Pejë: Organizata Syri i Vizionit në bashkëpunim me Shkollën e Mesme të Lartë Ekonomike “Ali Hadri“ në Pejë organizojnë “Ditët e dyerve të hapura” të cilat do të mbahen prej 26 maj deri më 1 qershor 2021. Ky aktivitet ka për qëllim njohjen nga afër të prindërve, nxënësve të klasave të nënta, bashkëpunëtorëve, bizneseve dhe çdokujt tjetër që është i interesuar me shkollën, ambientet e saj, veprimtarinë, drejtimet si dhe mundësitë e punësimit e zhvillimit të karrierës që ajo ofron për nxënësit e rinj.
Ndërkohë, sot, më 26 maj, në praninë e Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë së Arsimit dhe shumë bashkëpunëtorëve të kësaj shkolle, është bërë inaugurimi i Qendrës së Karrierës, Kabinetit të Kuzhinës si dhe Bibliotekës të cilat janë përkrahur nga projekti SEED Faza III, i cili zbatohet nga organizatat Volkshilfe Solidaritat dhe Syri i Vizionit me financim nga Agjencia Austriake për Zhvillim - ADA.
Hapësirat e reja të inauguruara sot do të jenë një mbështetje e rëndësishme e cila do të ndikojë në ngritjen profesionale si për nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës. Kabineti i Kuzhinës dhe salla e restorantit do t’u mundësojnë nxënësve dhe mësimdhënësve ta kryejnë punën praktike brenda ambienteve të shkollës. Me këtë do të ndikohet në ngritjen e shkathtësive të nxënësve të drejtimit të hotelerisë dhe turizmit dhe në përgatitjen e kuadrove shumë të nevojshme profesionale për këtë sektor. Ndërkohë, biblioteka do të jetë hapësirë në të cilën nxënësit e shkollës do të kenë mundësi të pasurojnë dijen e tyre.
Në anën tjetër, Qendra e Karrierës do t’i ofrojë mbështetje shkollës në orientimin e nxënësve në karrierë duke ofruar këshilla rreth profesioneve më të kërkuara si dhe t’i këshillojë për shfrytëzimin e potencialit të tyre për të arritur aspiratat e tyre në karrierë. Kjo Qendër do të bashkëpunojë me biznese duke lidhur marrëveshje për punë praktike dhe hapjen e profileve të reja sipas kërkesave të tregut të punës. Ajo po ashtu do të promovojë shkollën në panaire, rrjete sociale, shkolla fillore, aktivitete të ndryshme sidhe do të gjurmojë/përcjellë nxënësit edhe pas përfundimit të shkollimit të tyre të mesëm.
Shfrytëzoni “Ditët e dyerve të hapura” si një mundësi për ta njohur shkollën “Ali Hadri“ më mirë.
________________