mendo globalisht,
vepro lokalisht

Mbahet fushata “Unë kam një Ligj që më mbron”

04.08.2022

04 gusht 2022, Prishtinë  - Organizata joqeveritare Syri i Vizionit nga Peja, në partneritet me organizatën Save the Children - zyra në Kosovë, në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë (ZQM) si dhe grupet e fëmijëve Respect Our Rights (ROR) e Asambletë Komunale të Fëmijëve (AKF) organizuan fushatën sensibilizuese  “Unë kam një Ligj që më mbron”  duke kërkuar kështu nga institucionet qeveritare që të fillojnë menjëherë zbatimin e  Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës i cili ka hyrë në fuqi më 17 korrik 2020.

Naser Lajqi, përgjegjës për fushën e mbrojtjes së fëmijës në organizatën Syri i Vizionit, tha: “Fushata ka për qëllim promovimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës - dy vite pas hyrjes në fuqi - dhe ndalimin e  ndëshkimit trupor, duke ndërgjegjësuar dhe vetëdijesuar gjithë qytetarët për parandalimin e dhunës dhe ndëshkimit trupor ndaj fëmijëve dhe institucionet qeveritare të ndërmarrin veprime konkrete për zbatimin e këtij Ligji, që fëmijët të ndjejnë mbrojtjen dhe sigurinë e të drejtat që ju garantohen nga shteti”.

 

Qëndresë Ibra-Zariqi nga Zyra për Qeverisje të Mirë ka falënderuar organizatat të cilat po ndihmojnë me zbatimin fushatës nacionale “Dashni për çdo fëmijë”. Ajo u zotua se Qeveria shumë shpejtë do të miratojë edhe aktet nënligjore që burojnë nga ky ligj. “Besoj që së shpejti do të miratohen aktet nënligjore të cilat do të ndihmojnë gjithë akterët përgjegjës në zbatimin e ligjit dhe krijimin e mekanizmave të duhur”, nënvizoi ajo.

 

Ndërsa përfaqësuesit e grupeve të fëmijëve ROR dhe AKF kërkuan nga qeveria që të bëjë më shumë për zbatimin e Ligjit duke krijuar siguri dhe mjedis që garanton gëzimin e të drejtave të tyre. “Qeveria duhet të krijojë siguri për ne jo vetëm në shkolla por kudo dhe të krijojë kushte që ne si fëmijë t’i gëzojmë të drejtat e tona të garantuara me këtë ligj si dhe Konventa ndërkombëtare për të drejtat tona”, ka thënë Erisa Dervishaj, përfaqësuese e fëmijëve nga grupi ROR.

 

Fushata “Unë kam një Ligj që më mbron” synon të rris përgjegjësinë institucionale dhe vetëdijen e prindërve e kujdestarëve ligjorë për pasojat që ka ndëshkimi trupor dhe ushtrimi i dhunës, si një dukuri mjaft e shprehur në shkollë dhe familje, por edhe në mjedise tjera. 

Kjo fushatë është realizuar në kuadër të fushatës RriteMeDashni dhe fushatës nacionale #DashnipërcdoFëmijë në kuadër të programit në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe qeverisjes me të drejtat e fëmijëve “Detyrimi ynë për të Ardhmen - Mbrojtja e Fëmijëve dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës” i cili zbatohet nga organizata Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children, zyra në Kosovë, dhe financohet nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar.