mendo globalisht,
vepro lokalisht

Debat për reformën zgjedhore në Kosovë

03.04.2012

Komunikatë

Pejanët debatojnë  për zonat zgjedhore në Kosovë 

Pejë, 03 prill 2012- Sot në Sallën e Kuvendit komunal në Pejë rrjeti i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka mbajtur një debat publik më qytetarë për të diskutuar mbi propozimin për reformën zgjedhore në Kosovë “Kosova me 26 zona zgjedhore”. Qëllimi i këtij debati ishte që të konsultojë qytetarët lidhur me mundësinë e ndarjes së Kosovës në 26 Zona Zgjedhore dhe të bëjë informimin më të detajizuar rreth mënyrës së funksionimit të një ndarjeje të tillë.
Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim paraqiti prezantimin që vjen nga shoqëria civile që kërkon që Kosova të ndahet në 26 zona zgjedhore dhe cili do të ishte përfitimi i qytetarëve nga kjo, si do të rritej transparenca e llogaridhënia e deputetëve ndaj elektoratit te tyre.
Edhe liderët partiakë të pesë partive më të mëdha në Kosovë, dega në komunën e Pejës, AAK, LDK, PDK, AKR dhe VV janë pajtuar më propozimin e “Demokracisë në Veprim”, që  Kosova të ketë të paktën 26 zona zgjedhore, madje disa kanë propozuar që të jenë edhe 100 zona zgjedhore.
Sipas tyre sa më shumë zona zgjedhore që bëhen, përfaqësimi është më i drejtpërdrejtë dhe kjo i bën deputet përgjegjës ndaj qytetarëve apo ndaj zgjedhësve të tyre, pasi deri më tani asnjëri nga deputet e Parlamentit të Kosovës nuk kanë dhënë llogari ndaj qytetarëve.
Përveç AKR-së që ka kërkuar që pragu zgjedhor të zbres në 3% propozim ky edhe i “Demokracisë në Veprim” të gjitha partitë tjera kanë kërkuar që pragu zgjedhor të mbetet ashtu siç është 5%.
Përveç partive politike edhe qytetarët kanë kërkuar që në Kosovë të ketë disa zona zgjedhore, madje ata janë pajtuar me propozimin që Kosova të ketë 100 zona zgjedhore, ose minimumi të jenë 26 zona zgjedhore siç ka propozuar “Demokracia në Veprim”. Sipas tyre ka ardhur koha të dihet secili deputet kë përfaqëson në Kuvendin e Kosovës.
Në këtë debat morën pjesë kryetarë dhe nënkryetarë të partive më të mëdha në Kosovë, dega në Pejë, shoqëria civile, qytetarë dhe mediat. Debati është pjesë e debateve publike që Rrjeti i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” është duke i realizuar nëpër komunat e Kosovës.