Prishtinë 21 Maj- Organizata Joqeveritare “Syri i Vizionit” ka mbajtur trajnimin për parandalimin e dhunës në shkolla, me temën “Dhuna dhe format e saj”, me nxënësit dhe mësimdhënës të shkollës fillore dhe të mesme të ulët Ismail Qemali në Prishtinë.
Fëmijët që ishin pjesë e këtij trajnimi nuk kishin njohuri të shumta për dhunën, llojet e saj dhe format se si ajo shfaqet në shkollë dhe për mënyrat e parandalimit, që ndikojnë në krijimin e një ambienti të sigurt në shkollën e tyre. Mirëpo ata knë ndarë shembuj të ndryshëm të dhunës që ka ndodhur në shkollën e tyre në mes të bashkëmoshatarëve, e në disa raste edhe të mësimdhënësve ndaj tyre, ku disa prej tyre kanë qenë edhe viktima të dhunës .
Qëllimi i këtij trajnimi është krijimi i një ambienti më të sigurt për fëmijët, të cilët vijojnë mësimin në këtë shkollë, duke ndihmuar ata në ngritjen e vetëdijes mbi dhunën dhe format e saj si dhe parandalimin e kësaj dukurie në shkollën e tyre.
Trajnimi është mbajtur në kuadër të “Së bashku për të drejtat e fëmijëve” (Together 4 children rigts- Child Protection), që është duke u implementuar nga Organizata Joqeveritare “Syri i Vizionit” nga Peja, në partneritet më organizatën Save the Children. Projekti ka për qëllim t’i ndihmojë fëmijët, shkollat, organizatat e ndryshme në mbrojtjen e fëmijëve, dhe institucionet përgjegjëse në nivel lokal dhe qendrorë qe t’i shndërrojë shkollat në vende të sigurta për fëmijët dhe t’i ndihmojë ato në krijimin dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve.
Projekti implementohet në pesë komuna të Kosovës gjegjësisht në dhjetë shkolla të mesme të ulëta: “Ramiz Sadiku” dhe “Xhemail Kada” në Pejë, “Mustafa Bakia” dhe “Zekeria Rexha”në Gjakovë, “Tefik Çanga” dhe “Jeronim De Rada” në Ferizaj, “Bedri Gjina” dhe "Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë dhe “Naim Frashëri” e “Ismail Qemali” në Prishtinë.