mendo globalisht,
vepro lokalisht

Trajnimi për mbrojtjen e fëmijëve nga ngacmimet, në shkollë “Ramiz Sadiku” në Pejë

05.12.2012

Mbahet trajnimi për ngacmimet dhe mbrojtja e fëmijëve nga to, me nxënësit e shkollës fillore “Ramiz Sadiku” në Pejë

Pejë, 05 dhjetor- Është mbajtur trajnimi i radhës me kryesinë e nxënësve të klasave VI,VII,VIII dhe IX-të të shkollës fillore “Ramiz Sadiku” në Pejë. Në këtë trajnim nxënësit kanë mësuar më shumë për format e ngacmimeve të ndryshme që ndikojnë në zhvillimin normal të fëmijëve qoftë nga ana e mësimdhënësve, shokëve  apo shoqeve e tyre por edhe nga familjarët e tyre, duke u shkaktuar atyre dhunë psikike, emocionale apo edhe fizike. Gjithashtu në këtë trajnim nxënësit  kanë ndarë përvojat e tyre të ndryshme qoftë në shkollë, jashtë shkolle dhe në familje, duke treguar që ata shumë herë kanë qenë pjesë direkte apo indirekte e ngacmimeve që u janë bërë atyre apo shokëve të tyre të klasës, nga ana e mësimdhënësve, vetë nxënësve por nganjëherë edhe të vetë familjeve të tyre.
Gjithashtu nxënësit janë informuar edhe për mekanizmat ekzistues qoftë brenda shkollës dhe jashtë shkollës ku do të mund t’i paraqesin rastet e ngacmimeve që atyre apo shokëve dhe shoqeve të tyre u bëhen gjatë qëndrimit në shkollë apo edhe jashtë shkollës.
Ky trajnim, është pjesë e aktiviteteve të ndryshme që organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” mbështetur nga Save the Children International  është duke realizuar programin për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në shkollat fillore. Projekti është duke u realizuar në shkollar Fillore Ramiz Sadiku dhe Lidhja e Prizrenit në Pejë, si dhe në shkollat fillore Mustafa Bakija dhe Emin Duraku në Gjakovë. Përveç trajnimeve në fusha të ndryshme me nxënës, është hartuar edhe kodi i mirësjelljes së shkollave. Në fund të programit shkollat do të mbështeten me një grant simbolik që ka për qëllim përmirësimin e lirive dhe të drejtave të fëmijëve në këto shkolla.