Organizata joqeveritare “Syri i Vizionit”, në kuadër të projektit “Zbatimi i Ligjit për Mbrojtje të Natyrës”, ka mbajtur një debat publik në të cilin është diskutuar zbatimi i këtij ligji në praktikë.
Në këtë debat kanë marrë pjesë zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, z. Shpëtim Rudi zëvendësministër, kryetari i Komisionit Parlamentar BPMPH-së, z. Nait Hasani, përfaqësues të komunave, Agjensionit dhe Institutit për mbrojtje të Mjedisit në Kosovë, shoqërisë civile dhe mediave.
Zëvendësministri i MPH-s Shpëtim Rudi ka thënë se “Ministria është duke bërë nxjerrjen e akteve nënligjore siç janë udhëzimet administrative, dhe po ashtu kemi bërë strategjinë kombëtare të veprimit 2011-2020, mirëpo sfidë për implementimin e saj mbetet mungesa e buxhetit”.
Ndërsa kryetari i komisionit parlamentar z. Nait Hasani ka thënë se “këtë vit edhe komisioni parlamentar ka në agjendën e punës së tij monitorimin e Ligjit për Mbrojtje të Natyrës për çka shoqëria civile do të ndihmojë dhe ne do të mirëpresim raportet që dalin sa i përket monitorimit të ligjeve, e sidomos të këtij ligji”.
Shefqet Uka, nënkryetari i komunës së Pejës ka thënë se “Komunat nuk janë aspak në dijeni më udhëzimet dhe aktet tjera nënligjore që dalin nga ky ligj, e që nxirren nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ngase mungon një komunikim i duhur në mes nivelit qendror më atë komunal”.
Ky debat është pjesë e aktiviteteve që OJQ “Syri i Vizionit” nga Peja, mbështetur nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI), është duke bërë në monitorimin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtje të Natyrës në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Në fund të debatit kanë dalë edhe disa rekomandime:
• Qeveria të ndajë buxhet më të madh për Ministrinë e MMPH-së në ruajtjen e Mjedisit
• Të rritet bashkëpunimi i institucioneve nga niveli qendror më nivelin lokal
• Të përfshihen komunat dhe komuniteti si dhe grupet e ndryshme të interesit gjatë hartimit të ligjeve, akteve nënligjore dhe udhëzimeve administrative
• Të bëhet më shumë informim i qytetarëve për ligjin, qofte përmes spoteve televizive apo debateve
• Të gjenden mundësi të kompensimit të pronave, pronarëve që pronat e tyre i kanë në zonën e mbrojtur sipas këtij ligji
• Të bëhen analiza profesionale para së të iniciohet ndryshimi apo amandamentimi i ligjeve apo akteve tjera nënligjore
Prishtinë, 02 mars 2012
________________