mendo globalisht,
vepro lokalisht

Projektet e vitit 2014

Gjatë vitit 2014 organizata Syri i Vizionit ka luajtur një rol aktiv në nivel lokal e nacional dhe ka qenë një akter aktiv edhe në nismat e shoqërisë civile në nivel të shteteve të rajonit. Projektet në të cilat wshtë përfshirë kanë qenë vazhdimësi i atyre të viteve të kaluara dhe thellim më tej në problemet e qytetarëve dhe komuniteteve. Organizata u ka shërbyer qytetarëve në parashtrimin e kërkesave të tyre, në adresim drejt institucioneve përkatëse, përkatësisht duke ndërtuar urat e komunikimit dhe bashkëpunimit mes qytetarit dhe institucionit.

Në proces zbatimi kanë qenë gjatë vitit rreth 15 projekte më të mëdha, në të cilat janë angazhuar një staf deri në 20 persona, të ndihmuar nga anëtarët e organizatës Syri i vizionit dhe vullnetarët, si pjesë e rëndësishme e funksionimit të organizatës.

Organizata donatore dhe partnerë kanë vazhduar të mbështesin punën tonë, ndërsa gjatë vitit janë shtuar bashkëpunimet dhe janë hartuar projekte që kanë hapur mundësi të reja për organzaitën dhe qytetarët, që përfitojnë direkt nga këto projekte. Dy projekte të filluara nga vitit 2013 me financim nga Komisioni Evropian janë vazhduar edhe gjatë tërë vitit 2014, konkretisht angazhimi në rrjetin antikorrupsion SELDI të shteteve të Evropës Juglindore për qeverisje të mirë dhe monitorim, si dhe projekti në nivel të Kosovës bashkë me IADK mbi fuqizimin e shoqërisë civile mbi politikëbërjen dhe konsultim me qeverinë në sektorin e bujqësisë.

Në vazhdimësi gjatë vitit janë zhvilluar edhe dy projektet mbi monitorimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve që mbështeten financiarisht nga Save the children, duke u fokusuar në fuqizimin e vet fëmijëve në monitorimin dhe raportimin të drejtave të tyre, por me mbështetje të vazhdueshme nga organizata. Në partneritetin shumëvjeçarë me Olaf Palme International Center projekti i qytetarisë aktive ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e komuniteteve të margjinalizuara në disa komuna të Kosovës.

Bashkëpunimi i vazhdueshëm me Solidar Suisse gjatë vitit është vazhduar me dy projektet që kanë mbështetjen financiare nga Solidar, projekti mbi dialogun social në sektorin e qumështit, përkatësisht mbështetjes për organizatat fermere , si dhe me projektin “Mismatch”, që mbështet përshtatjen e shkollave të Pejës me tregun e punës, rritjen e bashkëpunimit me shkollës dhe bizneseve dhe përmirësimin e praktikës profesionale. Me Solidar Suisse gjatë vitit ka filluar një tjetër partneritet bashkë edhe me Volkshilfe nga Austria në një projekt të ri trevjeçar me mbështetje nga ADA për përkrahje të arsimit profesional në sektorin e hotelerisë dhe turizmit, që implementohet në Pejë, Gjakovë e Prizren.

Gjatë vitit 2014 kanë filluar edhe dy projekte tjera të rëndësishme, që kanë të bëjnë me sektorin e drejtësisë dhe funksionimit të ligjit në Kosovë. Projekti për përmbushja e kërkesave të BE-së për qeverisje të mirë, për integrimin e mëtejshëm Evropian të Kosovës, implementohet në partneritet me Kipred dhe financohet nga Komisioni evropian. Ai ka për qëllim monitorimin e gjashtë fushave të zbatimit të ligjit në Kosovë. Projekti “Mbroje pronën tënde” është fokusuar në fushatat e vetëdijesimin mbi zbatimin e ligjit, posaçërisht në çështjet e pronësisë dhe trashëgimisë dhe financiohet nga USIAD/ATRC.

Me mbështetje nga UNDP gjatë vitit është realizuar një mini projekt për ngritja e pozitës së gruas në proceset e paqe-bërjes dhe paqe-ruajtjes, kurse me financim nga “Ernst Basler + Partner” është implmentuar projekti “Studimi i fizibilitetit për trajtimin e ujërave të zeza në Pejë”.
Në sektorin e mjedisit janë zhvilluar edhe dy projekte tjera: vazhdimi i aktiviteteve vetëdijesuese të “Ditës së Drinit”, e filluar një vit më herët dhe mbështetja si pjesë e fushatës për pastrimin e qytetit të Pejës.

Viti 2014 ka qenë një vit zgjedhor në Kosovë, ndërsa Syri i Vizionit si pjesë e koalicionit të OJQ-ve “Demokracia në veprim” ka bërë monitorimin e fushatës zgjedhore në gjashtë komuna të rajonit të Pejës dhe Gjakovës.

