mendo globalisht,
vepro lokalisht

Syri i Vizionit mbledh në tryezë akterët përgjegjës për të drejtat e fëmijëve

24.04.2014

Gjakovë, 24 prill 2014
Organizata Joqeveritare Syri i Vizionit, në partneritet me organizatën Save the Children, kanë publikuar raportin e monitorimit të Konventës ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, nga vetë fëmijët me titullin “Perceptimet e nxënësve, prindërve dhe zyrtarëve për të drejtën për arsim, ngacmimin dhe diskriminimin në shkolla”.

Raporti përfshin tri pika të zbatimit të Konventës ndërkombëtare mbi të drejtat e fëmijëve: "E drejta në Edukim", Ngacmimet" dhe "Mosdiskriminimi", ndwrsa wshtw konstatuar se në secilën prej tyre ka pasur shkelje dhe nuk është bërë sa duhet nga ana e institucioneve lokale.
Po ashtu raporti ka nxjerrë në pah se nuk ka një koordinim të duhur të institucioneve për të përmirësuar situatën e të drejtave të fëmijëve, e veçanërisht në fushën e së drejtës për edukim, parandalim të ngacmimeve dhe mosdiskriminim.

Të pranishëm në takim, ku edhe është bërë publikimi i raportit ishin Drejtoria e Arsimit, Policia e Kosovës, Gjykata Themelore-njësiti për të mitur, përfaqësues të Ombudpersonit në nivel lokal dhe qendror, Qendra për Punë Sociale, koordinatori komunal për të drejtat e fëmijëve, qendra e mjekësisë familjare, drejtorë të disa shkollave, shoqëria civile, prindër, nxënës, pedagogë, psikologë, institucione tjera përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe mediat.
Të gjithë akterët e mbledhur në këtë tryezë për të diskutuar mbi gjendjen e sigurisë janë pajtuar se duhet bërë më shumë me qëllim të fuqizimit të mekanizmave ekzistuese për të rritur nivelin e sigurisë në shkolla.