Tregut të bletarisë, prodhimit e përpunimit të mjaltit në Pejë iu shtua edhe një biznes i ri i udhëhequr nga një grua prej fshatit Lubeniq. Biznesi i saj “Bletaria Maja” do të merret më prodhimin e eko-mjaltit, qumështit të bletës dhe përpunimin e propolisit duke ofruar kështu produkte cilësore 100% natyrale nga fushat e pasura më florë të fshatit prej ku ajo vjen dhe zonave malore të Rugovës.
“Unë si bletare, tashmë më një biznes të ri, dua ta falënderoj shumë organizatën Syri i Vizionit, e cila me grantet e saja së bashku me organizatën The Balkan Forum dhe Komunën e Istogut e mbështetjen e fondeve e BE-së, jo vetëm që më kanë mundësuar ta hap këtë biznes, por më kanë siguruar edhe mjete profesionale e shumë të nevojshme për prodhimin dhe përpunimin e mjaltit e produkteve tjera,” ka thënë Vjollca Alimehaj, pronare e këtij biznesi.
“Me pajisjet e reja do të fillojë edhe nxjerrjen e produkteve të reja në treg, siç është qumështi i bletës, propolisi dhe përpunimin e shumë produkteve tjera nga dylli. Në të njëjtën kohë do të rris kapacitetin e koshereve, rrjedhimisht do të rris edhe mundësitë e punësimit sezonal për gratë dhe vajzat nga zona ime,” ka shtuar ajo.
Hapja e këtij biznesi nga një grua e cila jeton në Lubeniq do të jetë edhe një shembull suksesi e nxitës për gratë tjera nga zonat rurale.
Biznesi për prodhimin e eko-mjaltit “Bletaria Maja” është themeluar përmes komponentit të granteve për ndërmarrje fillestare (start-up), në kuadër të programit “Fuqizimi dhe punësimi i të rinjve, grave dhe grupeve tjera në nevojë në pesë komuna të Kosovës” i mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian i cili zbatohet nga Syri i Vizionit në partneritet me organizatën The Balkan Forum si dhe Komunën e Istogut, në komunat Pejë, Klinë, Deçan, Junik dhe Istog.
________________