Në funksionimin e brendshëm të organizatës gjatë vitit Syri i Vizionit është konsoliduar edhe më tej në krijimin enjë strukture sa më efikase, që plotëson edhe nevojat e anëtarësisë së vet. Është bërë modeli i ri riorganizimit të anëtarësisë dhe vullnetarëve, që tani kanë një rol shumë më aktiv si pjesë e organizatës. Është mbajtur edhe një mbajtur kuvendi i anëtarëve dhe hartimi i strategjisë së re tre vjeçare.

Ngritja e pozitës së gruas në proceset e paqe-bërjes dhe paqe-ruajtjes
Titulli i Projektit: “Ngritja e pozitës së gruas në proceset e paqe-bërjes dhe paqe-ruajtjes”

Kohëzgjatja: 3 muaj (Mars 2014 – Maj 2014)

Vendi: Pejë

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit

Buxheti: 1.060 euro

Donatori: UNDP

Qëllimi i projektit: Projekti ka për qëllim ngritjen e participimit të gruas gjatë proceseve të ndërtimit të paqes dhe të planifikimit pas konflikteve.

Përfituesit: Përfituesit e këtij projekti kanë qenë gratë, grupet e organizuara të shoqërisë civile dhe institucionet, ndërsa përfitues kanë qenë edhe institucionet dhe të gjithë qytetarët aktivë në proceset vendimmarrëse në komunën e Pejës.

Realizimi i projektit: Janë realizuar trajnime për ngritjen e kapaciteteve të drejtorëve të drejtorive të komunës së Pejës, për fuqizimin e drejtorëve në avokim dhe lobim më të mirë rreth buxhetimit gjinor dhe pjesëmarrjes së gruas në politikë bërje. Gjithashtu janë realizuar dhe punëtori për hartimin e planit dhe strategjisë së veprimit për buxhetimin gjinor me pjesëmarrje, njëkohësisht janë realizuar dhe tryeza me institucione, shoqërinë civile dhe mediat. Njëkohësisht janë realizuar dhe takime me secilën nga drejtoritë për të prezantuar strategjinë dhe planin e veprimi për përfshirjen dhe inkorporimin e buxhetimit gjinor.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Realizmi i tri tryezave me grupin e grave, burrave dhe të rinjve

• Nxjerrja e rekomandimeve nga të tri tryezat dhe adresimi i tyre në institucione

• Realizimi i trajnimeve për ngritjen e kapaciteteve dhe vetëdijesimin e drejtorëve për rëndësinë e buxhetimit gjinor.

• Hartimi i tri raporteve të ndara mbi rolin dhe gatishmërinë e femrës për përfshirje në mekanizmat ekzistuese mbi ndërtimin e paqes.

"Demokracia në Veprim" – Zgjedhjet qendrore 2014
Titulli i Projektit: "Demokracia në Veprim" – Zgjedhjet qendrore 2014

Kohëzgjatja: 5 muaj (gusht- dhjetor 2013)

Vendi: Rajoni i Pejës (Pejë, Gjakovë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik)

Organizata(t) zbatuese: "Syri i Vizionit" në kuadër të koalicionit "Demokracia në veprim"

Buxheti: € 27,772.20 € përmes Syri i Vizionit, (buxheti tjetër është realizuar përmes KDI)

Donatori: USAID, Ambasada e Norvegjisë

Qëllimi i projektit: "Demokracia në Veprim" është themeluar me qëllim të monitorimit të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të organizuara në nëntor të vitit 2007 si dhe me qëllim të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje. Përveç organizatës "Syri i Vizionit" pjesë e koalicionit "Demokracia në Veprim - Zgjedhjet 2013" janë 10 organizata joqeveritare kosovare

Përfituesit: Përfituesit e drejtpërdrejt (direkt) janë e tërë popullata e Kosovës. Në veçanti, një numër i njerëzve që janë përfshirë në proces si monitorues mujor dhe ditor kanë përfituar nga trajnimet mbi procesin dhe sistemin zgjedhor në Kosovë. Gjithashtu, nga fushatat për edukimin e votuesve kanë përfituar të gjithë votuesit në përgjithësi, ndërsa në veçanti ata të pavendosurit.

