Ekspert/e për Hartimin e Planit të Ofrimit të Shërbimeve Sociale dhe Familjare në përputhje me Udhëzimin Administrativ (MPFVLÇ) Nr. 01/2026
Hyrje
Syri i Vizionit (SiV) është regjistruar zyrtarisht si organizatë joqeveritare lokale në shtator të vitit 2001, por ka filluar të funksionojë edhe më herët, që nga viti 1999, si Organizatë e Bazuar në Komunitet (CBO) në komunën e Pejës.
Që nga themelimi, motoja e organizatës ka qenë: “Mendo globalisht, vepro lokalisht”, parim të cilit SiV i ka qëndruar vazhdimisht besnik në punën dhe angazhimin e saj.
Vizioni ynë: Organizatë që realizon veprime lokale të bazuara në praktikat më të mira
Misioni ynë: Mbështetja e komunitetit përmes informimit, avokimit, vetëdijesimit dhe ngritjes së kapaciteteve të individëve, grupeve joformale, organizatave, institucioneve, rrjeteve dhe donatorëve.
Vlerat tona: Respektimi i të gjithëve pa dallim, puna në ekip dhe ndihma ndaj njëri tjetrit, hapësira e veprimi për vullnetarët, besimi dhe përgjegjshmëria, qasja bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirja
- Informata të përgjithshme
Në kuadër të programit tematik “Fuqizimi i Fëmijëve për Ndryshim Politikash dhe Pjesëmarrje”, Syri i Vizionit (SiV), në partneritet me Save the Children – Zyra në Kosovë (SCiK), angazhohet në fuqizimin e pjesëmarrjes së fëmijëve në proceset vendimmarrëse, zhvillimin e politikave publike dhe avancimin e mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Në kuadër të angazhimeve për përmirësimin e cilësisë dhe standardizimin e shërbimeve sociale dhe familjare, Syri i Vizionit synon të zhvillojë një Plan të Ofrimit të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, në përputhje me kërkesat e Udhëzimit Administrativ (MPFVLÇ) Nr. 01/2026 për Procedurën e Dhënies, Përsëritjes, Pezullimit dhe Marrjes së Licencës për Ofruesit e Shërbimeve Sociale dhe Familjare. Ky plan do të përcaktojë qartë llojet e shërbimeve, grupet e përfituesve, mënyrën e ofrimit të shërbimeve, kapacitetet organizative dhe mekanizmat për monitorimin dhe sigurimin e cilësisë.
Për realizimin e këtij procesi, Syri i Vizionit do të angazhojë një ekspert/e për hartimin e Planit të Ofrimit të Shërbimeve Sociale dhe Familjare dhe do të zhvillojë një takim konsultativ Departamentin për Politika të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
III. Qëllimi i angazhimit
Qëllimi i këtij angazhimi është hartimi i një Plani të Ofrimit të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, i cili do të shërbejë si një dokument udhëzues për organizimin, planifikimin dhe ofrimin cilësor të shërbimeve sociale nga organizatat ofruese. Dokumenti synon të kontribuojë në standardizimin dhe harmonizimin e praktikave të ofrimit të shërbimeve me kërkesat e Udhëzimit Administrativ (MPFVLÇ) Nr. 01/2026 dhe standardet profesionale në fuqi. Plani të jetë një instrument praktik, i zbatueshëm dhe funksional, i cili mbështet përmbushjen e kërkesave për licencim dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve sociale dhe familjare.
IV Objektivat specifike
Eksperti/ja do të angazhohet për:
- Analizimin e kërkesave të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ (MPFVLÇ) Nr. 01/2026;
- Hartimin e strukturës dhe përmbajtjes së Planit të Ofrimit të Shërbimeve Sociale dhe Familjare;
- Identifikimin e elementeve kryesore të nevojshme për një plan funksional të ofrimit të shërbimeve;
- Përfshirjen e komenteve dhe rekomandimeve të Departamentin për Politika të Shërbimeve Sociale dhe Familjare dhe organizatave SiV dhe SCiK përmes procesit konsultativ;
- Finalizimin e dokumentit në një format të përshtatshëm për përdorim institucional dhe proceset e licencimit.
- Rezultatet e pritshme (Outputs)
Në përfundim të angazhimit pritet të arrihen këto rezultate:
- Është hartuar një Plan i Ofrimit të Shërbimeve Sociale dhe Familjare në përputhje me UA Nr.01/2026;
- Është zhvilluar një proces konsultativ me Departamentin e PShSF-së dhe organizatat SiV dhe SCiK;
- Janë identifikuar elementet kryesore për standardizimin dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve;
- Është përgatitur dokumenti final për përdorim nga Departamentin për Politika të Shërbimeve Sociale dhe Familjare dhe ofruese të shërbimeve sociale.
- Kualifikimi i nevojshëm:
Eksperti/ja duhet të ketë:
- Diplomë universitare në shkenca sociale, juridik, administratë publike, punë sociale ose fusha të ngjashme;
- Përvojë profesionale në hartimin e politikave, planeve dhe dokumenteve strategjike në fushën sociale;
- Njohuri të legjislacionit dhe standardeve për shërbimet sociale dhe familjare në Kosovë;
- Përvojë në punën me institucione publike dhe organizata të shoqërisë civile;
- Aftësi të mira analitike, komunikuese dhe të shkrimit profesional;
- Njohje të gjuhës shqipe dhe angleze.
VII. Detyrat dhe Përgjegjësitë:
Trajneri/ja do të:
- Shqyrtimi i dokumenteve relevante, UA Nr.01/2026 dhe përgatitja e metodologjisë së punës;
- Hartimi i draftit të Planit të Ofrimit të Shërbimeve Sociale dhe Familjare;
- Prezantimi dhe diskutimi i draftit në punëtorinë gjysmë ditore Departamentin e PShSF-së dhe organizatat SiV dhe SCiK;
- Përfshirja e komenteve dhe finalizimi i dokumentit;
- Dorëzojë i dokumentit finale dhe raportin narrativ brenda afateve të dakorduara.
Shkarko dokumentin e plotë: Angazhimi i Eskpertit-es për Planin e Punës