mendo globalisht,
vepro lokalisht

Qendra për Punë Sociale takon fëmijët e shkollës Naim Frasheri në Prishtinë

07.10.2014

Prishtinë, 03 Tetor- Fëmijët e shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Naim Frashëri” në Prishtinë janë njoftuar me punën dhe aktivitet e Qendrës për Punë Sociale, se çfarë bën ky institucion në mbrojtjen e fëmijëve dhe ndihmën që mund t’u ofrojë në rast se atyre ju shkelen të drejtat e tyre, apo nëse ata kanë qenë viktima apo kryes të ndonjë vepre.

Nazim Cakolli, nga Qendra për Punë Sociale, ka njoftuar fëmijët se ky institucion ofron shërbime të ndryshme për fëmijë dhe se ata dhe vetë shkolla mund t’i shfrytëzojë shërbimet që ka ky institucion dhe punonjësit e saj profesionalë nga fusha të ndryshme.
Ai, i ka motivuar fëmijët që në rast se atyre ju shkelen të drejtat, apo nëse janë viktima nga kushdo-qoftë në shkollë, familje etj, t’i drejtohen këtij institucione dhe se ky institucion do t’u dalë në ndihmë në çdo kohë që ata më të mos jenë viktima të dhunës apo dukurive tjera.
Fëmijët kanë ndarë raste të ndryshme ku ata besojnë që u janë shkelur të drejtat e tyre dhe kanë kërkuar informata nga përfaqësuesi I QPS-së, se çfarë është dashur të bëhet apo si duhet vepruar në raste të tilla.
Vizita e zyrtarit nga Qendra për Punë Sociale në shkollën fillore dhe te mesme të ulët  Naim Frashëri është realizuar në kuadër të programit “Së bashku për të drejtat e fëmijëve (Together 4 children rigts- Child Protection)”, në partneritet me organizatën Save the Children
Ky projekt po implementohet në dhjetë shkolla fillore dhe të mesme të ulëta në pesë komuna të Kosovës: në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Ferizaj dhe Mitrovicë. Përfituesit të këtij projekti janë nxënësit, prindërit e tyre dhe mësimdhënësit e këtyre shkollave si dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve.