Shkodër- Shqipëri 16 Korrik - Grupi i fëmijëve për monitorimin e Konventës ndërkombëtare mbi të drejtat e fëmijëve nga Kosova, i themeluar nga organizatat joqeveritare Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children Kosova, po merr pjesë në shkollën verore që po mbahet në Razem të Shkodres në Shqipëri. Në këtë shkollë verore po marrin pjesë edhe grupet monitoruese të fëmijëve nga shtetet e rajonit si: Moldavia, Serbia dhe Ukraina. Kjo shkollë verore me fëmijët e shteteve të rajonit për monitorim e të drejtave të fëmijëve, saktësisht Konventës ndërkombëtare mbi të drejtat e tyre, është organizuar nga Save the Children në partneritet me organizatat lokale.
Shkolla verore ka për qëllim shkëmbimin e përvojave të monitorimit nga vetë fëmijët ndërmjet shteteve të ndryshme, ku përpos shkëmbimit të përvojave monitoruese, fëmijët po zhvillojnë edhe aktivitete të ndryshme, siç është forma e debatit të strukturuar “Karl- Poper”, gjithashtu për format e punës së rëndë që bëjnë fëmijët në këto shtete, e që janë të dëmshme për ta, e rëndësi i kanë kushtuar edhe dhunës në familje, njëkohësisht ata janë duke realizuar dhe aktivitete mbi teatrin dhe për artin e fotografisë.
Fëmijët nga Kosova dhe ata nga vendet tjera janë pajtuar se në përgjithësi bëhet shumë pak për ta nga ana e institucioneve, madje edhe nga vetë shoqëria. Sipas tyre, institucionet duhet të bëjnë më shumë për përmirësimin e pozitës së tyre në shoqëri, dhe që ata të jenë pjesë e vendimmarrjes, e të dëgjohet zëri i tyre. Fëmijët janë pajtuar që mungojnë aktivitet që do duhej të organizoheshin për fëmijët, pasi sipas tyre, përpos atyre në shkolla, nuk ofrohen aktivitet ku do të mund të angazhoheshin fëmijët për të shprehur talentin e tyre.
Grupi i fëmijëve për monitorimin e konventës ndërkombëtare mbi të drejtat e fëmijëve që po merr pjesë në shkollën verore është themeluar në kuadër të projektit “Together 4 children rights ”, që Save the Children në partneritet me organizatën “Syri i Vizionit” janë duke e implementuar në Kosovë.
Në shkollën verore të mbajtur nga Save the Children, përpos fëmijëve nga Kosova, Ukraina, Moldova dhe Serbia, po marrin pjesë edhe përfaqësuesit e organizatave partnere nga vendet e ndryshme si: Syri i Vizionit (SIV) - Kosovë, Women's Consortium Ukraine (WCU) - Ukrain, Child Rights Informatio Centre (CRIC) - Moldov dhe Child Rights Centre (CRC) – Serbi.
Në përmbyllje të kësaj shkolle do të nxjerrën rekomandime që kanë të bëjnë me problematika me të cilat ballafaqohen fëmijët dhe se si ata i shohin nga këndvështrimi i tyre, me ç’rast do të nxjerrin edhe raporte, që do t'u dorëzohen qeverive të secilit shtet.
________________