mendo globalisht,
vepro lokalisht

Fushatë avokuese me komunitetin në Cigë për identifikimi dhe adresimi e e nevojave primare të familjeve

19.12.2018

Pejë/19 Dhjetor. Identifikimi, adresimi dhe kërkimi i mundësive për zgjidhjen e nevojave primare të familjeve – ishte qëllimi i takimit të sotëm avokues me familjet e komuniteteve të ndryshme të fshatit Cigë, përfaqësuesin e bashkësisë territoriale dhe mësimdhënësit e shkollës së këtij fshati, ndërsa me këtë takim përmbyllet për këtë vit cikli i fushatave avokuese me komunitetin.
Vlen të theksohet se në kuadër të projektit “Mbështetje në Integrim dhe Fuqizim për të kthyerit Romë, Egjiptianë dhe Ashkalinjë përmes zhvillimit të Kapaciteteve në Arsimin Fillor në Kosovë” i cili implementohet nga Syri i Vizionit dhe mbështetet nga GIZ-i, gjatë vitit 2018 janë realizuar 18 fushata avokuese me komunitetin përmes të cilave janë arritur më shumë se 300 persona, kryesisht nga komunitetet romë, egjiptianë dhe ashkalinjë. Synimi i përgjithshëm i këtyre fushatave është përmirësimi i mundësive dhe i kushteve të gjithëmbarshme sociale dhe ekonomike të komuniteteve që jetojnë në 6 lokalitetet në të cilat zhvillohet projekti në fjalë, me theks të vecantë te aspekti edukativ dhe mësimor i fëmijëve dhe i familjeve të tyre. Me angazhimin e familjeve, fëmijëve, mësimdhënësve të shkollave, zyrtarëve të institucioneve lokale dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, janë identifikuar nevojat dhe problemet kryesore të sferave sociale, edukative dhe ekonomike të komuniteteve dhe të shkollave fillore të 6 lokaliteteve të ndryshme të komunës së Pejës, Klinës dhe Istogut, dhe si rrjedhojë janë aktivizuar përpjekjet dhe resurset e ndryshme për zgjidhjen e tyre, para së gjithash me ndihmën e institucioneve lokale dhe publike si edhe të akterëve tjerë të përfshirë në këtë proces.