mendo globalisht,
vepro lokalisht

Shkollat e mesme profesionale diskutojnë çështjet e praktikës profesionale në Pejë

26.12.2014Shkollat e mesme profesionale të Pejës të premten kanë këmbyer përvojat e veta në zbatimin e praktikës profesionale dhe bashkëpunimin me biznesin në shërbim të përmirësimin e përvojave për nxënësit e tyre. Takimi i organizuar Syri i Vizionit në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit të Pejës ka grumbulluar menaxher e këtyre shkollave dhe mësimdhënësit që merren me orët e praktikës për të ndarë përvojën e mirë të krijuar me SHME “Ali Hadri” në kuadër të projektit “Mismatch”, që financohet nga Solidar Suisse.
Doracaku i praktikës profesionale, pako e dokumenteve që përcaktojnë raportet  e bashkëpunimit mes shkollës, bizneseve dhe nxënësve në kryerjen e praktikës, nënshkrimi i kontratave mes shkollës ekonomike dhe 25 bizneseve të hotelerisë dhe turizmit, janë konsideruar si  një sukses që mund të merret edhe nga shkollat tjera profesionale. Përfaqësuesit nga Shkolla Ekonomike “Ali Hadri”, Shkolla teknike “Shaban Spahija”, Shkolla e mjekësisë, Shkolla e artit “Odise Paskali”, Shkolla e Muzikës “H alit Kasapolli” dhe nga Qendra Burimore për mësim dhe këshillim “Xheladin Deda” kanë thënë se ka vështirësi në krijimin e raporteve institucionale të qëndrueshme me biznesin për kryerjen e praktikës.
Projekti “Mismatch” synon përshtatjen e sistemit arsimor me tregun e punës dhe ndihmon nxënësit që të përshtaten sa më mirë në punësim pas përfundimit të shkollës së mesme.