Takimi publik për Biznes Plane Të Gjelbra dhe Inovative 2014
![](https://syriivizionit.org/repository/images/670_260/unnamed.jpg)
Ky projekt synon të identifikojë ndërmarrës të rinj në Kosovë të cilëve iu ofron mbështetje financiare fillestare në vlerë prej 10,000 USD nga donatorë dhe filantropistë për idetë e tyre të biznesit.
Objektivi kryesor i këtij projekti është identifikimi dhe mbështetja e biznes planeve që kanë potencial të lartë për sukses, ndikojnë në mënyrë të ndjeshme në zhvillimet sociale, mjedisore dhe ekonomike të një komuniteti të veçantë, apo një grupi më të gjerë komuniteti, me synimin final të realizimit të një zhvillimi të qëndrueshëm të biznesit në vend.
Një ndër sfidat më të mëdha për ekonomitë e sotme mbetet gjetja e formave të reja të organizimit dhe angazhimit të komuniteteve lokale me qëllim sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm, reduktimin e impaktit negativ në mjedis duke realizuar për rrjedhojë një shpërndarje më të drejtë të përfitimeve.
Në këtë kuadër, gjykohet se idetë e gjelbra mund të luajnë një rol pozitiv në motivimin, identifikimin dhe mobilizimin e burimeve me qëllim adresimin në mënyrë strategjike të çështjeve që kanë të bëjnë me përtëritjen e mënyrave tradicionale të prodhimit dhe zhvillimin e tregjeve lokale.
Takimi është mbajtur në sallën e Asamblesë komunale në Pejë, ku kanë marr pjesë të rinj të komunës së Pejës, të cilët kanë shprehur ide të ndryshme për të aplikuar si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare që veprojnë në Komunën e Pejës.