U mbajt punëtoria rajonale me fermerët e Gjilanit
18 korrik 2013 – Gjilan. Organizata Syri i Vizionit (SiV) në bashkëpunim me Iniciativën për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK) është në proces të implementimit të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Fuqizimi i kapacitetit të shoqërisë civile për politik-bërje dhe konsultim me Qeverinë në sektorin e bujqësisë”, i cili synon të kontribuojë në fuqizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Bashkimit të Shoqatave Bujqësore të Kosovës (BSHBK).
Pas punëtorive të Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit, u mbajt punëtoria e radhës në regjionin e Gjilanit, ku u diskutuan tema të ndryshme me rëndësi për sektorin e bujqësisë në këtë regjion dhe u dhanë rekomandimet lidhur me punën e BSHBK-së në të ardhmen.
Në punëtorinë e organizuar në Gjilan, morën pjesë 45 pjesëmarrës, përfshirë përfaqësues nga Ministria e bujqësisë, institucionet lokale nga komunat Gjilan, Ferizaj, Viti, Kamenicë dhe Novobërdë, shoqatat e fermerëve dhe fermerë individualë. Sektorët e përfaqësuar ishin sektorët e perimtarisë, prodhimit dhe përpunimit të qumështit, prodhimi i mishit të deles dhe pulës, bletarisë, pemëtarisë, etj.
________________