Pejë, 31 maj – Është mbajtur konferenca “Ndërgjegjësimi i punëtorëve për të drejtat e tyre dhe regjistrimi në sindikata”, që ka pasur për qëllim prezantimin e raportit të dalë nga hulumtimi që është realizuar në komunën e Pejës, me punëtorët e punësuar në ndërmarrje private si dhe në sektorin publik.
Në këtë konferencë përveç prezantimit të raportit që ka dal nga hulumtimi, është diskutuar me institucionet përgjegjëse, sindikatat, organizatat e shoqërisë civile, kryetarë të këshillave dhe qytetarë për hapat që duhet ndërmarr në zbatimin e ligjit të punës dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve në vendet e tyre të punës dhe rëndësinë e regjistrimit në sindikata.
Gjatë konferencës janë diskutuar disa nga pikat me të rëndësishme që kanë dalë nga hulumtimit siç janë: njohja e ligjit të punës, kontratat, orari, siguria në vendin e punës, pushimet vjetore, trajtimi jo i barabartë, mbështetja nga qeveria, sigurimi shëndetësor dhe regjistrimi në sindikata.
Pjesëmarrësit në konferencë janë pajtuar se nuk janë duke bërë sa duhet në mbrojtje e të drejtave të punëtorëve, dhe poashtu punëtorët nuk iniciojnë rastet e shkeljes së të drejtave të tyre, sepse nuk besojnë shumë në qeverinë e as në mbështetjen e sindikatave. Poashtu shihet si shumë e nevojshme vetëdijesimi i qytetarëve dhe punëtorëve në të dy sektorët për Ligjin e punës dhe të drejtat që garanton ky ligj, si dhe rëndësia e rolit dhe funksionit të sindikatave.
Konferenca është organizuar në kuadër të projektit “Qytetaria Aktive”, që ka për qëllim zhvillimin e qytetarisë aktive në Kosovë, i cili është duke u realizuar tash e sa vite në rajonin e Pejës dhe Prizrenit nga OJQ “Syri i Vizionit” mbështetur nga organizata Olof Palme International Center.
________________