Prishtinë 26 tetor- Organizata Joqeveritare “Syri i Vizionit” ka mbajtur trajnim për monitorimin e të drejtave të fëmijëve në kuadër të projektit “Child Rights Governance- CRC Monitoring (Qeverisja dhe të Drejtat e Fëmijës-Monitorimi i Konventës së Drejtave të fëmijëve) me nxënësit e shkollave fillore “Naim Frashëri” nga Prishtina, “Ramiz Sadiku” nga Peja dhe “Zekeria Rexha” nga Gjakova.
Qëllimi i këtij trajnimi me grupin e fëmijëve të secilës shkollë është fuqizimi dhe përgatitja e tyre në fushën e monitorimit të të drejtave të tyre, ku përmes pyetësorëve këta nxënës do të bëjnë hulumtim në tri fusha, “E drejta për edukim”, “Ngacmimet” dhe Diskriminimi (diskriminimi social)”.
Këta nxënës pas përfundimit të trajnimeve më mbështetje të stafit të organizatës Syri i Vizionit do të fillojnë hulumtimin në terren përmes pyetësorëve ku do të intervistohen fëmijët në këto tri shkolla, prindërit e tyre si dhe institucionet përgjegjëse në këto tri komuna Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë.
Këto trajnime janë pjesë e programit “Child Rights Governance- CRC Monitoring” (Qeverisja dhe të drejtat e fëmijës-Monitorimi i Konventës së Drejtave të fëmijëve), që është duke u implementuar nga Organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” nga Peja, mbështetur nga Save the Children International dhe SIDA.
Projekti është pilot projekt në fushën e monitorimit dhe implementohet në tri shkolla fillore në tri komuna të Kosovës : “Naim Frashëri” në Prishtina, “Ramiz Sadiku” në Pejë dhe “Zekeria Rexha” në Gjakovë.