Pejë,18 nëntor- Organizata joqeveritare Syri i Vizionit, në partneritet me organizatën “Save the Children”, kanë mbajtur në Pejë tryezën për analizimin e situatës së fëmijëve në aspektin legjislativ dhe nevojat e Kosovës për ndryshimin apo hartimin e ligjeve shtesë në mbrojtjen e fëmijëve dhe përmirësimin e situatës së fëmijëve në Kosovë.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin përfaqësues të institucioneve në komunën e Pejës, që për mandat kanë mbrojtjen e fëmijëve, drejtoria e arsimit nga komuna e Klinës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediat lokale.
Të pranishmit në këtë tryezë, kanë kërkuar që të bëhet ndryshimi i kodit penal për të mitur, si dhe ndryshimi i kodit penal të Kosovës që do të ndëshkonte prindërit e atyre fëmijëve që kryejnë vepra të dhunshme ndaj fëmijëve.
Gjithashtu, ata kanë kërkuar edhe plotësimi ndryshimin e ligjit për asistencë sociale, sidomos kriterin ekzistues që familja patjetër duhet të ketë një fëmijë ndër moshën pesë vjeçare, për të përfituar ndihmë sociale. Kjo, sipas të pranishmëve, shumë familjeve në gjendje të rëndë ekonomike ju mohon përfitimin e kësaj asistence dhe kjo po ndikon në rritjen e numrit të fëmijëve që detyrohen të punojnë punë të renda apo të kërkojnë lëmoshë.
Madje, ata kanë qenë vetë kritikë dukë thënë se secili institucion duhet të jetë më i përgjegjshëm në punën e tij dhe me përgjegjësi t’i kryejë obligimet që i përcaktohen me ligj dhe aktet tjera nënligjore.
Edhe në këtë tryezë është vlerësuar së shkollat kanë nevojë shumë për praninë e psikologut dhe pedagogut, që do të ndikonte në trajtimin e fëmijëve me sjellje asociale, në uljen e rasteve të dhunës dhe dukurive tjera që shfaqen çdo ditë në shkolla.
Në fund të tryezës janë nxjerrë rekomandime që kanë të bëjnë me nevojat e plotësim-ndryshimit të disa ligjeve, si dhe nevoja për nxjerrjen e ligjit të veçantë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Tryeza të tilla do të mbahen edhe në katër komunat tjera si në Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Prishtinë.
________________