Realizimi i projektit: Aktivitetet përfshijnë monitorimin e tërësishëm të procesit zgjedhor: monitorimin e fushatës njëmujore të partive, ditës së zgjedhjeve, votimit dhe numërimit të votave në ditën e zgjedhjeve qendrore.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Monitorimi i qindra aktiviteteve zgjedhore gjatë periudhës së fushatës;

• Mbajtja e konferencave të shtypit me raportet për problemet dhe parregullsitë që janë hasur gjatë monitorimit,

• Monitorimi i ditës së zgjedhjeve, votimit dhe numërimit të votave në gjashtë komuna; balotazhi në katër komuna të rajonit

• Angazhimi i vëzhguesve afatgjatë (LTO) për një periudhën para zgjidhjeve;

• Angazhimi i mbi 350 vëzhguesve afatshkurtër (STO) në ditën e zgjedhjeve;

• Organizimi dhe mbajtja e mbi 50 trajnimeve për STO për një periudhë 10 ditore;

Dialogu social në sektorin e qumështit
Titulli i Projektit: Dialogu social në sektorin e qumështit

Kohëzgjatja: 12 muaj ( janar 2014 – dhjetor 2014)

Vendi: Kosovë

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit në partneritet me Solidar Suisse

Buxheti: 13,600 €

Donatori: Solidar Suisse

Qëllimi i projektit: Ky projekt kishte për qëllim fuqizimin e prodhuesve dhe përpunuesve në sektorin e qumështit: zyrtarëve të tyre gjatë marrjes së mostrave të qumështit, administratës së projektit, transparencë dhe neutralitet gjatë marrjes së mostrave të qumështit nga ana e Shoqatës së prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit.

Përfituesit: Përfitues direkt janë shoqatat e përpunuesve dhe prodhuesve të qumështit, administrata dhe projekt oficeret që janë të kyçur direkt në realizmin e projektit fermerët dhe konsumatorët e produkteve të qumështit.

Realizimi i projektit: Në këtë projekt Shoqata e prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit, SiV gjatë vitit 2014 ka pasur përgjegjësinë e ofrimit të ndihmës punëtorëve të projektit në përpunimin e databazës së fermerëve, ofrimin e statistikave si dhe monitorimin e projekt oficerëve në terren gjatë marrjes së mostrave. Gjatë gjithë kësaj periudhe një vjeçare, SiV ka dalë në terren me projekt oficerët për të shikuar problemet me të cilat përballen këta gjatë mbledhjes së mostrave si dhe njëkohësisht ka marrë mendimet e fermerëve për sfidat me të cilat ballafaqohen ata, mendimi i tyre rreth marrjes së mostrave dhe rezultatet për mostrat e qumështit.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Rregullimi i listës së fermerëve dhe përpunimi i bazës së të dhënave

• Monitorimi i projekt oficerëve

• Raportimi i të dalave nga hulumtimi

• Raportimi i të dalave nga hulumtimi

“Mismatch” (4)
Emri i projektit: “Mismatch” (4)

Kohëzgjatja: 11 muaj (shkurt 2014 – dhjetor 2014)

Vendi: Pejë

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit

Buxheti: 12,405.00 €

Donatori: Solidar Suisse

Qëllimi i projektit: Përmirësimi i kualitetit të praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të mesme të hotelerisë dhe turizmit në Pejë, ngritja e vetëdijes së nxënësve për sistemin e arsimit në Kosovë dhe këshillim/orientim në karrierë Përfituesit: përfitues direkt të projektit janë nxënësit e shkollës së mesme të hotelerisë, shkolla e mesme ekonomike bizneset e në sektorin e hotelerisë dhe turizmit. Përfitues është edhe komuna e Pejës përmes drejtorisë komunale të arsimit, konkretisht rreth 20 mësues të akredituar për këshillim në karrierë në poaq shkolla. Realizimi i projektit: Projekti është realizuar në bashkëpunim me Shkollën e mesme ekonomike “Ali Hadri” të Pejës, konkretisht në drejtimet hoteleri e turizëm. Në bashkëpunim me shkollën, komunën, zyrën rajonale të arsimit, bizneset dhe shoqërinë civile është krijuar një grup koordinues që ka trajtuar çështjet e praktikës profesionale për nxënësit në këto dy drejtime, rritjen e bashkëpunimit mes shkollës dhe bizneseve, etj. Janë nënshkruar rreth 35 kontrata me shkollës me bizneset e Pejës për praktikë profesionale. Janë trajnuar stafi dhe për herë të parë ka filluar të aplikohet orientimi në karrierë në 15 shkolla të komunës së Pejës.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Koordinimi i akterëve komunë-shkollë-biznese lidhur me praktikën profesionale

• Takimet me përfaqësuesit e biznesit në Pejë, nënshkrimi i 35 kontratave mes bizneseve dhe shkollës ekonomike për praktikën profesionale

• Trajnimi dhe licencimi për orientim në karrierë

• Aplikimi i orientimit në karrierë në shkollat e Pejës

• Këmbimi i përvojave me shkollat tjera të mesme

“Mbroje pronën tënde”
Emri i projektit: “Mbroje pronën tënde”

Kohëzgjatja: 8 muaj (tetor 2014 – qershor 2015)

Vendi: Pejë, Istog, Klinë, Deçan

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit

Buxheti: 22,044.00 $

Donatori: USAID/ATRC

Qëllimi i projektit: Projekti ka për qëllim të ngritë vetëdijen e qytetarëve mbi rëndësinë e zgjidhjes së çështjeve të pronës, si në kuptim të bartjes së trashëgimisë tek trashëguesit përkatës të saj, ashtu edhe në raportet me ndërrimin e pronarëve, duke e shoqëruar me dokumentacionin e duhur, duke u fokusuar kryesisht në zonat rurale dhe aty ku mungon vetëdija dhe praktikat e tilla.

