mendo globalisht,
vepro lokalisht

Drejtorët e shkollave fillore diskutojnë për orientimin në karrierë

Pejë, 10 dhjetor- Në kuadër të projektit “Mismatch” është mbajtur një takim me drejtorët e shkollave të mesme të ulëta në Komunën e Pejës kushtuar lëndës së orientimit në karrierë. Me drejtorët nga 26 shkolla dhe zyrtarët nga Drejtoria e Arsimit është diskutuar për gjendjen e zbatimit të kësaj lënde dhe format e mundshme të fillimit të zbatimit të saj. Pjesëmarrësit në takim kanë thënë se orientimi në karrierë është futur së fundmi në arsimin kosovar me disa pilot shkolla, nga të cilat në Pejë është vetëm shkolla “Asdreni” që e ka futur në zbatim. Drejtorët e shkollave kanë thënë se ka disa vështirësi në fillimin e zbatimit të saj, që kanë të bëjnë me mungesën e kuadrit, kualifikimin e kuadrit, mungesën e materialeve mësimore, teksteve, etj. është diskutuar edhe mundësia e organizimit të trajnimeve për stafin nëpër shkollat fillore të Komunës në mënyrë që prej vitit tjetër të fillojë aplikimi orientimit në karrierë, pasi ajo i ndihmon nxënësit në drejtim të përcaktimit drejt shkollave profesionale dhe informimin me kohë për përparësitë dhe mangësitë e profesioneve të caktuara në raport me tregun dhe aftësitë e tyre personale.
Projekti “Mismatch” që është duke u realizuar në Pejë nga organizata Syri i Vizionit me mbështetje nga Solidar Suisse, ka për qëllim të ndihmojë në përshtatjen e shkollave me tregun e punës dhe me krijimin e raporteve të qëndrueshme mes shkollave dhe biznesit, që është e rëndësishme për krijimin e kuadrove që do gjenden më mirë në tregun e punës në Kosovë.

________________

Skip to content