mendo globalisht,
vepro lokalisht

Lëndët pronësore të kenë status prioritar të trajtimit në gjykatë

24.12.2014

Me përfaqësuesit e fshatrave dhe bashkësive lokale të Komunës së Klinës është mbajtur një takim në të cilin është diskutuar për çështjet e pronës, trashëgimisë dhe rregullimit të dokumentacionit të duhur lidhur me pronën. Zyrtarët e Komunës së Klinës, Gjykatës në Klinë, Odës së avokatëve dhe  noterisë, para këtyre përfaqësuesve nga bashkësitë lokale, u janë përgjigjur shqetësimeve që vijnë nga qytetarët dhe kanë shpjeguar bazat e legjislacionit kosovar për regjistrimin e pronës.
Pikat kryesore në të cilat qytetarët kanë shprehur interesimin kanë qenë regjistrimi i pronave në të cilat shitblerja është bërë dekada më parë, pronat e kontestueshme, të drejtat e servitutit, angazhimi i ekspertëve gjeometër dhe pagesat për shërbimin e tyre dhe të tjera lidhur me bartjen e pronësisë së trashuar dhe kontratave të pavërtetuara. Përfaqësuesit e institucioneve kanë inkurajuar qytetarët që çështjet e tilla t’i zgjedhin, pasi procedurat ligjore mundësojnë zgjidhjen e të gjitha llojeve të kontesteve që kanë të bëjnë me pronën. Është kërkuar poashtu që edhe çështjet e pronësisë të marrin statusin e lëndëve prioritare në gjykata, pasi vonesat janë tepër të mëdha në trajtimin e tyre.
Takimi është mbajtur në kuadër të projektit “Mbroje pronën tënde” që financohet nga ATRC/USAID dhe ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe institucioneve mbi rëndësinë e zgjidhjes së çështjeve të pronës.