25-27 nëntor, Bogë -Pejë: Organizata joqeveritare Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children në Kosovë si dhe në bashkëpunim me Drejtoritë e Arsimit nga komunat e Gjilanit e Klinës, kanë hartuar draft regulloret komunale për kutinë e ankesave në istitucionet parauniversitare në këto dy komuna.
Kjo rregullore ka për qëllim fuqizimin e mekanizmave mbrojtës të nxënësve përmes adresimit të shqetësimeve apo ankesave, si dhe krijimin e një ambienti miqësor e të sigurt për ta në institucionet e arsimit parauniversitar në këto dy komuna.
Me dispozitat e kësaj rregulloreje përcaktohet: vendosja e kutive, formimi i komisionit për hapjen e kutive të ankesave, pranimi i sugjerimeve, rekomandimeve dhe komenteve që kanë të bëjnë me adresimin e çështjeve në institucionet e arsimit parauniversitar duke u bazuar në rregullativën ligjore në fuqi.
Pas miratimit të kësaj rregullore, institucionet e arsimit parauniversitar në këto dy komuna duhet të trajtojnë ankesat me mirëkuptim dhe kompetencë dhe të sigurojnë përgjigje brenda një afati kohor të caktuar me këtë rregullore. Ankesat, kërkesat, kritikat dhe çështjet tjera të cilat adresohen përmes kutisë do të ndihmojnë që këto institucione arsimore të përmirësohen.
Në hartimin e draft rregulloreve kanë marrë pjesë grupet punuese të krijuara nga DKA-të në Klinë dhe Gjilan, të përbëra nga Drejtoria e Arsimit, Zyra Ligjore, përfaqësues të prindërve, shkollave si dhe Policia e Kosovës.
Këto draft rregullore pritet që para vitit të ri të procedohen nga DKA-të për nënshtrimin e procedurave të duhura për miratim nga ana e Kuvendeve Komunale dhe besohet që ato do të hyjnë në fuqi para përfundimit të vitit shkollor 2019/2020.
OJQ Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children në Kosovë do të ndihmojnë këto dy komuna jo vetëm deri në miratimin e tyre, por edhe në zbatim duke krijuar kështu ambientetë rehatshme, miqësore e të sigurta për fëmijët në shkolla. E gjithë kjo punë pobëhët në kuadër të projektit “Së bashku për të drejtat e fëmijëve”, i cili po zbatohet tash e disa vite në komunat - Pejë, Klinë, Gjakovë, Prizren, Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj.
________________