Përfituesit: Përfitues të projektit janë institucionet dhe qytetarët e komunave Pejë, Klinë, Deçan dhe Istog, që gjatë zhvillimit kanë marrë gjithë informimin e duhur lidhur me problemet që i kanë ata me pronën, mënyrat e zgjidhjes së këtyre problemeve që lidhen me trashëgiminë, bazën ligjore dhe rrugët që duhet ndjekur. Institucionet kanë pasur mundësi të shtrijnë komunikimin me qytetarët dhe përmirësojnë bashkëpunimin mes tyre.

Realizimi i projektit: Në katër komuna të Kosovës janë mbajtur takime me qytetarët, me përfaqësuesit e qytetarëve nëpër fshatra e lagje. Përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe pushtetit lokal nga Gjykatat, prokuroria, komuna, shërbimi noterial, avokatët dhe institucione tjera, që merren me çështjet e pronësisë, u janë përgjigjur pyetjeve të qytetarëve dhe iu kanë adresuar atyre kërkesat e tyre për zgjidhjen e çështjeve pronësore, përmirësimin e procedurave, etj.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Takime mes përfaqësuesve të institucioneve me liderët e bashkësive lokale në komunat Pejë, Klinë, Deçan dhe Istog

• Tubime publike me komunitetin në komunat Pejë, Klinë, Deçan dhe Istog

• Tryeza të rrumbullakëta me ekspertët dhe institucionet në komunat Pejë, Klinë, Deçan dhe Istog

• Radio debate në Radio Peja dhe Radio Fontana

• Përgatitja dhe shpërndarja e Fletëpalosjeve mbi ligjet e pronës dhe me thirrjet për zgjidhjen e pronësive

• Një fletëpalosje për funksionimin e Gjykatës së Pejës

• 5 spote publicitare në Radio Dukagjini

Together 4 Children Rights- CRC Monitoring
Titulli i Projektit: “Together 4 Children Rights- CRC Monitoring”

Kohëzgjatja: 11 muaj (shkurt 2014 – dhjetor 2014)

Vendi: Gjithë Kosovën

Buxheti: 33,608 €

Donatori: Save the Children

Qëllimi i projektit: Zhvillimi i kapaciteteve të fëmijëve për të raportuar për të drejtat e tyre dhe të vetëdijesojë institucionet, prindërit, këshillat e shkollave fillore si dhe të gjitha mekanizmat e krijuara për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, për situatën e respektimit të drejtave të fëmijëve në Kosovë duke u bazuar në Konventën ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve (KNDF). Përfituesit: Projekti i monitorimit të zbatimit të KNDF ka mbuluar tërë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë kështu 37 komuna të Kosovës apo 1,467 vendbanime. Realizimi i projektit: Është krijuar grupi i 24 fëmijëve (ROR –“Respect Our Rights”) që kanë aftësi dhe kapacitete për të monitoruar zbatimin e KNDF nga vet ata, konkretisht në dy fusha: E drejta në arsimim dhe e drejta në vendimmarrje duke dalë për herë të parë në Kosovë me një raport monitorues mbi zbatimin e KNDF në këto fusha përmes mekanizmave të rinj në fushën e monitorimit të zbatimit konventës ndërkombëtare në Kosovë. Projekti i bën fëmijët akter aktivë dhe rrit rolin dhe zërin e tyre në monitorim, për të drejtat që ju garantohen jo vetëm me legjislacion vendor por edhe me konventat ndërkombëtare. Raporti i publikuar mbi situatën aktuale në këto fusha del nga hulumtimi që bëjnë vet fëmijët, ndikon drejtpërdrejtë në politikat e institucioneve dhe i bën fëmijët pjesëmarrës në vendimmarrje, duke ofruar sugjerime dhe rekomandime për institucione se çfarë duhet bërë institucionet qeveritare dhe lokale, që të përmirësohet situata e të drejtave të fëmijëve.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Publikimi i raporteve me të gjeturat e monitorimit nga viti i kaluar në Pejë dhe Gjakovë,

• Konkursi dhe përzgjedhja e 24 fëmijëve nga gjitha komunat e Kosovës të interesuar për të qenë pjesë e grupit të monitorimit ROR,

• Trajnimet grupit ROR për funksionimin, monitorim, raportimin etj, takimet e përbashkëta, një punëtori për përpilimin e pyetësorëve dhe metodologjisë e monitorimit

• Krijimi dhe menaxhimi i ueb sajtit www.ror-rks.net

• Pjesëmarrja në shkollën verore në Shqipëri më fëmijë nga shtetet e rajonit.

