11 shtator- Që prej një muaji edhe në Kosovë është zhvilluar fushata se “Cila është shpresa jote për 2030? – Gara për mbijetesë”. Qindra fëmijë dhe të rinj nga Kosova kanë plotësuar formularin e publikuar në kuadër të sajtit Respect Our Right- ROR dhe direkt kanë shprehur shpresat dhe brengat e tyre për vetën, vendin dhe botën. Ndërsa të tjerët poashtu janë shprehur përmes pyetësorëve që aktivistët e ROR i kanë plotësuar nëpër rrugët e Prishtinës dhe qyteteve tjera të Kosovës.
“Ne duam që fëmijët e Kosovës të rriten në kushte të mira ekonomike, që prindërit ose kujdestarët e tyre të jenë të punësuar në mënyrë që familja të gëzojë prosperitet dhe që asnjë fëmijë të mos jetë i uritur”, ka qenë mesazhi më i votuar nga fëmijët e Kosovës.
Fëmijë nga e gjithë bota marrin pjesë këtë vit në garën për mbijetesë, organizuar në mënyra të ndryshme, duke u kërkuar vendimmarrësve të tregojnë angazhim të fortë për t’i dhënë fund vdekjes së parandalueshme të fëmijëve. Duke klikuar dhe vendosur në këtë shpresat dhe pritjet e tyre, fëmijët e Kosovës janë përfshirë me thirrjet nga fëmijëve të mbarë botës, që do t’u prezantohen udhëheqësve botërorë gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që mbahet në shtator të vitit 2015.
Shpresat e fëmijëve të Kosovës deri më vitin 2030, të listuara sipas asaj që vet ata kanë shkruar, sot i janë dorëzuar edhe Avokatit të Popullit me qëllim të avokimit të përbashkët tek institucionet vendore për realizimin e tyre.
Fëmijët e grupit ROR, i themeluar nga organizata joqeveritare Syri i Vizionit dhe nga Save the Children, e njoftuan z. Jashari se shpresat dhe rekomandimet deri më 2030 edhe nga fëmijët e Kosovës do të bëhen bashkë me thirrjet e fëmijëve nga mbarë bota dhe do t’u prezantohen udhëheqësve botërorë gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më 25 shtator 2015.
________________