05-09 tetor - Organizata joqeveritare Syri i Vizionit në kuadër të programit “Qytetaria Aktive” ka filluar realizimin e fushatës “Java e Qytetarisë Aktive”, që ka për qëllim aktivizimin e qytetarëve dhe vetëdijesimin e tyre për ndërmarrjen e vetiniciativave për të ndryshuar gjendjen në jetën e vet.
Java e Qytetarisë Aktive do të vazhdojë të zhvillohet në pesë komuna në të cilat impementohet projekti: Peje, Istog, Kline, Deçan dhe Rahovec, duke iu dhënë mundësinë qytetarëve që t’u drejtohen institucioneve me kërkesa, ankesa dhe rekomandime që mblidhen gjatë ditëve të qytetarisë aktive, dhe më pas do t’u dorëzohen kryetarëve të komunave në secilën nga këto komuna ku zhvillohet fushata.
Fushata është duke u realizuar në qendër të këtyre qyteteve duke vendosur nga një tavolinë dhe banerat me moton e fushatës “ Java e Qytetarisë Aktive”, si dhe me një pano të madhe në të cilat qytetarët mund të lënë mesazhe për kryetaret e komunave apo institucionet e tyre. Poashu, ata kanë mundësi që nga aty të bëjnë kërkesa, ankesa drejtuar institucioneve përkatëse për problematikat e tyre, që më pas do të dorëzohen në drejtoritë e caktuara nga gratë asamblistë të cilat janë pjesë e fushatës.
Gjithashtu për të arritur qëllimin e fushatës për vetëdijesimin dhe aktivizimin e qytetareve, është mbajtur radio debati për t’i njoftuar ata për “Javën e Qytetarisë Aktive”, dhe iu është bërë ftesë të jenë me aktivë dhe të ndërmarrin vetiniciativa për problemet e tyre. Në këto radio debate do të informohen qytetarët se si ka shkuar fushata dhe cili nga qytetet ka qenë më aktiv.
Ky projekte ka për qëllim edukimin, sensibilizimin dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve si shembull i mire i qytetarisë aktive dhe rritjes së ndërgjegjes së tyre, i cili realizohet nga OJQ- Syri i Vizionit, në kuadër të programit “Qytetaria Aktive” mbështetur financiarisht nga Olaf Palme Internacional Center dhe SIDA.