Në kuadër të projektit “Mbështetje në Integrim dhe Fuqizim të të kthyerve Romë, Egjiptianë dhe Ashkalinjë përmes Zhvillimit të Kapaciteteve në Edukimin Bazik, Kosovë”, i cili përkrahet nga GIZ – Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe implementohet nga “Syri i Vizionit”, ka pëfunduar renovimi i 6 klasëve nëpër 6 shkollat fillore të komunave të Pejës, Klinës dhe Istogut.
Në këto klasë të cilat janë renovuar dhe pajisur me mjete të nevojshme didaktike ofrohet një ambient i përshtatshëm për realizimin e mësimit plotësues me një grup nxënësish nga cikli i ulët dhe i lartë i këtyre shkollave. Mësimi plotësues ka për qëllim që t’i ndihmojë këta nxënës në të kuptuarit më të mirë të lëndeve të caktuara, sidomos në gjuhën shqipe dhe në matematikë, si dhe në lëndët që kanë të bëjnë me artin, kreativitetin dhe ndërveprimin reciprok, e që si qëllim final ka rritjen e rezultateteve të gjithëmbarshme të tyre në procesin e rregullt mësimor.
Tre edukatore-tutore të caktuara për cdo shkollë dhe të cilat janë trajnuar në fushën e edukimit “Hap pas Hapi”, do t’i ndihmojnë nxënësit në bërjen e detyrave të shtëpisë nga lëndët përkatëse, në zgjidhjen e vështirësive të ndryshme që nxënësit mund t’i hasin gjatë të mësuarit në shkollë si dhe në motivimin e tyre rreth rëndësisë së vijimit të mësimit, bashkëveprimit me shokët dhe shoqet në shkollë dhe të integrimit në përgjithësi.