mendo globalisht,
vepro lokalisht

Fëmijët të gatshëm t’i drejtohen Avokatit të Popullit për të drejtat e tyre

07.10.2014

Prishtinë, 03 Tetor- Fëmijët e shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë janë shprehur të gatshëm që të bashkëpunojnë dhe të kërkojnë ndihmë nga Institucioni i Avokatit të Popullit kur atyre ju shkelen të drejtat e tyre në shkollë apo familje. Kështu janë shprehur ata gjatë vizitës që zyrtarë nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) i kanë bërë shkollës Ismail Qemali, për t’i informuar ata me punën dhe aktivitetet e këtij institucioni në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe ndihmën që mund t’u ofrojë ai në rast se atyre ju shkelen të drejtat e tyre.

Zyrtarja e këtij institucioni, znj. Igballe Rrahmani, i ka njoftuar fëmijët se ekziston Njësiti për të Drejtat e Fëmijëve, i cili mbron, promovon, vëzhgon si dhe zhvillon hetime lidhur me shkeljet e të drejtave të fëmijëve nga ana e institucioneve publike. Ajo me tej ka thënë se  ky njësit i ka mundësuar IAP-së që të përqendrohet më shumë në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës si dhe të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

Ajo ka motivuar fëmijët që në rast se atyre ju shkelen të drejtat nga kushdo-qoftë në shkollë, familje etj, t’i drejtohen këtij institucione dhe se ky institucion do t’u dalë në ndihmë në çdo kohë që fëmijët të mos jenë viktima të dhunës apo dukurive tjera.
Fëmijët kanë ndarë raste të ndryshme, ku ata besojnë që u janë shkelur të drejtat e tyre dhe kanë kërkuar sqarime nga përfaqësuesja e Avokatit të Popullit se çfarë është dashur të bëhet apo si duhet vepruar në raste të tilla.
Vizita e Ombuspersonit në shkollën “Ismail Qemali” është realizuar në kuadër të të programit “Së bashku për të drejtat e fëmijëve (Together 4 children rigts- Child Protection)”, në partneritet me organizatën Save the Children.
Ky projekt po implementohet në dhjetë shkolla fillore dhe të mesme të ulëta në pesë komuna të Kosovës: në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Ferizaj dhe Mitrovicë. Përfituesit të këtij projekti janë nxënësit, prindërit e tyre dhe mësimdhënësit e këtyre shkollave si dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve.