Rahovec, 29 gusht – U mbajt takimi “Prezantimi i prioriteteve të këshillave lokalë”, që u organizua në kuadër të projektit për fuqizimin e Qytetarisë Aktive në Kosovë.
Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i prioriteteve të këshillave lokalë dhe përfshirja e këtyre prioriteteve në planet e punës apo në prioritet e komunës për vitin 2016 dhe 2017.
Në këtë takim gjatë prezantimit të prioriteteve të këshillave lokalë janë paraqitur pakënaqësitë e përfaqësuesve të komunitetit në realizimin e nevojave të tyre, e sidomos në realizimin e punëve të kompanive kontraktuese nga komuna për të realizuar projektet. Sipas komunitetit kompanitë e kontraktuara nga komuna për realizimin e projekteve nuk kryejnë punën ashtu siç duhet, ato nuk inspektohen nga organet kompetente, dhe pothuaj gjithnjë kompanitë nuk u përmbahen kritereve të parapara për realizimin e punëve dhe nuk e përfundojnë dhe sistemojnë mirë hapësirën ku janë kryer e punimet.
Zyrtaret komunal kanë motivuar kryetarët e këshillave që të jenë pjesë e dëgjimeve publike dhe të bëjnë kërkesa më shumë drejtuar institucioneve.
Pjesëmarrës në takim ishin kryetarët e këshillave lokale, kryesuesi i asamblesë dhe zyrtarët e drejtorive komunale.
Takimi është organizuar në kuadër të projektit “Qytetaria Aktive”, që ka për qëllim zhvillimin e qytetarisë aktive në Kosovë, i cili është duke u realizuar tash e sa vite në rajonin e Pejës dhe Prizrenit nga OJQ “Syri i Vizionit” mbështetur nga organizata Olof Palme International Center.
________________