• Përzgjedhja e 6 komunave për monitorim: Prishtina, Mitrovica,Gjakova, Vushtrria, Deçani dhe Dragashi. Takimet me drejtorët e Drejtorive të Arsimit në këto komuna dhe nënshkrimi i memorandumeve të bashkëpunimit me ta.

• Realizimi i pyetësorëve në 14 shkolla, 5 të mesme dhe 9 fillore në 6 gjashtë komunat

• Konferenca Nacionale për Publikimin e Raportit të monitorimit “Realiteti Ynë”

• Realizimi i programit në TV Dukagjin me rastin e publikimit të raportit.

Së bashku për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve
Emri i projektit: “Së bashku për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve”,

Kohëzgjatja: 12 muaj ( janar 2014 – dhjetor 2014)

Vendi: Pejë, Gjakovë, Ferizaj, Prishtinë dhe Mitrovicë

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit

Buxheti: 53, 668.20€

Donatori: Save the Children

Qëllimi i projektit: Përmirësimi i pozitës së të drejtave të fëmijës në Kosovë, forcimi i organizatave të fëmijëve në shkolla dhe jashtë tyre, rritja e ndikimit të tyre në zbatimin e të drejtave të fëmijëve; mbështetja dhe zhvillimi i politikave për mbrojtjen e fëmijëve në përputhje me Konventën ndërkobëtare për të Drejtat e Fëmijëve (KNDF) dhe standardeve të BE-së.

Përfituesit: Përfitues janë shkollat: “Ramiz Sadiku” e “Xhemail Kada” Pejë, “Zekeria Rexha” e “Mustafa Bakija” Gjakovë, “Jeronim de Rada” e “Tefik Çanga” Ferizaj, “Andon Zako Çajupi” e “Bedri Gjinaj” Mitrovicë, “Naim Frasheri” dhe “Ismail Qemali” në Prishtinë, që kanë ndjekur trajnimet për mbrojtjen nga dhuna dhe ngacmimet në shkolla, hartimin e strategjive për funksionalizim të mekanizmave mbrojtjes në shkolla. Kanë përfituar Institucioni i Avokatit të Popullit, drejtoritë e arsimit nëpër komuna, Qendra për Punë Sociale, Policia e Kosovës, Ministria e Arsimit, etj.

Realizimi i projektit: Në pesë komuna të Kosovës është punuar direkt me këshillat e shkollës në hartimin e kodeve të mirësjelljes dhe në krijimin dhe fuqizimin e mekanizmave për mbrojtje të të drejtave të fëmijëve në shkollë, promovimin e të drejtave të fëmijëve, parandalimin e dhunës dhe ngacmimeve dhe në vetëdijesimin e publikut.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Hartimi dhe vendosja e kodit të mirësjelljes në dy shkolla të mesme të ulëta

• Fuqizimi i kutive të ankesave në tetë shkolla për adresimin e pakënaqësive të fëmijëve

• Trajnimi i mbi 500 fëmijëve në parandalim dhe adresim të dhunës dhe ngacmimeve në shkolla

• Mbi 1000 fëmijë janë informuar me punën e mekanizmave për të drejtat e tyre që veprojnë në nivel lokal në vizita dhe takime me këto institucione.

• Pesë tryeza të rrumbullakëta në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë dhe Ferizaj me të gjithë akterët me temën: Siguria dhe respektimi i të drejtave të fëmijëve në shkolla dhe nevojat për plotësim ndryshim të legjislacionet si dhe hartimin e ligjeve të reja

• Nga një trajnim me këshillat drejtues të shkollave në Prishtinë për hartimin e strategjisë për krijimin dhe funksionalizimin e mekanizmave për të drejtat e fëmijëve brenda shkollës.

• Debate në Radio Dukagjini dhe Radio Kosova, një emision në RTV21 për të drejtat e fëmijëve

• Ligjërata në kuadër të ditës ndërkombëtare të KNDF nga vetë fëmijët në secilën shkollë.

• Krijimi i grupeve të trajnerëve nga 7 fëmijë në secilën shkollë që ligjërojnë për KNDF.

• Hulumtime nga vetë fëmijët në shkolla lidhur sigurinë e fëmijëve në shkolla.

