Komunikatë për media
Me përkrahjen e EU dhe zbatimin e projektit nga UNDP dhe OJQ Syri i Vizionit në Pejë, të mërkurën më 19 mars është organizuar një punëtori për buxhetimin gjinor me përfaqësues të pushtetit lokal në Komunën e Pejës. Punëtoria kishte për qëllim që drejtorët e rinj komunalë të dalë nga zgjedhjet e vitit të kaluar në Kosovë, të njoftohen me nevojat e buxhetimit të mbështetur në bazën gjinore.
Ftesa dhe konsultimet me drejtorët komunalë kanë filluar prej më shumë se një muaji në mënyrë që të gjejmë një datë të cilën mund të përshtatët nevojat e zyrtarëve komunal dhe nga kryetari dhe drejtorët kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Por pavarësisht kësaj, në punëtori ka marrë pjesë vetëm një drejtor, drejtori për emergjenca dhe shpëtim dhe janë deleguar zyrtarë të fushave të ndryshme.
Jemi të zhgënjyer me mosardhjen e tyre dhe konsiderojmë se një qasje e tillë nuk garanton që në këtë qeverisje do të ketë trajtim të mirë të çështjeve gjinore, por as partneritet të mirë me shoqërinë civile dhe donatorët, për të cilat Komuna jonë ka nevojë.
Përkujtojmë se projekti është organizuar me partneritet me dy agjensione të Kombeve të Bashkuara UNDP dhe UNWomen dhe është financuar nga Komisioni Evropian.
Buxhetimi gjinor sot është shndërruar në një komponent të rëndësishëm të planifikimit buxhetor për të gjitha organizatat buxhetore. Një pjesë e mirë e projekteve përfshirë edhe projektet që financohen nga Bashkimi Evropian, i japin një rol të rëndësishëm planifikimit gjinor të buxhetit dhe e kanë bërë obligative, për projektet në të cilat mendon të aplikojë në të ardhmen Komuna.
________________