Pejë, 09 korrik - Syri i vizionit si pjesë e iniciativës të nisur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe partnerët e saj të shoqërisë civile, është bashkëngjitur fushatës për liberalizimin e vizave të filluar në prill të këtij viti, me letrën dërguar Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit, Komisionarit Johannes Hahn dhe Komisionarit Dimitris Avramopoulos.
Me këtë fushatë, organizatat e shoqërisë civile i drejtohen autoriteteve të Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Kosovës. Fushata përmban vendosjen e posterave në aeroport të Prishtinës si dhe në media sociale, një film dokumentar që do të jetë i gatshëm në gusht të këtij viti, si dhe një peticion qytetar drejtuar akterëve kryesorë të izolimit të vendit, Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës.
Syri i Vizionit do të jetë përgjegjës për mbarëvajtjen e fushatës në rajonin e Pejës, në të cilën përfshihen nënshkrimi i peticionit nga qytetarët në pesë komunat e rajonit, shpërndarjen e materialeve promovuese, fushatën medialë në nivel lokal dhe koordinim me qytetarë dhe akterë lokalë.
Një nga aktivitetet e kësaj fushate është adresimi përmes postës me anë të kartolinave përfaqësuesit të zyrës së BE në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe ministrit për integrime evropianë Bekim Çollaku nga ana e qytetarëve, të cilët do shkruajnë mesazhet dhe kërkesat e tyre në raport me nevojën e legalizimit të vizave për Kosovën.
Teksti i peticioni, që pritet të nënshkruhet nga qytetarët do të jetë ky:
\"Ne qytetarët e nënshkruar në këtë peticion jemi të bindur se izolimi i Kosovës i imponuar me viza Shenghen, tashmë ka filluar t\'i ndikojë negativisht të gjitha lëvizjet në shoqëri, dhe të le gjurmë të pakthyeshme në proceset zhvillimore që aq shumë na duhen. Kufizimi i lëvizjes së lirë, i vendeve Evropiane brenda Europës, është një paradoks i kohës, sidomos sot, kur globalizimi e ka përfshirë çdo skutë të jetës, dhe e pamundëson zhvillimin normal atëherë kur nuk ka liri të lëvizjes.
Kërkojmë nga autoritetet e Bashkimit Evropian, si dhe nga Qeveria e Kosovës që sa më parë t\'i krijojnë kushtet për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. BE-ja duhet të na trajtojë ashtu si i ka trajtuar vendet tjera në rajon, ndërsa qeveritarët tanë duhet t\'i plotësojnë kriteret e vendosura me më shumë vullnet dhe vendosshmëri.
Nëse duam më shumë zhvillim ekonomik, edukim cilësor, shëndet publik, këmbim kulturor dhe sportiv, e sidomos nëse duam më pak Kosovar që duan të migrojnë, atëherë jemi të bindur se duhet liberalizuar vizat Shengen sa më parë!\"
Nënshkrimi i peticionit në rajonin e Pejës do të organizohet nga Syri i vizionit përmes ekipeve mobile dhe në tavolinat që do vendosen në qendrat e qyteteve Pejë, Istog, Klinë, Deçan dhe Junik, duke filluar nga data 14 korrik 2015.
Presim angazhim dhe sensibilizim nga të gjithë qytetarët dhe i ftojmë që të jenë sa më aktivë në shkrimin e kartolinave dhe për të rritur sa më shumë numrin e nënshkrimeve në këtë peticion.
________________