mendo globalisht,
vepro lokalisht

Pandëshkueshmëria në Kosovë: Lufta Kundër Korrupsionit të Profilit të Lartë

07.10.2015


Prishtinë, 07 tetor- Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) dhe Syri i Vizionit (SiV), organizuan një tryezë të rrumbullakët me temë: “Pandëshkueshmëria në Kosovë: Lufta Kundër Korrupsionit të Profilit të Lartë” për të prezantuar të gjeturat nga hulumtimi i kryer në periudhën qershor-shtator dhe për të diskutuar rreth tyre.
Në tryezë morën pjesë përfaqësues nga institucionet kyçe të sundimit të ligjit në Kosovë nga niveli qendror dhe lokal si: Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Zyra e Prokurorit Disiplinor, Gjykata Themelore (Gjakovë), Gjykata Themelore (Pejë), dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Tryezën e hapi zyrtarja e projektit nga OJQ “Syri i Vizionit” në Pejë, Vlora Gaxherri, e cila prezantoi para pjesëmarrësve të dhënat e përgjithshme për projektin, dhe për rezultatet e realizuara në tri hulumtimet e mëparshme. Më pas, pasi u prezantuan të gjeturat fillestare të projektit të KIPRED dhe SiV, u vazhdua më tej me diskutimet e akterëve të pranishëm në tryezë.
Znj. Ariana Qosaj-Mustafa, menaxhere e këtij projekti dhe njëkohësisht hulumtuese e lartë në KIPRED, prezentoi metodologjinë e punës hulumtuese, të gjeturat e deri më tanishme dhe rekomandimet në fushën e korrupsionit, me fokus profilin e lartë. “Korniza ligjore kundër korrupsionit ka nevojë të plotësohet më tutje, në mënyrë që të rritet efikasiteti në luftimin e korrupsionit, sidomos atij të profilit të lartë. Të dhënat statistikore dëshmojnë se zgjidhja e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë është ende e ulët, për shkak të disa faktorëve duke përfshirë edhe mungesën e vetiniciativës nga prokurorët dhe kualitetin e aktakuzave. Poashtu, në mungesë të vullnetit politik, infrastruktura dhe kapacitetet e institucioneve të sundimit të ligjit vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme” - tha znj. Ariana Qosaj-Mustafa.
Pjesëmarrësit në tryezë diskutuan për gjetjet e KIPRED dhe SiV dhe shprehën mendimet e tyre në lidhje me zgjidhjet më efikase rreth çështjes së korrupsionit të profilit të lartë. Diskutimet u fokusuan në përmbushjen e kërkesave të BE-së nga ana e institucioneve të Kosovës, në mënyrë që të lehtësohet rrugëtimi i Kosovës drejt BE-së dhe të tejkalohen problemet e lartpërmendura.
Kjo ishte tryeza e katërt e organizuar në kuadër të projektit \"Përmbushja e kërkesave të BE-së për Qeverisje të mirë, për Integrimin e mëtejshëm Evropian të Kosovës\", projekt i cili është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.