Sot, më 30.08.2024, Syri i Vizionit përfundoi me sukses punëtorinë tre-ditore në Qendrën e Qëndrimit Ditor për të Moshuarit në komunën e Pejës.
Gjatë këtyre tre ditëve, gratë dhe burrat e moshuar patën mundësinë të mësojnë se si të përdorin internetin, të qasen në Google, të shfrytëzojnë platformën E-Kosova, të angazhohen në rrjetet sociale dhe të eksplorojnë shumë mjete të tjera dixhitale. Po ashtu gjatë kësaj punëtorie janë ofruar sqarime për shërbimet bankare dhe përdorimin e bankomatit.
Ky aktivitet ishte një hap i rëndësishëm për të mbështetur integrimin e të moshuarve në epokën dixhitale dhe për t’i ndihmuar ata të ndihen më të lidhur dhe më të përfshirë në komunitet.
Punëtoria u organizua nga Syri i Vizionit, në kuadër të programit "Ndërtimi i komuniteteve miqësore për të moshuarit nëpërmjet veprimit ndër breza në Kosovë - AGE+", dhe u financua nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).
________________