mendo globalisht,
vepro lokalisht

Komuna e Pejës dhe SiV nënshkruajnë marrëveshje partneriteti për fuqizimin e grave dhe personave me aftësi të kufizuara në bujqësi

Pejë, 27 nëntor 2026 – Organizata Syri i Vizionit (SiV) dhe Komuna e Pejës kanë nënshkruar Marrëveshje Partneriteti (Memorandum Mirëkuptimi), me qëllim të zgjerimit të mundësive për fuqizimin ekonomik të grave dhe personave me aftësi të kufizuara përmes bujqësisë së qëndrueshme, punësimit dhe zhvillimit të bizneseve familjare bujqësore.

Marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe drejtori ekzekutiv i Syri i Vizionit, Veton Mujaj. Në kuadër të këtij partneriteti, Komuna e Pejës do të kontribuojë me 35,000 euro për mbështetjen e përfituesve shtesë nga Komuna e Pejës, përmes granteve për fillimin ose zgjerimin e bizneseve bujqësore.

Ky bashkëpunim realizohet në kuadër të projektit “Bujqësi e Qëndrueshme, Punësim dhe Shërbime të Përmirësuara Sociale për Gratë dhe Personat me Aftësi të Kufizuara – Seeds of Inclusion in Kosovo”, të cilin Syri i Vizionit e zbaton në partneritet me Brot für die Welt, me financim nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), përmes fondeve të Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim, dhe bashkëfinancim nga Diakonie ACT Austria (DAA)/Brot für die Welt.

Projekti zbatohet nga 1 korriku 2026 deri më 30 qershor 2029, me një buxhet të përgjithshëm prej 495,000 eurosh, në shtatë komuna: Pejë, Istog, Klinë, Deçan, Junik, Gjakovë dhe Rahovec. Ai synon mbështetjen e grave, personave me aftësi të kufizuara dhe kujdestarëve të tyre, veçanërisht në zonat rurale, duke rritur mundësitë për punësim dhe vetëpunësim në bujqësi të qëndrueshme dhe agrobiznes. Po ashtu, synon përmirësimin e shërbimeve sociale dhe lehtësimin e barrës së kujdesit, e cila në shumë raste bie kryesisht mbi gratë.

 

Në kuadër të projektit, 78 përfitues do të trajnohen në bujqësi të qëndrueshme, 50 prej tyre do të zhvillojnë plane biznesi, ndërsa 30 do të përfitojnë grante për nisjen ose zgjerimin e bizneseve bujqësore. Projekti parasheh gjithashtu mbështetjen e së paku katër OJQ-ve lokale, fushata ndërgjegjësimi dhe tryeza me institucionet komunale, si dhe kujdes e mbështetje psikosociale për rreth 40 fëmijë dhe të rritur me aftësi të kufizuara.

 

Kontributi prej 35,000 eurosh do t’u mundësojë mbështetje përfituesve shtesë nga Komuna e Pejës, të cilët kanë aplikuar në thirrjen për grante të projektit dhe janë në listën e pritjes, bazuar në rezultatet e vlerësimit. Përzgjedhja do të bëhet ekskluzivisht nga komisioni vlerësues i projektit, sipas të njëjtave kritere dhe procedura për të gjithë aplikuesit, duke garantuar transparencë dhe trajtim të barabartë.

 

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet pushtetit lokal dhe shoqërisë civile, dhe dëshmon se partneritetet institucionale mund të krijojnë mundësi konkrete për zhvillim ekonomik, përfshirje sociale dhe mirëqenie për qytetarët. Syri i Vizionit shpreh mirënjohjen për Komunën e Pejës për partneritetin dhe përkushtimin në mbështetjen e grave dhe personave me aftësi të kufizuara.