Pejë, 07 Maj- Organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” ka mbajtur një punëtori me këshillin drejtues të shkollës fillore dhe të mesme të ulët Ramiz Sadiku në Pejë, ku janë njoftuar me Protokollin për parandalimin dhe referimin e dhunës në institucionet e arsimit para-universitar. Ky protokoll është hartuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Jo-diskriminim të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Protokolli përcakton detyrimet, qartëson rolet dhe procedurat e institucioneve për parandalimin, identifikimin, mbledhjen e të dhënave, referimin, trajtimin, raportimin e dhunës ndaj fëmijëve në institucionet e arsimit para-universitar. Po ashtu përforcon bashkëpunimin ndërinstitucional dhe multidisiplinar për të mbrojtur të drejtat e fëmijës dhe për t’i mbrojtur fëmijët nga dhuna
Kjo punëtori është organizuar në kuadër të programit“Together 4 children rigts- Child Protection”, dhe në partneritet me Organizatën Save the Children, që ka për qëllim zhvillimin e një sistemi për monitorimin dhe raportimin e dhunës ndaj fëmijëve, duke krijuar politika të favorshme për përmirësimin e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë që janë në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve dhe standardeve të BE-së.
Ky projekt po implementohet në dhjetë shkolla fillore dhe të mesme të ulëta në pesë komuna të Kosovës: në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Ferizaj dhe Mitrovicë. Përfituesit të këtij projekti janë nxënësit, prindërit e tyre dhe mësimdhënësit e këtyre shkollave si dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve.