mendo globalisht,
vepro lokalisht

Shteti duhet të bëjë më shumë në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna

Komunikatë për media

Shteti duhet të bëjë më shumë në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna

Prishtinë, 22 tetor - Organizata joqeveritare Syri i Vizionit nga Peja në partneritet me organizatën Save the Children, në kuadër të “Java kundër dhunës ndaj fëmijëve”, kanë mbajtur një konferencë me temën “Çfarë ka bërë, apo duhet të bëjë shteti në mbrojtjen e fëmijëve”, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve që për mandat kanë mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve. Në konferencën të pranishmit janë pajtuar se nuk është bërë aq sa duhet nga ana e institucioneve përgjegjëse në parandalimin dhe referimin e dhunës ndaj fëmijëve, edhe përkundër ekzistimit të mekanizmave veprues.
\"Shoqëria civile është duke bërë shumë në parandalimin e rasteve të dhunës ndaj fëmijëve, dhe institucionet duhet t\'i marrin parasysh raportet, hulumtimet dhe rekomandimet e dala nga shoqëria civile dhe ato t\'i inkorporojnë në politikat e tyre vepruese, e jo të mbesin vetëm në sirtarë\", ka thënë avokati i popullit z. Hilmi Jashari.
Në anën tjetër, Drejtoria e arsimit në komunën e Prishtinës ka potencuar se si ka ndihmuar shoqëria civile në hartimin e politikave në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna në shkolla, dhe së shumë shpejt Komuna e Prishtinës do të themelojë Zyrën për siguri në shkolla në bashkëpunim me organizatat vendore dhe ndërkombëtare që merren me fushën e mbrojtjes së fëmijëve.

\"Ne kemi hartuar një strategji dhe plan të punës për siguri në shkolla në bazë të secilës do të punojë Zyra për siguri në shkolla e cila do koordinoj edhe punën e organizatave në shkollat e Prishtinës\" ka thënë drejtoresha e arsimit në komunën e Prishtinës, znj Arberi Nagavci.

Ndërsa Policia e Kosovës kanë vlerësuar lartë punën që po bën shoqëria civile në fushën e parandalimit të dhunës ndaj fëmijëve dhe bashkëpunimin që kanë me shoqërinë civile dhe se kanë kërkuar të rritet koordinimi dhe bashkëpunimi ndërmjet akterëve përgjegjës sidomos në rritjen e vetëdijes së qytetarëve\".

\"Duhet vetëdijesuar komunitetin veçanërisht prindërit që të denoncojnë rastet e dhunës ndaj fëmijëve dhe të mos përdorin dhunë ndaj fëmijëve si dhe duhet pasur më shumë fushata në vetëdijesimin e fëmijëve që t\'i denoncojnë rastet e dhunës\" ka thënë Mentor Cakolli nga Policia e Kosovës.
Në këtë konferencë është potencuar edhe nevoja për miratimin e ligjit për mbrojtjen e fëmijëve dhe më këtë ligj të bëhet ndalimi i ndëshkimit trupor të fëmijëve kudo, jo vetëm në shkolla. Syri i Vizionit dhe Save the Children kanë thënë se një nen i tillë tashmë është futur në draft ligjin që është duke u hartuar.

Përfaqësues të shoqërisë civile, Qendra për punë sociale, Shërbimi sprovues kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës të ndajë një fond të veçantë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, që të zhvillohen aktivitete vazhdimisht dhe të hartohen politika të mirëfillta dhe praktikë në përmirësimin e pozitës së fëmijëve në Kosovë. Po ashtu është kërkuar që të rritet bashkëpunimi dhe komunikimi ndërmjet të gjithë akterëve përgjegjës si në nivel lokal po edhe në atë qendror si dhe ndërmjet këtyre dy niveleve.
Fushata \"Java kundër dhunës ndaj fëmijëve\" pjesë e tëcilës ka qenë konferenca mbahet në kuadër të projektit “Së bashku për të drejtat e fëmijëve”, implementuar nga OJQ Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children në disa komuna të Kosovës.

Skip to content