Pejë, 12 mars- Organizata Joqeveritare “ Syri i Vizionit” në bashkëpunim me Lëvizjen FOL si anëtarë të Grupit Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare Partneritetin për Qeverisje të Hapur kanë mbajtur konsultim publik në komunën e Pejës me qëllim përgatitjen e Planit Nacional të Veprimit 2014-2016.
Të pranishëm në këtë konsultim publik ishin kryetari i Asamblesë komunale të Pejës me disa këshilltarë komunalë, Oda ekonomike, përfaqësues nga shoqëria civile dhe mediat. Në këtë konsultim publik është thënë qe duhet punohet shumë në përmirësimin e reformave të punësimit në secilin sektor, arsim, shëndetësi, administratë, etj, si dhe në fushën e prokurimit publik, madje është kërkuar që të iniciohet plotësim ndryshimi i Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe Ligji i prokurimit. Me plotësimin e këtyre dy ligjeve do të krijohen reforma funksionale dhe profesionale në secilin sektor dhe kjo gjë do ta rrisë transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike, rritjen e efektivitetit të luftës anti-korrupsion dhe shfrytëzimin e teknologjisë për përmirësimin e shërbimeve publike.
Kjo fushatë e konsultimeve publike do të vazhdojë edhe në komunat tjera të Kosovës me qëllim për përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara në këtë proces dhe gjithashtu për mbledhjen e propozim aktiviteteve konkrete që do të përfshiheshin në Planin Nacional të Veprimit të Republikës së Kosovës.
________________