mendo globalisht,
vepro lokalisht

Java kundër dhunës ndaj fëmijëve

19.10.2015


Prishtinë, 18 Tetor- Organizata joqeveritare Syri i Vizionit nga Peja në partneritet me organizatën Save the Children, të dielën kanë filluar “Javën kundër dhunës ndaj fëmijëve”, që ka për qëllim ndërgjegjësimin dhe koordinimin e institucioneve, prindërve dhe gjithë shoqërisë në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe përmirësimin e situatës së tyre në Kosovë si dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e fëmijëve.
Në një konferencë për media të mbajtur të dielën në Prishtinë, përfaqësues të organizatës Syri i Vizionit kanë shënuar fillimin e aktiviteteve që për një javë do të tërheqin vëmendjen për dhunën ndaj fëmijëve dhe angazhimin e institucioneve për zvogëlimin e saj në shoqërinë kosovare.
Naser Lajqi, menaxher i projektit “Së bashku për të drejtat e fëmijëve”, ka thënë se “Fushata ka për qëllim të tërheq vëmendjen e institucioneve kosovare për nevojat e angazhimit më të madh për parandalimin e dhunës tek fëmijët, duke kërkuar edhe koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve dhe funksionalizim të mekanizmave ekzistues që ofrojnë ligjet kosovare për mbrojtjen e fëmijëve e sidomos miratimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve.

Aktivitetet do të zhvillohen nga datat 19 deri 25 tetor 2015, ndërsa  në këto aktivitete do marrin pjesë qindra nxënës të shkollave të Kosovës, mësimdhënës dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në nivel lokal e qendror.

Në kuadër të “Javës kundër dhunës ndaj fëmijëve” do të ketë vizita në institucionet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, debate mes akterëve në nivel lokal, aktivitete që do mobilizojnë nxënësit në katërmbëdhjetë shkolla për trajtimin e temës së mbrojtjes nga dhuna si dhe konferencë për trajtimin e gjendjes në këtë sektor. 

Java kundër dhunës organizohet në kuadër të projektit “Së bashku për të drejtat e fëmijëve”, implementuar nga OJQ Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children në disa komuna të Kosovës.