mendo globalisht,
vepro lokalisht

Mbahet diskutimi publik më palët e interesit për Rregulloren Komunale për Hapjen e Kutive të Ankesave

Pejë, 09 Gusht - Drejtoria e Arsimit në bashkëpunim Organizatën Joqeveritare Syri i Vizionit, kanë organizuar diskutimin publik për Rregulloren Komunale për hapjen e kutive të ankesave në shkollat fillore të mesme të ulëta dhe shkollat e mesme.
Të pranishëm në këtë dëgjim publik ishin drejtorët e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme të ulëta dhe ato të mesme, organizata të shoqërisë civile që punojnë në fushën e arsimit dhe të drejtat e fëmijëve, institucionet që për mandat kanë mbrojtjen e fëmijëve dhe respektimin e të drejtave të tyre, përfaqësues të subjekteve politike, prindër, përfaqësues të Asamblesë së fëmijëve dhe mediat.

Drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj ka bërë hapjen e diskutimit publik dhe ka thënë se “kjo rregullore do të ndikojë drejtpërdrejtë në respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre por edhe në rritjen e cilësisë së arsimit në shkolla”. Madje ai ka thënë që së bashku më Syrin e Vizionit janë duke punuar edhe në plotësim ndryshimin e rregullores tjetër që ka të bëjë më të drejtat, përgjegjësinë dhe obligimet e nxënësve dhe mësimdhënësve në shkolla.

Naser Lajqi nga Syri i Vizionit ka thënë se “Syri i Vizionit dhe Save the Children janë të angazhuar dhe po punojnë që të ndihmojnë shkollat dhe institucionet përgjegjëse në krijimin e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve në shkolla dhe jashtë tyre dhe një prej mekanizmave është edhe kjo rregullore”.

Ndërsa prezantimi i draft rregullores është bërë nga ana e ekspertit ligjor të angazhuar nga Syri i Vizionit mbështetur nga Save the Children në kuadër të programit “Së bashku për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve”.

Të pranishmit në këtë takim publik kanë vlerësuar shumë nevojën që shkollat të kenë një rregullore të tillë gjë që do t’i bëjë funksionale kutitë e ankesave në shkolla dhe do të rrisë përgjegjësin e këtyre institucioneve ndaj fëmijëve sidomos në rritjen e cilësisë se arsimit dhe krijimin e ambienteve komode për ta në shkolla.

Pas diskutimit publik kjo rregullore do të kalojë për miratim në Asamblenë komunale dhe më pas në ministri, që të gjitha shkollat të fillojnë zbatimin e kësaj rregullore në fillim të vitit të ri shkollor.

Rregullorja Komunale për hapjen e kutive të ankesave në shkollat fillore të mesme të ulëta dhe shkollat e mesme është hartuar me ndihmën e organizatës joqeveritare “Syri i Vizionit” në partneritet me organizatën Save the Children, në kuadër të programit “Së bashku për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve”, dhe në bashkëpunim të ngushtë më Drejtorin e Arsimit në komunën e Pejës.

________________

Skip to content