Prishtinë 30 prill- Organizata Joqeveritare “Syri i Vizionit” ka mbajtur trajnimin për parandalimin e dhunës në shkolla, me temën “Dhuna dhe format e saj”, pjesë e të cilit ishin nxënësit dhe mësimdhënës të shkollës fillore dhe të mesme të ulët Naim Frashëri në Prishtinë. Qëllimi i këtij trajnimi është krijimi i një ambienti më të sigurt për fëmijët, të cilët vijojnë mësimin në këtë shkollë, duke ndihmuar ata në ngritjen e vetëdijes mbi dhunën dhe format e saj si dhe parandalimin e kësaj dukurie në shkollën e tyre.
Fëmijët që ishin pjesë e këtij trajnimi nuk kishin njohuri të shumta për dhunën, llojet e saj dhe format se si ajo shfaqet në shkollë dhe për mënyrat e parandalimit, që ndikojnë në krijimin e një ambienti të sigurt në shkollën e tyre. Trajnimi është mbajtur në kuadër të “Together 4 children rigts- Child Protection, që është duke u implementuar nga Organizata Joqeveritare “Syri i Vizionit” nga Peja, në partneritet më organizatën Save the Children. Projekti ka për qëllim t’i ndihmojë fëmijët, shkollat, organizatat e ndryshme në mbrojtjen e fëmijëve, dhe institucionet përgjegjëse në nivel lokal dhe qendrorë qe t’i shndërrojë shkollat në vende të sigurta për fëmijët dhe t’i ndihmojë ato në krijimin dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve.
Projekti implementohet në pesë komuna të Kosovës gjegjësisht në dhjetë shkolla të mesme të ulëta: “Ramiz Sadiku” dhe “Xhemail Kada” në Pejë, “Mustafa Bakia” dhe “Zekeria Rexha”në Gjakovë, “Tefik Çanga” dhe “Jeronim De Rada” në Ferizaj, “Bedri Gjina” dhe "Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë dhe “Naim Frashëri” e “Ismail Qemali” në Prishtinë.