• Organizmi i “Javës Kundër Dhunës ndaj Fëmijëve” në Kosovë, në kuadër të së cilës janë realizuar dhe shfaqur një shfaqje teatrale në Pejë dhe Mitrovicë, një konferencë për media, një konferencë nacionale më të gjithë akterët, disa emisione në TV dhe radiot lokale dhe nacionale që kanë pasur për qëllim sensibilizimin e shoqërisë për më shumë vëmendje ndaj dhunës

Studimi i fizibilitetit për trajtimin e ujërave të zeza në Pejë
Titulli i Projektit: “Studimi i fizibilitetit për trajtimin e ujërave të zeza në Pejë”

Kohëzgjatja: 04 muaj (Maj 2014 – Gusht 2014)

Vendi: Pejë, Klinë, Istog, Deçan

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit

Buxheti: 2,852 €

Donatori: “Ernst Basler + Partner”

Qëllimi i projektit: Projekti kishte për qëllim që trajtojë problemet dhe nevojave e konsumatorëve duke përdorur shërbimet e kompanisë “Hidrodrini”, dhe analizimin përmes fokus grupeve, në takime me të cilat është bërë mbledhë e informacioneve të detajuara mbi njohurit në lidhje me shërbimet e ofruara nga kompania, vetëdija e konsumatorëve për trajtimin e ujërave të zeza, pasojat që shkaktojnë në mjedis dhe pritjet e konsumatorëve.

Përfituesit: Përfitues janë qytetarët nga Komunat Pejë, Istog, Klinë dhe Deçan, lumi Drin dhe mjedisi ne përgjithësi, si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.

Realizimi i projektit: Projekti është fokusuar në mbledhjen e informatave nga konsumatorët, përmes formimit të tri fokus grupeve ju janë përfshirë konsumatorë nga zonat rurale, urbane, biznese, anëtarë familjarë, pagues të rregullt dhe të pa rregullt të Kompanisë “Hidrodrini”, me të cilat është punuar në identifikimin e problemeve dhe gjetjen e rrugëve të zgjidhjes së problemeve në raport me trajtimin ujërave të zeza dhe çështjet tjera brengosëse lidhur me ambientin.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Takim me pjesëmarrësit, konsumatoret të zonës urban Pejë për ngritjen e vetëdijes për nevojën e trajtimit të ujërave të zeza dhe pasojat higjienike dhe mjedisore të shkarkimeve të patrajtuara të ujërave.

• Takim me pjesëmarrësit, konsumatoret të zonës urbane nga komunat rajonale Istog, Klinë dhe Deçan për ngritjen e vetëdijes për nevojën e trajtimit të ujërave të zeza dhe pasojat higjienike dhe mjedisore të shkarkimeve të patrajtuara të ujërave.

• Takim me pjesëmarrësit, konsumatoret të bizneseve në Pejë për ngritjen e vetëdijes për nevojën e trajtimit të ujërave të zeza dhe pasojat higjienike dhe mjedisore të shkarkimeve të patrajtuara të ujërave.

Active Citizenship Kosova
Titulli i Projektit: Active Citizenship Kosova

Kohëzgjatja: 12 muaj ( janar 2014 – dhjetor 2014)

Vendi: Pejë, Klinë, Istog, Deçan, Rahovec

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit

Buxheti: 43,910 €

Donatori: Olof Palme International Center

Qëllimi i projektit: Projekti synon një angazhim të përgjithshëm të të gjithë qytetarëve me theks të veçantë të grave, për të qenë pjesë e proceseve vendimmarrëse duke u përqendruar në rajonin e Pejës dhe Prizrenit.

Përfituesit: Përfaqësuesit e fshatrave të 7 bashkësive lokale të komunave Pejë, Istog, Klinë, Deçan dhe Rahovec, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile të rajonit të Pejës dhe të Prizrenit, grupet jo formale të grave, grave asambleiste, si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.

Realizimi i projektit: Projekti Active Citizenship” është fokusuar në mbështetje në fushatat avokuese dhe aktivizimin e organizatave të grave, grupet e grave jo-formale në komunitetet lokale që vepron organizata jonë, grave asambleiste të komunave Pejë, Deçan, Klinë, Istog dhe Rahovec si dhe monitorimin e zbatimit të rregullores për organizimin dhe funksionalizimin këshillat lokale në komunat e Pejës dhe Istogut, apo hartimin e saj në komunat që nuk e kanë hartuar ende. Si mekanizëm tjetër për të ndihmuar këshillat e bashkësive lokale, shoqërisë civile dhe grupet tjera të interesit në Pejë është hapur edhe Zyra ndihmëse dhe këshilluese, e cila vazhdimisht ka ndihmuar kryetarët e bashkësive lokale, në shkrimin e kërkesave ankesave apo projekt ide për t’i paraqitur me kohë tek institucionet. Ndërsa tjetër mjet avokues që ka shërbyer për shpërndarjen e informatave tek qytetarët është edhe ueb faqes www.aktivizohu.org, përmes së cilës janë ndarë informata të shumta se si mund të zhvillohet një qytetari aktive, janë publikuar edhe problematikat më të cilat ballafaqohen qytetarët e komunave të ndryshme të Kosovës Aktivitetet e këtij projekti në këtë fazë janë koncentruar edhe më shumë në fuqizimin e rolit të gruas në proceset vendimmarrëse, duke i përkrahur edhe me grande të vogla, për të cilat në total janë ndarë 8 grande.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Konferenca nacionale me pjesëmarrës nga gjitha institucionet e Komunave të Kosovës, Ministria e Administrimit të pushtetit lokal, shoqëria civile, përfaqësues të bashkësive lokale, grupet joformale të grave dhe grat asamblistë. Qëllimi i konferencës është që të pasqyrohet metodologjia e punës së organizatës SiV si dhe puna dhe roli i qytetarit aktiv.

