SIDA.