Istog, 01 korrik - Në kuadër të projektit SIMRAES II, Syrii Vizionit ka mbajtur takime me prindërit e dy lokaliteteve të qendrave mësimore në Serbobran e Gurrakoc lidhur me realizimin e fushatës “Regjistrimi i fëmijëve në shkollë”.
Takimet kishin për qëllim ngritjen e vetëdijes sëkomuniteteve rome, egjiptiane dhe ashkali për rëndësinë e regjistrimit të fëmijëve të tyre në shkollë dhe ndjekjen e mësimit të rregullt.
Veç informatave të rëndësishme për domosdonë eregjistrimit e fëmijëve në shkollë, afatin kohor dhe dokumentet e nevojshme, prindërve pjesëmarrës në takim iu ofrua ndihmë teknike nga personeli i projektit edhe në procesin e regjistrimit të fëmijëve në shkollë si dhe sigurimin e dokumenteve.
Me këta prindër po ashtu u diskutua rëndësia dhe përkrahja e qendrave mësimore me programin “Ndihmë në detyra të shtëpisë”, ku edhe u njoftuan me suksesin përfundimtar dhe të arriturat e fëmijëve.
Në takime të tilla nuk mund të shmangen bisedat të cilat lidhen me vështirësitë sociale e ekonomike të tyre, që ua bëjnë atyre edhe përkushtimin për vijueshmërinë e fëmijëve në shkollë më të vështirë.
Këto takime me prindër u organizuan në kuadër të projektit të mbështetur nga Bashkimi Evropian “Përkrahja e BE-së për zbatimin e Strategjisë për Integrimin e Komuniteteve Rome, Ashkali dhe Egjiptiane 2 - Arsim për Integrim (i quajtur EU SIMRAES II)”, i cili zbatohet nga KFOS në partneritet me shtatë organizata partnere, ndër të cilat edhe Syri i Vizionit e KEC në komunën e Istogut.
________________