Organizata “Syri i Vizionit” nga Peja ka mbajtur një tubim publik me qytetarët e komunës së Istogut në të cilin është diskutuar për çështjet e pronës, trashëgimisë dhe rregullimit të dokumentacionit të duhur lidhur me pronën.
Debati i mbajtur në sallën e Kuvendit komunal të Istogut ka mbledhur dhjetëra qytetarë nga lokalitete të ndryshme të komunës, për të cilët përfaqësues të Komunës së Istogut dhe gjyqësorit, kanë dhënë informacionet e duhura. Në pjesën e parë janë prezantuar risitë dhe informacioni i duhur nga drejtorët e kadastrës dhe shërbimeve publike, bujqësisë, administratës dhe shërbimi noterial, ndërsa pastaj ata janë përgjigjur në pyetjet e qytetarëve. Interesimet kishin të bëjnë kryesisht më bartjen e trashëgimisë së paregjistruar në disa breza, kontestet pronësore, kadastrën e banesave dhe të tjera probleme të mbledhura ndër vite e dekada në këtë rajon.
Takimi mbahet në kuadër të projektit “Mbroje pronën tënde” që financohet nga ATRC/USAID dhe ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe institucioneve mbi rëndësinë e zgjidhjes së çështjeve të pronës.
________________