• Organizimi i debatit në TV nacionale me pjesëmarrës nga ministria, institucionet lokale, bashkësitë lokale dhe SiV për t’i informuar qytetarët mbi formën e aktivizimit dhe sistemin e funksionimit të bashkësive lokale.

• Vizitë për shkëmbim përvojash të kryetarëve të lagjeve urbane dhe fshatrave në ato komuna ku struktura e organizimit dhe funksionalizimit të qytetarisë aktive është shembull për komunat tjera.

• Monitorimi i implementimit të rregulloreve gjegjësit përzgjedhjen e përfaqësuesve nëpër bashkësitë lokale. SiV do të angazhohet në monitorimin e procesit të përzgjedhjes së përfaqësuesve të bashkësive lokale, si dhe në fund të procesit do të dalim me raport i cili do të mbaj rekomandime mbi rregulloren.

• Punëtori komunale me pjesëmarrës nga institucionet komunale, shoqëri civile, përfaqësues lagjesh dhe fshatrash, media. Në këto punëtori do të trajtohet mundësia e zbatimit të rregullores, përfitimet që komuna dhe qytetarët mund të kenë në zbatimin e kësaj rregullore e cila do ta rriste bashkëpunimin e komunës dhe të vetë kryetarit të komunës me zonat rurale dhe ato urbane.

• Trajnimet me temat avokim dhe lidership, për tete grupe të grave në tetë bashkësitë lokale.

• Përpilimi i strategjisë veprues për grupet e grave: Me grupet e grave të tetë bashkësive lokale do të përpilohet strategjia e veprimit të përbashkët, por brenda strategjisë aktivitet do të jenë të dara për secilën bashkësi veç e veç.

• Organizimi i punëtorive të përbashkëta mes grupeve të grave nga bashkësitë lokale me grat asamblistë me qëllimin e aktivizimit të grave në vendimmarrje, si dhe avokimi i grave asamblistë për adresimin e prioriteteve të grave nga këto bashkësi lokale.

• Shpërndarja e informatave mbi iniciativat e qytetarëve që kanë shërbyer si përvoja të mira për qytetarët e vendeve tjera të Kosovës dhe me gjerë.

• Adresimi i të gjitha kërkesave të qytetarëve tek institucionet përkatëse dhe përkrahja e tyre.

• Mobilizimi i qytetarëve dhe ngritja e zërit të tyre për pjesëmarrje në proceset e vendimmarrjes.

• Funksionimi i zyrës ndihmëse dhe këshilluese në kuadër të projektit.

• Mbështetje direkt për qytetarët përmes ofrimit të informatave dhe mundësive të komunikimit përmes ueb sajtit.

• Përkrahja e tetë grupeve jo formale të grave me grande të vogla.

SEED Kosovo - Support of Educational and Employment Development
Titulli i Projektit: SEED Kosovo - Support of Educational and Employment Development

Kohëzgjatja: 36 muaj (janar 2014 - dhjetor 2016)

Vendi: Kosovë, Shqipëri, Serbi

Organizata(t) zbatuese: Syri i Vizionit në partneritet Volkshilfe Solidarität dhe Solidar Suisse

Buxheti: 291,450 €

Donatori: Austrian Development Cooperation

Qëllimi i projektit: Përmirësimi i qasjes në tregun e punës për të rinjtë dhe femrat në shkollën për hoteleri e turizëm, zbutja e papunësinë dhe identifikimi i barrierave gjinore; nxitja e dialogut social në këtë sektor.

Përfituesit: Nga ky program përfitojnë nxënësit, posaçërisht femrat, në shkollat e mesme ekonomike- drejtimi i turizmit në rajonin e Dukagjinit, por projekti përfshin të gjithë akterët e turizmit në këtë rajon. Përfiton edhe komuniteti në komunat Pejë, Prizren dhe Gjakovë me përmirësimin e gjendjes në fushën e punësimit në turizëm, ndërmarrjet dhe bizneset.

Realizimi i projektit: Projekti zhvillohet paralelisht në tri shtete, Kosovë, Shqipëri dhe Serbi, ndërsa Syri i Vizionit është përgjegjëse për projektin në Kosovë. Në kuadër të këtij projekti do të punohet me shkollat e mesme ekonomike në rajonin e Dukagjinit, konkretisht me drejtimet e turizmit me të cilët do punohet në bartjen e njohurive, këmbimi e përvojave dhe zhvillimin e kapaciteteve.

