mendo globalisht,
vepro lokalisht

Mbahet konferenca “Hartimi i politikave për bujqësi dhe zhvillim rural në Kosovë”

02.05.2014

Prishtinë 30 prill 2014 – Organizata joqeveritare Syri i Vizionit në bashkëpunim me Iniciativën për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë IADK, në kuadër të projektit “Fuqizimi i kapacitetit të shoqërisë civile për politikë-bërje dhe konsultim me Qeverinë në sektorin e bujqësisë”, financuar nga Bashkimi Evropian. Kanë mbajtur  konferencën “Hartimi i politikave për bujqësi dhe zhvillim rural në Kosovë” në nivel qendror, ku  për qëllim ka pasur nxitjen dhe promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Bashkimin e Shoqatave Bujqësore te Kosovës (BSHBK) dhe akterëve tjerë.


Po ashtu në këtë konferencë është prezantuar edhe Plani për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor (PZHRB) te Kosovës 2014-2020 i Qeverisë së Kosovës, ku pjesëmarrësit janë njoftuar më këtë plan zhvillimorë për bujqësi.


Dukagjin Nishiqi, projekt menaxher nga organizata Syri i Vizionit, ka treguar se në kuadër të këtij projekti janë zhvilluar 5 punëtori në pesë regjionet e Kosovës, ku me angazhimin e një eksperti, janë identifikuar problemet, specifikat e regjioneve të ndryshme të Kosovës, si dhe është realizuar konferenca në nivel nacional për prezantimin e të gjeturave dhe adresimin e rekomandimeve për institucione dhe aktëret tjerë.  Po ashtu gjatë kësaj periudhe është krijuar ueb faqja e BSHBK_së, e cila është www.bshbk.net, e cila është aktive, dhe në të gjenden informata rreth punës se BSHBK_së dhe informata të rëndësishme për fermerët. Me qëllim të ngritjes se kapaciteteve për anëtaret e bordit të BSHBK_së është realizuar vizitë studimore në shtetin e Bullgarisë, dhe janë vizituar kompani, organizata të fermerëve dhe institucione qeveritare, në mënyrë që të merren përvoja nga një shtet ballkanik i cili është pjesë e bashkimit evropian. Me pjesëmarrje të organizatave të fermerëve, fermer individual dhe drejtorisë së bujqësisë dhe zhvillimit ekonomik në komunën e Pejës, është organizuar një punëtori në komunën e Pejës si pilot komunë, ku qëllimi i kësaj punëtorie ka qenë që të përmirësohen praktikat/procedurat e skemës për aplikimin e grandeve dhe subvencioneve në nivelin lokal, si dhe hartimi i një dokumenti-modeli me praktikat/procedurat dhe skemën për aplikimin e subvencioneve dhe grandeve në nivelin lokal.


Ndërsa,  Zenel Bunjaku drejtori ekzekutiv i IADK-së ka falënderuar zyrën e BE-së në Kosovë për mbështetjen qe po i jep sektorit të bujqësisë dhe po ashtu edhe Ministrinë e Bujqësisë për përkrahjen e këtij sektori me rritjen e buxhetit dhe investimet në këtë sektor, si dhe hartimin e planit për zhvillim të bujqësisë 2014-2020.  


Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, janë zotuar se do të mbështesin fermerët dhe do të rrisin buxhetin dhe investimet kapitale në mbështetje të zhvillimit të bujqësisë në Kosovë dhe fermerët.
Shqipe Dema, nga MBPZHR ka thënë se “Ministria ka qenë e hapur dhe është munduar që ti përfshij të gjitha palët e interesit në mënyrë që kjo strategji të jetë më gjithëpërfshirëse, dhe se kjo strategji nuk është dokument i mbyllur, mund të plotësohet dhe ndryshohet” Ajo gjithashtu ka inkurajuar të pranishmit që të japin kontributin tyre për të pasur një strategji të zbatuar që nxitë zhvillimin e bujqësisë në Kosovë.


Nga ana tjetër, Mihai Constantinescu – konsultat nga Rumania, ka prezantuar përvojat e shtetit Rumun në hartimin e politikave bujqësore para dhe pas anëtarësimit në bashkimin evropian, ai ka treguar së shteti Rumun ka ngritur fondin për bujqësi pas anëtarësimit në bashkimin evropian për 7 herë më shumë. Duke arritur shumën në 1 miliard euro, në mënyrë që fermerët t’iu bëjnë ballë tregtisë së lirë ne bashkimin evropian.
Po ashtu ai ka theksuar së sfidë për shtetin Rumun ka qenë edhe përkrahja për fermer, pasi që 50% e fermerëve kanë qenë fermer të vegjël, të cilët me shumë vështirësi kanë mbijetuar, dhe se shumë ferma janë mbyllur. 


Sa i përket rolit të shoqërisë civile në hartimin e politikave bujqësore në Kosovë, Agim Sahiti nga BSHBK-ja, ka thënë se “Bashkimi i shoqatave bujqësore të Kosovës, është trup i ri i organizimit të shoqërisë civile në sektorin e bujqësisë së Kosovës, dhe se gjatë kësaj periudhe anëtaret e këtij rrjeti janë duke mbajtur trajnime dhe duke hartuar strategji vepruese” Ai ju ka bërë  thirrje për Ministrinë e Bujqësisë që ata t’i llogarisinë si partner në hartimin e politikave bujqësore, pasi që në BSHBK janë të përfaqësuar shumica e sektorëve bujqësore të cilët janë të organizuar në nivel nacional dhe dy prej tyre regjional. 


Në ketë konferencë të pranishëm ishin 62 pjesëmarrës me përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe zhvillimit rural, përfaqësues nga komunat e ndryshme të Kosovës, përfaqësues nga shoqata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, dhe anëtar të bordit nga BSHBK. 


Pas prezantimeve pjesëmarrësit kanë adresuar sugjerime për ndryshime në strategjinë për zhvillim të bujqësisë 2014-2020.
• Tek sektori i grurit të ndryshohet përkrahja për fermer, nga 15 hektar që është në strategji të behët 10 hektar.
• Si pjese e përkrahjes të futet edhe sektori i përpunimit të drithërave.
• Të rregullohen dokumentet/aplikacionet për subvencione dhe grande nga agjensioni për zhvillim të bujqësisë.
• Të përkrahen vizita studimore për fermerët në vendet e rajonit dhe bashkimit evropian.
• Të këtë më shumë vizita monitoruese tek fermerët të cilët aplikojnë për grande dhe subvencione në ministrinë e bujqësisë, këto vizita të realizohen para marrjes së grandit dhe pas implementimit të tij.
• Të përkrahën më shumë projekte në rregullimin e shtretërve të lumenjve, në ketë mënyre përfitojnë më shumë fermer.
• Në sektorin e verëtarisë të lobohet në ngritjen e kuotës për eksport në bashkimin evropian, nga 2 mijë litra sa është lejuar tani, të rritet në minimum 5 mijë litra.