mendo globalisht,
vepro lokalisht

Mbështetet “Rritu Marketing” - një biznes i ri marketingu në Istog

03.08.2022

Falë mbështetjes së projektit “Fuqizimi dhe punësimi i të rinjve, grave dhe grupeve tjera në nevojë në pesë komuna të Kosovës”, kompania e rishtazi e themeluar në Istog - “Rritu Marketing” do t’i sjellë tregut kosovar inovacionet më të reja të marketingut, posaçërisht bizneseve të vogla dhe atyre të mesme. Ajo do ta bëjë këtë përmes ofrimit të shërbimeve në krijimin dhe menaxhimin e rrjeteve sociale, faqeve të internetit, krijimin e fushatave promovuese, dizajnit grafik, fotografive dhe videove profesionale, krijimit të menyve me QR Code, sponsorimit të ngjarjeve për biznese në mënyrë profesionale e të ngjashme.

 

Ermir Çitaku është një djalë i ri i cili pas përfundimit të studimeve në fushën e marketingut ëndërronte që dijen e tij të fituar ta kthejë në një biznes personal, respektivisht kompani marketingu. Sipas tij, kishte ardhur edhe koha që të fillonte me këtë biznes. “Studimet e mia në këtë fushë më kanë nxitur që të fillojë me një kompani të marketingut. Po prisja momentin e duhur për këtë dhe ai erdhi pikërisht kur aplikova për një grant në thirrjen e hapur nga Syri i Vizionit për mbështetje të rinjve në start-up-et e tyre”, thotë Ermiri.

 

Ai më tej shton seprogramet e kësaj natyre janë shumë të nevojshme, për të rinjtë në veçanti. “Më duhet që fillimisht ta falënderoj stafin e organizatës Syri i Vizionit për bashkëpunimin e tyre të denjë. Një falënderim shumë i madh edhe për të gjithë zbatuesit e këtij projekti mbështetës - OJQ-në Syri i Vizionit, The Balkan Forum si dhe Komunën e Istogut, të cilat përmes fondeve të BE-së, bën që ëndrra ime si i ri të bëhet realitet,” theksoi ai.

 

Hapja e këtij biznesi nga ky i ri i Istogut krijon kushte për zhvillim të kapaciteteve, vende të reja të punës për komunitetet e pafavorizuara si të rinjtë, gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe ata nga grupet etnike pakicë. Kompania “Rritu Marketing” është themeluar përmes komponentit të granteve për ndërmarrje fillestare (start-up), në kuadër të projektit të sipërpërmendur i cili po zbatohet në komunat Pejë, Klinë, Deçan, Junik dhe Istog.

 https://www.facebook.com/rritu.marketing