Aktivitetet dhe Rezultatet:

• Përmirësimi i mundësive të punësimit dhe vetëpunësimit për grupet e targetuara, të rinjtë dhe femrat në sektorin e turizmit

• Promovimi dhe mbështetja e drejtimeve të caktuara në shkollat profesionale

• Takimet dhe koordinimi mes akterëve në sektorin e turizmit

• Punëtoritë për përvojat më të mira dhe zhvillimin e shkathtësive në turizëm

• Mbështetja financiare për idetë më të mira që garojnë në grupet e akterëve në të tri komunat

• Trajnime për hartimin e projekt propozimeve

• Përmirësimi i dialogut social për politikat gjinore

• Studim mbi barrierat gjinore në turizëm

• Fushatë e ngritjes së vetëdijes lidhur me barrierat gjinore

Përmbushja e kërkesave të BE-së për qeverisje të mirë, për integrimin e mëtejshëm evropian të Kosovës
Emri i projektit: Përmbushja e kërkesave të BE-së për qeverisje të mirë, për integrimin e mëtejshëm evropian të Kosovës

Kohëzgjatja: 2 vite (Maj 2014 - Prill 2016)

Vendi: Kosovë (Syri i Vizionit përgjegjës për Pejë, Gjakovë, Deçan, Junik, Klinë dhe Istog)

Organizata(t) zbatuese: Kipred dhe Syri i Vizionit

Buxheti: 65,280 €

Donatori: Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Prishtinë

Qëllimi i projektit: Qëllimi i këtij projekti është që të monitorohen gjashtë fusha relevante nga sfera e sundimit të ligjit në Kosovë: Demokracia dhe sundimi i ligjit; Parandalimi dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit me fokus në rendin publik dhe sigurinë; Menaxhimi i kufijve lidhur me krimin e organizuar; Përforcimi i bashkëpunimit për zbatimin e ligjit; Sistemi gjyqësor dhe Luftimi i pastrimit të parave.

Përfituesit: Përfitues direkt të këtij projekti janë institucionet vendore të përfaqësuara në nivel qendror dhe lokal e rajonal, që kanë të bëjnë meçështjet e anti-korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë sektorin qendror e lokal qeveritar dhe institucioneve gjyqësore, policinë, autoritetet komunale, etj. Përfitues indirekt janë edhe mediat lokale dhe popullsia e përgjithshme e Kosovës, të cilët do jenë të informuar për arritjet dhe matjen e përmbushjes së kërkesave të BE-së.

Realizimi i projektit: Syri i Vizionit në bashkëpunim me Institutin KIPRED kanë për qëllim të rrisin debatin publik dhe presionin për përmbushjen e kërkesave të BE-së nga Qeveria e Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përmes a) monitorimit të rregullt, vlerësimin dhe raportimin për përmbushjen e kërkesave të BE-së, b) të rris ndërgjegjësimin dhe presionin e publikut në nivel lokal dhe qendror c)forcimin e shoqërisë civile për të mbrojtur me sukses interesat dhe nevojat e qytetarëve në sektorin e qeverisë qendrore dhe lokale. Projekti realizohet në gjithë Kosovë, kurse Syri i Vizionit mbulon aktivitete në gjashtë komuna, atë të Pejës, Gjakovës, Deçanit, Junikut, Klinës dhe Istogut. Ky projekt përqendrohet në çështjet që kërkojnë trajtim urgjent për përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga BE-ja për qeverisje të mirë dhe përshpejtimin në integrimin e mëtejshëm evropian të Kosovës. Theksi i veçantë bie në përmirësim të sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit/krimit të organizuar brenda kornizave ligjore dhe zbatimi i saj. Për realizim të projekt, janë planifikuar takime me institucionet përkatëse për mbledhjen e informatave për hulumtim. Nga të gjeturat e hulumtimeve, KIPRED dhe SiV do të angazhohen edhe në përpilimin e rekomandimeve për akterët relevant vendor dhe ndërkombëtar në përmirësimin e gjendjes në fushat e lartëcekura, si dhe publikimin e barometrit të parë në Kosovë për matjen e sundimit të ligjit.

Aktivitetet dhe rezultatet:

• Takime me institucionet përkatëse për mbledhjen e informatave për hulumtim

• Monitorimi dhe realizimi i pyetësorëve nga institucionet përkatëse

• Organizimi i tryezave të rrumbullakëta

• Përpilimin e rekomandimeve nga tryezat për akterët relevantë vendor dhe ndërkombëtar në përmirësimin e gjendjes në fushat e lartcekura

• Publikimin e barometrit të parë në Kosovë për matjen e sundimit të ligji

Skip to content